×
Ky libër flet për sahabët e të Dërguarit Muhamed, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, gjegjësisht sqaron vlerën, pozitën, të drejtat e tyre kundrejt nesh dhe detyrat tona ndaj tyre. Po ashtu shpjegon besimin e ehli sunetit dhe xhematit lidhur me sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ta.

الإصابة في فضائل وحقوق الصحابة


بسم الله الرحمن الرحيم

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

 Parathënie

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Fundi është për të devotshmit, kurse armiqësia për zullumqarët. Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut, të Vetmit, që nuk ka rival. Ai është Sunduesi dhe e Vërteta e qartë. Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. Ai është i sinqerti, i besueshmi, këshilluesi i qartë, dërguar me të vërtetën para Kiametit, përgëzues dhe qortues për botët, mëshirë për besimtarët dhe argument për të gjitha krijesat. Paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, të cilët e besuan, e përkrahën dhe e nderuan duke e ndjekur dritën që i qe zbritur, rrjedhimisht mu ata janë triumfuesit.

Sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ta!, janë të privilegjuar, ngase Allahu i Lartësuar bëri që të jenë shoqërues të Muhamedit, vulës  dhe zotërisë së të dërguarve . Ata janë brezi më i mirë i umetit, personalitete të shoqërisë islame, fepërkrahës, prijatërë të umetit në shkencë dhe në punë, si dhe janë njerëzit që më së shumti u përpoqën në rrugën e Allahut të Lartësuar. Ndër argumentet që flasin për vlerën e pozitën e tyre të lartë janë edhe këto:

1.                  Allahu i Lartësuar i ka lavdëruar në Kuran duke ua dëshmuar Islamin, imanin dhe virtytet e tyre. I ka përgëzuar me pendesë, duke qenë i kënaqur me ta, si dhe me shumëllojshmërinë e begative të kopshteve, përgatitur për ata që i binden e i nënshtrohen Atij.

2.                  Dëshmia e Pejgamberit se janë banorë të Xhenetit. Ai ka sqaruar vlerën e tyre kundrejt të gjithë brezave të umetit se janë njerëzit më të mirë, si dhe veçori të tjera që janë vërtetuar me argumente të qarta nga Kurani dhe Suneti shumërrugësh (mutevatir).

3.                  Konsensusi i muslimanëve për vlerën, lartësimin e pozitën e tyre në umet. Virtytin, autoritetin dhe pozitën e tyre të lartë në umet nuk e konteston asnjë i mençur e i paanshëm, aq më pak besimtari i ngarkuar me detyra fetare. Mirëpo, ja që në këtë kohë ka të atillë që flasin kundër tyre, ua ulin vlerat, gjë që rezulton me qortimin ose me zhvlerësimin e ndonjërit prej tyre në përgjithësi. Kjo çon në përgënjeshtrimin e Allahut të Lartësuar dhe në përdhosjen e pejgamberllëkut të Muhamedit i cili nuk flet me hamendje. Kjo shpie në zhvleftësimin e shtyllës së fesë dhe në mëdyshje të parimeve, në lajthitje të rinisë së umetit, në imitim të të këqijve dhe të pafeve, në gëzim të armiqve të Islamit. Këtë e bën vetëm injoranti i paditur, që flet për atë që nuk di, ose hipokriti, që hiqet si hulumtues e studiues duke mbuluar të fshehtat, poshtërsitë dhe hipokrizinë e vet. Secili ia bën vetes së tij, nëse nuk i pendohet Allahut para varrimit. I tilli, me poshtërsinë e shkrimeve dhe me fjalët që shprehin qëllime të këqija e të errëta, e shpall mjerimin. Allahu i Lartësuar thotë:

﴿وَاللَّهُ يَعْلَمُ الْمُفْسِدَ مِنَ الْمُصْلِحِ﴾

“Allahu di ta dallojë keqbërësin prej mirëbërësit.” (Bekare, 220)

Gjithashtu, Ai thotë:

﴿إِنَّ اللَّهَ لَا يُصْلِحُ عَمَلَ الْمُفْسِدِينَ﴾

“Allahu, me siguri që do ta prishë punën e ngatërrestarëve.” (Junus, 81)

Allahu thotë:

﴿إِنَّ الَّذِينَ يُلْحِدُونَ فِي آيَاتِنَا لَا يَخْفَوْنَ عَلَيْنَا أَفَمَن يُلْقَى فِي النَّارِ خَيْرٌ أَم مَّن يَأْتِي آمِنًا يَوْمَ الْقِيَامَةِ اعْمَلُوا مَا شِئْتُمْ إِنَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِيرٌ﴾

“Ata që i shtrembërojnë shpalljet Tona, nuk mund të Na fshihen. Si mendoni, a është më i mirë ai që do të hidhet në zjarr apo ai që në Ditën e Kiametit do të vijë i sigurt? Bëni ç’të doni, se Ai i sheh të gjitha çfarë punoni ju.” (Fusilet, 40) Le ta kenë parasysh këta tutkunë, dhe të tjerët, se, sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ta!, janë sikur yjet në qiell, përmes të cilëve orientohen mendarët. Ata nuk dëmtohen nga të lehurat e qenve. Allahu do t’i mbrojë, ngase ata janë më meritorët dhe më të denjët për t’u përfshirë në fjalët e Allahut të Lartësuar:

﴿إِنَّ اللَّهَ يُدَافِعُ عَنِ الَّذِينَ آمَنُوا إِنَّ اللَّهَ لَا يُحِبُّ كُلَّ خَوَّانٍ كَفُورٍ﴾

“Allahu, në të vërtetë, i mbron besimtarët. Ai nuk i do tradhtarët mohues.” (Haxh, 38)

Si dhe në fjalën e Allahut të Lartësuar:

﴿لِيَغِيظَ بِهِمُ الْكُفَّارَ﴾

“Ai (Allahu) t’i zemërojë mohuesit.” (Fet’h, 29)

Prandaj, vetëm hipokriti jobesimtar ose ateisti i poshtër neveritet dhe ua shpreh urrejtjen duke ua sulmuar shenjtërinë, për t’iu shfryrë atyre, ndërkohë që ata pushojnë në varret e tyre. Mu për këtë shkrova këtë përmbledhje rreth sahabëve të të Dërguarit për të përmbushur obligimin ndaj tyre, këshillë për umetin, ngritje zëri për vlerat e tyre, si dhe udhëzim për ata të cilëve u është ngatërruar çështja e tyre, tek kam përfshirë definimin kush quhet sahabi; sqarimin e pozitës, vlerës, meritave dhe virtyteve të tyre; të drejtat e tyre ndaj umetit; si dhe besimin e Ehli Sunetit karshi tyre.

Synimi im është lartësimi dhe ngritja e atyre të cilëve u takon merita, këshillimi i atyre që janë të shkujdesur, si dhe zemërimi për urrejtësit e tradhtarët. Allahu qëndron pas qëllimit dhe vetëm Ai udhëzon në rrugën e drejtë.

 SË PARI: DEFINIMI I SAHABËVE

Sahabeh (الصحابة) është shumës i fjalës sahib  (صاحب) e sahabij (صحابي). Sahabi quhet ai që e ka takuar të Dërguarin duke e besuar, si dhe ka vdekur si besimtar. Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë!, ka thënë: “Çdo musliman që e ka shoqëruar Pejgamberin ose e ka parë atë është sahabi (shok) i tij.”

Qëllimi i kësaj është se ka shoqërim (suhbe) të veçantë dhe të përgjithshëm. Në të përgjithshmin futet çdokush që e ka parë të Dërguarin duke e besuar. Prandaj dhe thuhet: shoqërim vjetor, mujor, i çastit, e kështu me radhë. Sahabiu që është veçuar me diç që e dallon prej të tjerëve, cilësohet me atë shoqërim, duke përjashtuar të tjerët që nuk përmenden me të.

Shumë dijetarë kanë thënë: Secili që e ka shoqëruar të Dërguarin është më i mirë sesa ai që nuk e ka shoqëruar fare. Me shoqërim ata kanë arritur gradën që nuk mund ta arrijnë të tjerët me dije e me punë, rrjedhimisht nuk mund ta arrijnë pozitën e tyre, që e kanë arritur me shoqërimin e Pejgamberit .

Dobi: Thuhet se numri i sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta!, është njëqind e njëzet e katër mijë, i fundit prej të cilëve ka vdekur Ebu Tufejl Amir ibn Vathile El Lejthiu, në vitin 100, ose, siç përmend Muslimi, Allahu e mëshiroftë!, në vitin 120, sipas hixhretit.


 SË DYTI: SYNIMI I PËRMENDJES SË SAHABËVE, VLERA DHE OBLIGIMI NDAJ TYRE, SIPAS BESIMIT TË EHLI SUNETIT DHE XHEMATIT

Me të dalë në skenë bidati (risia) e havarixhëve, që, në çështjen e arbitrazhit (tahkim), i shpallën jobesimtarë Aliun, Muaviun, Amr ibn Asin dhe të tjerët, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë!; bidati i rafidive, me teprimin e tyre ndaj Aliut, Allahu qoftë i kënaqur me të, ndaj anëtarëve të familjes së tij në veçanti, ndaj ca familjarëve të shtëpisë së Pejgamberit dhe ndaj një numri tejet të vogël të sahabëve dhe heqjen e përgjegjësisë mbi vete nga të tjerët, si dhe, përgjithësisht, me të dalë në skenë havarixhët, rafiditë dhe të tjerët ndër radhët e nasibitëve e ekstremistëve, që përdhosën sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ta!, duke i sharë, duke i ofenduar, duke shpifur në fetarinë e tyre dhe duke vënë në mëdyshje vendosmërinë (qëndrueshmërinë) e tyre në atë që i kishte lënë i Dërguari i Allahut në çështjet e fesë, që çoi në mohimin e meritave të tyre ose pretendimin se ata sollën diçka që bie në kundërshtim me fenë, derisa çështja me ata fesajues (pasues të bidatit) përfundoi duke i gjykuar sahabët si jobesimtarë, Allahu qoftë i kënaqur me ta, duke i luftuar e duke lejuar gjakun dhe pasurinë e tyre, bëri që imamët (dijetarët) e Ehli Sunetit dhe Xhematit të vihen në mbrojtje të fesë së Allahut të Lartësuar me dy çështje:

1.                  Duke sqaruar vlerën e sahabëve të të Dërguarit të Allahut meritat, rëndësinë në umet dhe pozitën e tyre në fe, si dhe duke i shfajësuar nga ajo që u është atribuuar nga ana e havarixhëve, rafidive dhe të tjerëve nga radhët e fesajuesve dhe ndjekësve të epshit.

2.                  Duke sqaruar obligimin ndaj sahabëve të Pejgamberit kundrejt mospajtimeve që ndodhën mes tyre, si dhe duke iu kundërpërgjigjur të gjithë fesajuesve dhe ndjekësve të epshit në këtë çështje.


 SË TRETI: POZITA E SAHABËVE NË UMET

Pas gradës së pejgamberllëkut nuk ka pozitë më të lartë dhe më fisnike sesa grada e njerëzve me të cilët Allahu i Lartësuar ishte i kënaqur ta shoqëronin Muhamedin të dërguarin më të ndershëm, vulën e pejgamberëve dhe ndihmëtarin e fesë së Tij.

Ata, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë!, absolutisht konsiderohen shoqëruesit më të mirë të pejgamberëve dhe të të dërguarve. I Dërguari ka thënë: “Njerëzit më të mirë janë ata të shekullit tim.”

Për këtë shkak, umeti është i njëzëshëm se sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ta!, janë më të mirët në dije, në punë, në besim dhe në shoqërim të të Dërguarit të Allahut, sal-lalallahu alejhi ue selem, sesa ata që erdhën pas tyre dhe, njëherit, janë prijatarë të çdo virtyti të mirë. Nuk ka dyshim se ata fituan, zunë vendin e parë, arritën qëllimin, vlerën, mirësinë, dijen dhe çdo cilësi të mirë që nuk e arrin dot askush tjetër.

Fakti që paraprinë në besimin në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, në migrimin, në ndihmën, në thirrjen tek Allahu i Lartësuar e luftën për në rrugën e Tij, në luftimin e të tjerëve për ta mbrojtur të Dërguarin e Allahut, në besimin e asaj për të cilën u fliste ai, në bindjen ndaj tij para se të përhapeshin shenjat e dëshmitë e pejgamberllëkut të tij e të shfaqej thirrja e tij, ndonëse numri i besimtarëve ishte i paktë kundrejt numrit të madh të përgënjeshtruesve ithtarë të Librit e idhujtarë, shpenzimin e tyre të pasurisë dhe sakrifikimin e vetes së tyre duke synuar kënaqjen e Allahut të Lartësuar edhe në atë gjendje, është çështje që nuk mund të arrihet e as ta fitojë shpërblimin e tyre askush nga umeti. I Dërguari i Allahut në një hadith të saktë, ka thënë: “Mos i shani shokët e mi, se, për Atë, në Dorën e të Cilit është jeta ime, nëse ndonjëri prej jush do të jepte (do të shpenzonte) sasi ari sa kodra e Uhudit, nuk do ta arrinte mirësinë e asnjërit prej tyre, madje as gjysmën.”

I lumtur është ai që pason rrugën dhe gjurmët e tyre. Për Zotin, ata e ndihmuan fenë dhe Allahu përmes tyre i forcoi parimet e saj. Ata i çliruan zemrat dhe vendet duke luftuar denjësisht për Allahun. Allahu qoftë i kënaqur me ta!


 SË KATËRTI: VLERA E SAHABËVE DHE VIRTYTET E TYRE

Sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ta!, u shquan ndaj të gjitha gjeneratave të umetit duke u paraprirë me Islam që në fillet e tij, si dhe duke luftuar e duke u përpjekur në përhapjen e tij për t’ua përcjellë të tjerëve. Ata janë të parët që besuan në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, besuan në kohën kur Islami ishte i huaj e i panjohur, luftuan në kohë vështirësish, ftuan në rrugën e Allahut me urtësi, sakrifikuan veten, shpenzuan më të shtrenjtën e më të vlefshmen që kishin, ishin të durueshëm në armiqësinë e të afërmit e të të largëtit, prandaj tek ata u mishëruan vlera të shumta dhe virtyte madhore, që janë:

 ·         Përparësia në Islam;

 ·         Durimi në kohë vështirësish;

 ·         Shoqërimi i të Dërguarit ;

 ·         Migrimi dhe strehimi i të tjerëve;

 ·         Ndihma dhe luftimi në rrugën e Allahut;

 ·         Prijatarë në dije dhe në vepër;

 ·         Transmetimi e përcjellja e fesë.

Ndërkaq, argumentet që flasin për vlerën e meritat e tyre madhore, Allahu qoftë i kënaqur me ta!, janë të shumta, ndër to:

a) Ajetet kuranore, tek shprehet lavdërimi për punët e tyre fisnike, virtytet e tyre të bukura, premtimi i tyre me fitimin madhështor dhe kënaqja e Zotit të Lartësuar me ta. Allahu i Madhërishëm thotë:

﴿مُّحَمَّدٌ رَّسُولُ اللَّهِ وَالَّذِينَ مَعَهُ أَشِدَّاءُ عَلَى الْكُفَّارِ رُحَمَاءُ بَيْنَهُمْ تَرَاهُمْ رُكَّعًا سُجَّدًا يَبْتَغُونَ فَضْلًا مِّنَ اللَّهِ وَرِضْوَانًا سِيمَاهُمْ فِي وُجُوهِهِم مِّنْ أَثَرِ السُّجُودِ ذَلِكَ مَثَلُهُمْ فِي التَّوْرَاةِ وَمَثَلُهُمْ فِي الإِنجِيلِ كَزَرْعٍ أَخْرَجَ شَطْأَهُ فَآزَرَهُ فَاسْتَغْلَظَ فَاسْتَوَى عَلَى سُوقِهِ يُعْجِبُ الزُّرَّاعَ لِيَغِيظَ بِهِمُ الْكُفَّارَ وَعَدَ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ مِنْهُم مَّغْفِرَةً وَأَجْرًا عَظِيمًا﴾

“Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Ata që janë me të, janë të ashpër ndaj jobesimtarëve e të mëshirshëm midis tyre. I sheh ata si përkulen dhe bien në sexhde, duke kërkuar dhuntinë dhe kënaqësinë e Allahut. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e sexhdes. Ky është përshkrimi i tyre në Teurat. Ndërsa në Ungjill, shembulli i tyre përshkruhet si një farë e mbjellë që lëshon filiza e forcohet e pastaj ngrihet e fortë me kërcellin e vet, duke i gëzuar mbjellësit. (Kështu përshkruhen ata) me qëllim që, nëpërmjet tyre, Ai t’i zemërojë mohuesit. Për ata midis tyre që besojnë dhe kryejnë vepra të mira, Allahu ka premtuar falje dhe shpërblim të madh.” (Fet’h, 29)

Gjithashtu, fjala e Tij:

﴿وَالَّذِينَ تَبَوَّؤُوا الدَّارَ وَالإِيمَانَ مِن قَبْلِهِمْ يُحِبُّونَ مَنْ هَاجَرَ إِلَيْهِمْ وَلَا يَجِدُونَ فِي صُدُورِهِمْ حَاجَةً مِّمَّا أُوتُوا وَيُؤْثِرُونَ عَلَى أَنفُسِهِمْ وَلَوْ كَانَ بِهِمْ خَصَاصَةٌ وَمَن يُوقَ شُحَّ نَفْسِهِ فَأُولَئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ﴾

“Ndërsa ata që banojnë në Medinë dhe që e kanë pranuar besimin qysh më parë, i duan mërgimtarët që vijnë në Medinë dhe në zemrat e tyre nuk ndjejnë kurrfarë rëndimi, për atë, që u është dhënë atyre, por duan t’u bëjnë më mirë mërgimtarëve sesa vetes, edhe pse vetë janë nevojtarë. Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues.” (Hashër, 9)

Po ashtu, fjala e Tij:

﴿وَالسَّابِقُونَ الأَوَّلُونَ مِنَ الْمُهَاجِرِينَ وَالأَنصَارِ وَالَّذِينَ اتَّبَعُوهُم بِإِحْسَانٍ رَّضِيَ اللَّهُ عَنْهُمْ وَرَضُواْ عَنْهُ وَأَعَدَّ لَهُمْ جَنَّاتٍ تَجْرِي تَحْتَهَا الأَنْهَارُ خَالِدِينَ فِيهَا أَبَدًا ذَلِكَ الْفَوْزُ الْعَظِيمُ﴾

“Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve dhe ensarëve, Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu ka përgatitur për ata kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të jetojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore!” (Teube, 100)

Për ata të cilëve u dedikohet ky premtim fisnik, Allahu i Lartësuar e ka ditur se nuk do ta braktisin fenë asnjëherë, bile do të vdesin me të, si dhe nuk do të këmbëngulin në gabimet që mund t’i bëjnë, por u jepet sukses që të pendohen për to, e pastaj Allahu ua pranon për shkak të pendimit të tyre të sinqertë. Gjithashtu, të mirat që i kanë ua fshijnë ato dhe i gradojnë.

b) Po ashtu, sa i përket Sunetit, janë transmetuar hadithe të shumta që sqarojnë meritën e tyre, ndër to fjala e Pejgamberit : “Mos i shani shokët e mi, se, për Atë, në Dorën e të Cilit është jeta ime, nëse ndonjëri prej jush do të jepte (do të shpenzonte) sasi ari sa kodra e Uhudit, nuk do ta arrinte mirësinë e asnjërit prej tyre, madje as gjysmën.” Gjithashtu, thënia e të Dërguarit : “Njerëzit më të mirë janë ata të shekullit tim, te të cilët jam dërguar.” Etj.

c) Përgjithësisht çdo gjë që Allahu i Lartësuar ka cekur në Kuran lidhur me cilësitë e të devotshmëve, besimtarëve dhe bamirësve duke i lavdëruar e duke u premtuar vlerësime herët dhe vonë, shokët e të Dërguarit Allahu qoftë i kënaqur me ta!, kanë përparësi dhe janë më të denjë që të përfshihen, si dhe janë më meritorë kundrejt çdokujt tjetër nga umeti.

ç) Ajo që është përcjellë brez pas brezi në Kuran dhe në Sunet përkitazi me vlerat e meritat e tyre, si dhe dëshmia për ta lidhur me gradat e larta dhe me cilësitë e përsosura është çështje e njohur domosdoshmërisht nga feja. Rrjedhimisht, nuk kundërshtohet nga ajo që thonë fesajuesit e devijuar nga radhët e rafidive, havarixhëve, mutezilive dhe nga të ngjashmit, si dhe trashëgimtarët e lajthitjeve a mashtrimeve të tyre.


 SË PESTI: DALLIMET MES SAHABËVE NË VLERAT DHE NË POZITAT E TYRE

Te dijetarët e besimtarët është i njohur fakti se sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ta!, sa i përket vlerës, nuk janë në një gradë, porse ndonjë grup a ndonjëri prej tyre ka merita dhe vlera paralel me  përparësinë e pranimit të Islamit, hixhretin (migrimit), ofrimin strehë, ndihmën dhe xhihadin (luftën në rrugën e Allahut), si dhe paralel me veprat e bëra për fenë dhe për të Dërguarin e tyre .

1.                  Në parim, më të mirët janë ata që kanë shpenzuar para Marrëveshjes së Hudejbisë, që Allahu e quajti fitore, si dhe ata që kanë luftuar janë më të mirë e më të parapëlqyer kundrejt atyre që kanë shpenzuar dhe kanë luftuar pas saj. Argumenti për parapëlqimin e tyre është fjala e Allahut të Lartësuar:

﴿لَا يَسْتَوِي مِنكُم مَّنْ أَنفَقَ مِن قَبْلِ الْفَتْحِ وَقَاتَلَ أُوْلَئِكَ أَعْظَمُ دَرَجَةً مِّنَ الَّذِينَ أَنفَقُوا مِن بَعْدُ وَقَاتَلُوا وَكُلًّا وَعَدَ اللَّهُ الْحُسْنَى وَاللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرٌ﴾

“Nuk janë të barabartë ata që kanë shpenzuar dhe kanë luftuar para fitores me ata që kanë shpenzuar dhe kanë luftuar më pas. Ata kanë shkallë më të lartë, mirëpo Allahu u premton të gjithëve më të mirën (Xhenetin). Allahu e di mirë atë që bëni ju.” (Hadid, 10) Ata janë besimtarët e parë, muhaxhirët[1] dhe ensarët.[2]

2.                  Tekstet e fesë islame, në përgjithësi, u japin përparësi muhaxhirëve kundrejt ensarëve. Prej tyre kemi fjalën e Allahut të Lartësuar:

﴿لَقَد تَّابَ اللَّه عَلَى النَّبِيِّ وَالْمُهَاجِرِينَ وَالأَنصَارِ﴾

“Pa dyshim, Allahu e pranoi pendimin e të Dërguarit, të muhaxhirëve dhe të ensarëve.” (Teube, 117)

Gjithashtu, fjala e Allahut të Lartësuar:

﴿وَالَّذِينَ تَبَوَّؤُوا الدَّارَ وَالإِيمَانَ مِن قَبْلِهِمْ يُحِبُّونَ مَنْ هَاجَرَ إِلَيْهِمْ وَلَا يَجِدُونَ فِي صُدُورِهِمْ حَاجَةً مِّمَّا أُوتُوا وَيُؤْثِرُونَ عَلَى أَنفُسِهِمْ وَلَوْ كَانَ بِهِمْ خَصَاصَةٌ وَمَن يُوقَ شُحَّ نَفْسِهِ فَأُولَئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ﴾

“Ndërsa ata që banojnë në Medinë dhe që e kanë pranuar besimin qysh më parë, i duan mërgimtarët që vijnë në Medinë dhe në zemrat e tyre nuk ndjejnë kurrfarë rëndimi, për atë, që u është dhënë atyre, por duan t’u bëjnë më mirë mërgimtarëve sesa vetes, edhe pse vetë janë nevojtarë. Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues.” (Hashër, 9) Allahu i Lartësuar i lavdëroi që të gjithë, porse i paravendosi muhaxhirët në përmendje kundrejt ensarëve, paravënie kjo që tregon përparësinë e tyre në vlerë dhe në pozitë, Allahu qoftë i kënaqur me ta!, për shkak se ata u veçuan duke lënë vendlindjen, pasurinë, familjen e fëmijët për të emigruar tek Allahu e tek i Dërguari i Tij duke ikur me fenë dhe me qëllim të ndihmojnë Allahun, të Dërguarin e Tij, si dhe duke kërkuar luftën në rrugën e Zotit dhe lartësimin e fjalës së Tij.

 Vlera e atyre që ishin të pranishëm në bedër kundrejt të tjerëve

Muhaxhirët dhe ensarët që morën pjesë në Bedër u veçuan me faktin se Allahu i shikoi ata dhe u tha: “Veproni ç’të doni, se tashmë jua kam falur!” Numri i atyre që morën pjesë në Bedër ishte treqind e ca, siç është shënuar në dy koleksionet e sakta të haditheve dhe në koleksionet e tjera. Shejhul Islami, Allahu e mëshiroftë!, ka thënë: “Kjo, e Allahu e di më së miri, është kësisoj për faktin se Allahu i Lartësuar e ka ditur që ata nuk e braktisin fenë e tyre, madje do të vdesin në fenë islame. E, gabimet që mund t’i bëjnë, siç i bëjnë edhe të tjerët, Allahu i Lartësuar do t’u japë sukses që të pendohen sinqerisht dhe të kërkojnë falje çiltërsisht, si dhe me veprat e mira të tyre që i kanë Allahu do t’ua fshijë ato gabime.”

3.                  Pjesëmarrësit në Luftën e Uhudit, Ahzabit dhe betejave të tjera, në të cilat kishte sprovë, luftë dhe durim, bënë që t’i tejkalojnë ata që nuk morën pjesë në këto beteja, kurse mirësia e Allahut është e madhe.

 Vlera e pjesëmarrësve të besatimit (bej’atu ridvan)

Ajo me të cilën Allahu i veçoi pjesëmarrësit e besatimit (Bej’atu Ridvan), që ndodhi në Hudejbijë, nga muhaxhirët dhe ensarët, është se Allahu qe i kënaqur me ta, dhe se asnjërin pjesëmarrës besëdhënës nën hijen e pemës nuk do ta dënojë me Zjarr. Numri i tyre ishte më tepër se njëmijë e katërqind. Kjo është shprehur qartë në Kuran në fjalën e Allahut të Lartësuar:

﴿لَقَدْ رَضِيَ اللَّهُ عَنِ الْمُؤْمِنِينَ إِذْ يُبَايِعُونَكَ تَحْتَ الشَّجَرَةِ﴾

“Allahu është i kënaqur me ata besimtarë, kur t’u betuan për besnikëri nën hijen e pemës.” (Fet’h, 18) Ndërkaq, në Sahihun e Muslimit, përcjellë nga Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të!, shënohet se Pejgamberi ka thënë: “Nuk do të hyjë në Zjarr asnjëri besëdhënës nën hijen e pemës.”

Ehli Suneti dhe Xhemati besojnë se veçanërisht pjesëmarrësve të Bedrit dhe Besëlidhjes u dëshmohet se janë në Xhenet dhe të shpëtuar nga Zjarri me këtë dëshmi të përgjithshme për sahabët, që i përfshin fjala e Allahut të Lartësuar:

﴿وَكُلًّا وَعَدَ اللَّهُ الْحُسْنَى﴾

“Ai u ka premtuar të gjithëve mirësi.” (Nisa, 95)


 Vlera e dhjetë të përgëzuarve me Xhenet

Ndër vlerat më madhështore me të cilat u veçuan dhjetë të përgëzuarit me Xhenet është veçimi i Pejgamberit duke ua dëshmuar Xhenetin. Ata janë: Ebu Bekri, Omeri, Othmani, Aliu, Talha ibn Ubejdullahu, Zubejr ibn Avami, Sad ibn Ebi Vekasi, Seid ibn Zejdi, Abdurrahman ibn Aufi dhe Ebu Ubejde Amir ibnul Xherrahu.

 Vlera e sahabëve të caktuar, krahas dhjetëshes (të përgëzuar me Xhenet)

Krahas këtyre sahabëve të përgëzuar, Pejgamberi ua ka dëshmuar Xhenetin edhe: Thabit ibn Kajs ibn Shemasit, Ukashe ibn Muhsinit, Abdullah ibn Selamit, Hasanit, Husejnit, nënave të besimtarëve dhe të tjerëve, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë! Dëshmia e të Dërguarit ndaj tyre për Xhenet konsiderohet vlerë me të cilën u veçuan, ndryshe nga të tjerët. Madje, kjo është ndër vlerat më madhështore. Dëshmia për ata të caktuar është ndër argumentet e përgjithshme të mesazhit të të Dërguarit sepse të gjithë ata që Pejgamberi i ka përmendur me emër duke ua dëshmuar Xhenetin vazhduan të jenë të përqendruar në iman (besim), derisa fituan atë që u qe premtuar. Ehli Suneti dhe Xhemati ua dëshmojnë Xhenetin për faktin se Pejgamberi ua ka dëshmuar me përcaktim. Të dëshmosh për dikë Xhenetin ose Xhehenemin është ndër çështjet që nuk mund të ndërhyjë mendja, porse diçka e përcaktuar fetarisht.

Ndërkaq, atyre që Pejgamberi nuk ua ka dëshmuar Xhenetin, nuk u dëshmohet Xheneti, sepse kjo nënkupton hamendësim, shpifje ndaj Allahut të Lartësuar. Kështu, muslimanëve mirëbërës u shpresohet shpërblimi, kurse keqbërësve u druhet dënimi.


Vlera e hulefai rashidinëve (kalifëve të drejtë) dhe renditja e tyre

Ehli Suneti dhe Xhemati pajtohen se katër hulefai rashidinët janë ndër muhaxhirët më të mirë. Ata janë njerëzit më të mirë të umetit, pas Pejgamberit . Ata janë ndihmësit (ministrat) dhe dhëndurët e të Dërguarit . Për secilin prej tyre, nga Pejgamberi, janë përcjellë merita me të cilat u veçuan kundrejt të tjerëve, e që nuk i ka arritur askush. Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë!

Ehli Suneti dhe Xhemati, në përputhje me argumentet shumërrugëshe të përcjella përmes Aliut e të tjerëve, Allahu qoftë i kënaqur me të!, janë të njëzëshëm se njeriu më i mirë i këtij umeti, pas të Dërguarit, është Ebu Bekri, pastaj Omeri. Ndërkaq, nuk janë të një mendimi lidhur me atë se cili është më i mirë: Othmani apo Aliu? Disa prej tyre e kanë favorizuar Othmanin, duke e bërë Aliun të katërtin. Disa e kanë parapëlqyer Aliun, porse ka të tjerë që kanë heshtur. Shejhul Islam Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë!, sa u përket meritave, duket se parapëlqen mendimin e parë, duke i dhënë përparësi Othmanit kundrejt Aliut, për këto arsye:

1.                  Për shkak të fakteve dhe gjurmëve të transmetuara që flasin për meritat e Othmanit, Allahu qoftë i kënaqur me të!

2.                  Pajtueshmëria e sahabëve duke i dhënë përparësi Othmanit me rastin e zgjedhjes së tij si kalif (udhëheqës). Kjo, sipas pikëpamjes së tyre, është për shkak se ai është më i miri. Radhitja e tyre sipas meritave është paralel me radhitjen e tyre në kalifat. Buhariu, Allahu e mëshiroftë!, përcjellë nga Ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me ta!, shënon: “Ne, gjatë kohës së të Dërguarit, parapëlqenim njerëz.” Ndërkaq, sipas motërzimit të Ebu Davudit qëndron: “Ndërsa ne thoshim se më të mirët nga populli i Pejgamberit, pas tij, janë Ebu Bekri, Omeri, pastaj Othmani, i Dërguari i Allahut ende ishte gjallë.”

3.                  Tashmë, në përputhje me mendimin e Ehli Sunetit, u përcaktua çështja duke parapëlqyer Othmanin kundrejt Aliut, ashtu siç i është dhënë përparësi në besëdhënien për kalifat (udhëheqje). Abdurrahman ibn Aufi, Allahu qoftë i kënaqur me të!, ka thënë: “I shikova njerëzit, por nuk pashë dikë që mund të krahasohej me Othmanin.” Disa selefë (të parë) kanë thënë: “Ai që nuk e parapëlqen Othmanin kundrejt Aliut, i ka nënvleftësuar muhaxhirët dhe ensarët. Ky është argument për përparësinë e Othmanit ndaj Aliut, Allahu qoftë i kënaqur me ta!, dhe se ai është më i mirë, ngase sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ta!, e kanë parapëlqyer duke e zgjedhur pas konsultimeve në mes vete. Vetë Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të!, ka qenë njëri ndër besëdhënësit e vet, si dhe zbatonte ndëshkimet në praninë e tij. Pajtueshmëria e tyre duke i dhënë përparësi Othmanit ndaj Aliut, Allahu qoftë i kënaqur me ta!, tregon se ky i fundit është më i miri dhe më meritori për kalifat, pas Othmanit. Aliu, siç është e njohur, ka qenë më i miri në kohën e tij, e falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Përmbledhja e medhhebit të Ehli Sunetit dhe Xhematit, lidhur me parapëlqimin mes sahabëve pas deklarimit për meritat e të gjithëve, është se, sahabiu më i mirë është Ebu Bekër Es Sidiku, pastaj Omer El Faruku, pas tij Othman Dhunurejni, e më pas Ali El Murtedaja, vijuar nga pjesa tjetër e dhjetë të përgëzuarve me Xhenet, pas tyre pjesëmarrësit e Bedrit, më pas pjesëmarrësit në Besëlidhjen (Bejatu Ridvan). Ndërkaq, prej të tjerëve, pjesa tjetër e sahabëve që e ka pranuar Islamin para fitores (Marrëveshjes së Hudejbisë), e pastaj ata që e kanë pranuar Islamin pas fitores, e që kanë luftuar.”


 SË GJASHTI: TË DREJTAT E SAHABËVE NDAJ UMETIT

Të drejtat e sahabëve ndaj umetit, Allahu qoftë i kënaqur me ta!, janë ndër të drejtat dhe obligimet më madhore, ndër to:

Një: Pohimi i asaj që është vërtetuar lidhur me vlerën, me meritat dhe me zemërmirësinë kundrejt armiqësimit, zemërimit ose ushqimit të urrejtjes ndaj ndonjërit prej tyre.

Dy: Dashuria ndaj tyre me zemër dhe lavdërimi me gjuhë për shkak të pranimit të hershëm të Islamit, për shkak të asaj që është vërtetuar lidhur me vlerat e tyre, për shkak të asaj që nxitën në të mirën e në të bukurën, rrjedhimisht umetit t’i ngjallet dashuria ndaj tyre për hir të kësaj.

Tre: Të pranohet prej tyre, të pasohen në dije, në vepër, në thirrje (davet), në urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja. Ata, Allahu qoftë i kënaqur me ta!, janë njerëzit më të ditur rreth synimit të Allahut të Lartësuar me Fjalën e Tij dhe rreth qëllimit të të Dërguarit me Sunetin e tij. Janë njerëzit më të suksesshëm në veprimin në përputhje me Kuranin e Sunetin, këshilluesit më të përsosur të umetit e të njerëzve që qëndrojnë larg epshit e bidatit.

Katër: Kërkimi i mëshirës e faljes për ta, duke zbatuar fjalën e Allahut të Lartësuar:

﴿وَالَّذِينَ جَاؤُوا مِن بَعْدِهِمْ يَقُولُونَ رَبَّنَا اغْفِرْ لَنَا وَلِإِخْوَانِنَا الَّذِينَ سَبَقُونَا بِالإِيمَانِ وَلَا تَجْعَلْ فِي قُلُوبِنَا غِلًّا لِّلَّذِينَ آمَنُوا رَبَّنَا إِنَّكَ رَؤُوفٌ رَّحِيمٌ﴾

“Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “O Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!” (Hashër, 10)

Pesë: Vetëpërmbatjta për të mos u zhytur në mospajtimet që u zhvilluan në mes tyre, si dhe të besuarit se ata kanë bërë ixhtihad (përpjekje për të arritur të vërtetën), rrjedhimisht janë të shpërblyer. Ai që e ka qëlluar të vërtetën, ka dy shpërblime, kurse ai që nuk e ka goditur, ka një shpërblim, gabimi i të cilit është i falur, për shkak të ixhtihadit.

Gjashtë: Të tregohet kujdes ndaj përhapjes së të këqijave që mund t’i atribuohen ndonjërit prej tyre, ngase shumica janë gënjeshtra dhe imagjinatë e ndjekësve të epsheve, ekstremizmit dhe fanatizmit. Diç mund të jetë e dukshme, porse nuk i dihet aspekti, andaj përhapja e saj është ndër motivet e nxirjes së zemrave me urrejtje e shpifje kundrejt tyre, si dhe ndër shkaqet e urrejtjes, përuljes e nënçmimit të tyre, që është mëkat i madh dhe prej shkaqeve më madhore të zemërimit të Njohësit të fshehtësive.

Shtatë: Të besuarit se është e ndaluar sharja e  tyre ose e ndonjërit prej tyre, kurse mallkimi i tyre është ndalesë më e madhe, ngase kjo konsiderohet përgënjeshtrim i Allahut të Lartësuar tek i ka lavdëruar dhe u ka premtuar mirësi. Kjo manifeston edhe sjellje të keqe me Pejgamberin i cili ka ndaluar sharjen e tyre. Kjo, gjithashtu, nënkupton padrejtësinë dhe sulmin ndaj tyre, ndërkohë ata janë eulija (të afërm) të Allahut të Lartësuar, pas të dërguarve dhe pejgamberëve. Sakaq, Allahu i Lartësuar ka thënë:

﴿وَالَّذِينَ يُؤْذُونَ الْمُؤْمِنِينَ وَالْمُؤْمِنَاتِ بِغَيْرِ مَا اكْتَسَبُوا فَقَدِ احْتَمَلُوا بُهْتَانًا وَإِثْمًا مُّبِينًا﴾

“Ata që i lëndojnë besimtarët dhe besimtaret, duke i akuzuar për diçka që nuk e kanë bërë, në të vërtetë, i kanë ngarkuar vetes fajin për shpifje dhe një gjynah të qartë.” (Ahzab, 58) Ndërkaq, në hadith të saktë kudsij Allahu i Lartmadhërishëm thotë: “Atij që tregon armiqësi kundrejt mikut Tim, Unë do t'i shpall luftë…”


 SË SHTATI: DREJTËSIA E SAHABËVE

Allahu i Lartësuar u drejtohet sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta!, me këto fjalë:

﴿كُنتُمْ خَيْرَ أُمَّةٍ أُخْرِجَتْ لِلنَّاسِ﴾

“Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin.” (Ali Imran, 110) Gjithashtu, fjala e Tij:

﴿وَكَذَلِكَ جَعَلْنَاكُمْ أُمَّةً وَسَطًا لِّتَكُونُواْ شُهَدَاء عَلَى النَّاسِ﴾

“Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit.” (Bekare, 143) Ata janë të parët, më të mirët dhe më meritorët që të përfshihen në këtë mesazh. Është konfirmuar hadithi i Pejgamberit se ata: “Janë gjenerata më e mirë e këtij umeti, janë populli më i mirë. Ata janë sa 70 popuj, madje, tek Allahu i Lartësuar, më të mirët dhe më fisnikët ndër ta.”

Argumentet nga Kurani e Suneti që flasin për vlerën e sahabëve, meritat, pozitat, lavdërimin e tyre dhe premtimi që u është dhënë me shpërblim madhor dhe sevap fisnik janë më shumë se ç’mund të numërohen.

Ai që ua shikon jetëshkrimin, që ua mediton gjendjen e tyre siç është përmendur nëpër tekste lidhur me ta, respektivisht thirrjen për tek Allahu, xhihadin në rrugën e Tij, sakrifikimin e vetes dhe më të vlefshmes në rrugën e Allahut për ta lartësuar fjalën e Tij, për ta ndihmuar të Dërguarin e Tij, për ta shfaqur fenë e Tij, imanin e tyre në Allahun, sinqeritetin me Allahun dhe garimin drejt mirësive, drejt dijes së dobishme dhe veprës së mirë, si dhe cilësi të tjera të vyera, e kupton bindshëm se ata janë njerëzit më të mirë, pas pejgamberëve e të dërguarve. Ata janë njerëzit më të mirë të këtij umeti në dije, në mendje dhe në fe. Ata ishin në udhëzimin e drejtë, me veçoritë e me meritat e të cilëve nuk ka pasur, nuk ka e as që do të ketë në të ardhmen. Prandaj, Ehli Suneti dhe Xhemati pajtohen se sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ta!, që të gjithë janë të drejtë e të besueshëm, nuk hulumtohet drejtësia e asnjërit prej tyre, për shkak se janë përcjellë tekste nga Kurani e Suneti tek lavdërohen ata, duke u cilësuar me mirësi, me mesataren, me sinqeritet, si dhe me tipare e merita të tjera. Ndaj, kjo dije e sigurt, e padiskutueshme dhe e vërtetuar nuk lihet pas dore për ndonjë çështje të dyshimtë, aq më pak për gënjeshtër të prerë, imagjinuar nga ndjekësit e epshit, injorantët dhe armiqtë e Islamit, të ngjashëm me ta.

Të gjitha qortimet dhe kritikat e përcjella në lidhje me ta:

1.                  Ose janë gënjeshtër e qartë dhe e kulluar.

2.                  Ose është devijim, të cilit i është futur ndonjë shtesë ose mangësi, që e nxjerr si qortim dhe shpifje.

E sakta dhe e drejta nënkupton se ajo është çështje e ixhtihadit, që, nëse muxhtehidi e qëllon, i takojnë dy shpërblime; e, nëse gabon, ka një shpërblim, gabimi i të cilit është i falur.

Ajo që ka ndodhur nga ata, Allahu qoftë i kënaqur me ta!, po qe se vërtetohet, atëherë është ixhtihad, për të cilin janë të arsyetuar dhe të shpërblyer në të dy rastet. Për këtë arsye, ata ithtarë të së vërtetës, pajtueshmëria e të cilëve merret në konsideratë, kanë rënë në ujdi për pranimin e dëshmisë, transmetimet, si dhe vërtetësinë e drejtësisë së tyre. Duhet lavdëruar që të gjithë, si dhe ndalohet nënçmimi i tyre. Duhet besuar se ata janë njerëzit më të mirë, pas Pejgamberit, sa-lallahu alejhi ue selem. Ebu Zurate, Allahu e mëshiroftë!, ka thënë: “Nëse sheh dikë që ul vlerën e ndonjë sahabiu të të Dërguarit të Allahut dije se është zindik (heretik).” Kjo, ngase Kurani është i vërtetë, i Dërguari është i vërtetë, ajo me të cilën kanë ardhur është e vërtetë, e të gjitha këto lajme janë përcjellë prej sahabëve. Prandaj, ai që i shan e i hedh poshtë me këtë synon mohimin e Kuranit dhe Sunetit.


 Llojet e sharjes së sahabëve dhe gjykimi për secilin lloj

Të sharët e sahabëve është disa llojesh:

I pari: Të sharët e ndonjë sahabiu të caktuar, të cilin Kurani e ka lavdëruar, ose për vlerën e të cilit janë përcjellë një sërë hadithesh autentike e shumërrugëshe (tevatur), ose është i veçantë për Pejgamberin sikurse Ebu Bekri, Omeri, Aishja dhe pjesa tjetër e nënave të besimtarëve, Allahu qoftë i kënaqur me to! Kjo sharje konsiderohet kufër (mohim) dhe përgënjeshtrim, që rezulton me dalje prej Islamit dhe herezi të sharësit, rrjedhimisht, nëse kjo i qartësohet dhe këmbëngul në këtë gjë, obligohet mbytja e tij.

I dyti: Të sharët e tyre, shumicën e të cilëve e akuzojnë për kufër ose kinse të gjithë ata janë të shthurur (të degjeneruar), siç deklarojnë shumica e rafidive. Kjo konsiderohet kufër, ngase është përgënjeshtrim i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij, i cili i ka lavdëruar dhe ka qenë i kënaqur me ta. Madje, ai që dyshon në kufrin e kësaj, kufri i tij është i domosdoshëm, ngase përmbajtja e kësaj thënieje nënkupton se bartësit e Kuranit dhe të Sunetit janë mohues (qafirë) ose të shthurur e të degjeneruar.

I treti: Të sharët e tyre duke i mallkuar e duke i fyer. Për kufrin e këtij dijetarët ndajnë dy mendime. Edhe në rastin sipas të cilit nuk bën kufër, sharësi medoemos duhet edukuar ose do burgosur, derisa të vdesë ose të tërhiqet nga ajo që ka thënë, si dhe ta dëshmojë gënjeshtrën dhe mëkatin e vet.

I katërti: Të sharët e tyre në çështje që nuk u cenohet feja, fjala vjen, u thotë frikacakë, koprracë. Në këtë rast nuk bën kufër, porse qortohet a dënohet që të tërhiqet prej saj, ai dhe të tjerët. Në këtë këtë kuptim shejhul Islami ka përmendur në veprën Es Sarimul Meslul. Ndërkaq, nga imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë!, është përcjellë thënia e tij: “Nuk lejohet t’u përmendet asnjë e metë e as të fyhet me mangësi ndonjëri prej tyre. Ai që vepron kësisoj, edukohet. Nëse pendohet, mirë, përndryshe burgoset derisa të tërhiqet (nga ajo që ka thënë).”


 SË TETI: PËRMBLEDHJE E MEDHHEBIT TË EHLI SUNETIT DHE XHEMATIT LIDHUR ME SAHABËT

a) Dashuria ndaj shokëve të të Dërguarit . Dashuria ndaj tyre është iman (besim), kurse urrejtja ndaj tyre është hipokrizi. Në hadith të saktë të të Dërguarit përcillet të ketë thënë: “Dashuria ndaj ensarëve është shenjë besimi, kurse urrejtja ndaj ensarëve është shenjë hipokrizie.” Përkitazi me ensarët ka thënë: “Ata i do vetëm besimtari, rrjedhimisht, i urren vetëm hipokriti.” Po qe se kjo vleka për ensarët, atëherë muhaxhirët janë më parësorë në dashuri. Ata në tërësi janë më të mirë, për shkak të Islamit të tyre të hershëm, emigrimit bashkë me ndihmën. Në lidhje me dhënien përparësi përmendjes së ensarëve janë transmetuar shumë tekste, që sqarojnë vlerën e të gjithëve, premtimin që ua ka dhënë Allahu për shpërblimin fisnik dhe sevapin madhështor.

b) Zemrat e tyre janë pa sëmundjen e urrejtjes së ndonjërit nga shokët e tij, duke realizuar fjalën e Allahut të Lartësuar:

﴿وَالَّذِينَ جَاؤُوا مِن بَعْدِهِمْ يَقُولُونَ رَبَّنَا اغْفِرْ لَنَا وَلِإِخْوَانِنَا الَّذِينَ سَبَقُونَا بِالإِيمَانِ وَلَا تَجْعَلْ فِي قُلُوبِنَا غِلًّا لِّلَّذِينَ آمَنُوا رَبَّنَا إِنَّكَ رَؤُوفٌ رَّحِيمٌ﴾

“Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “O Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!” (Hashër, 10)

c) Gjuhët e tyre janë të rrudhura kundrejt tyre. Nuk përmendin asnjë shok të të Dërguarit të Allahut vetëm se për të mirë, në shenjë falënderimi dhe dëshmie për meritat e tyre, ngase Pejgamberi ua ka ruajtur dinjitetin. Ai ka thënë: “Mos i shani shokët e mi, se, për Atë, në Dorën e të Cilit është jeta ime, nëse ndonjëri prej jush do të jepte (do të shpenzonte) sasi ari sa kodra e Uhudit, nuk do ta arrinte mirësinë e asnjërit prej tyre, madje as gjysmën.”

Hadithi qartazi tregon ndalimin e sharjes, kurse mallkimi është më i rëndë sesa të sharët. Prandaj, ndalimi i mallkimit është më parësor. Në fakt, të dyja konsiderohen ndër mëkatet e mëdha. Në hadithin autentik të Pejgamberit përcillet të ketë thënë: “Mallkimi i besimtarit është sikurse mbytja e tij.”

Gjithashtu, është konfirmuar se po ai ka thënë: “Kini frikë Allahun në raport me shokët e mi! Mos i shënjoni ata!  Ai që i fyen ata, më ka fyer mua. Ai që më fyen mua, e ka fyer Allahun. E, atë që e fyen Allahun, me gjasë Ai do ta dënojë rëndë.” 

Prandaj, të drejtat e sahabëve ndaj umetit janë ndër të drejtat më madhore. Ata janë të përzgjedhurit e umetit, madje njerëzit më të mirë, pas pejgamberëve dhe të dërguarve. Paqja e Zotit qoftë mbi ta dhe Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata!

ç) Ehli Suneti dhe Xhemati nuk besojnë në pagabueshmërinë e asnjërit prej sahabëve, as të të afërmve,  as të të hershmëve që e pranuan Islamin e as të të tjerëve që e takuan Pejgamberin . Madje, sipas Ehli Sunetit, atyre u mundësohet në tërësi t’i bëjnë mëkatet, të mëdhatë e të voglat, porse Allahu i Lartësuar ua fal ato për shkaqe që ua ka destinuar atyre, ndër to:

1) Me pendim, që përmes tij ua ngrit shkallët.

2) Ua fal ato me të mirat shlyese. Allahu i Lartësuar thotë:

﴿وَالَّذِي جَاءَ بِالصِّدْقِ وَصَدَّقَ بِهِ أُوْلَئِكَ هُمُ الْمُتَّقُونَ ۞ لَهُم مَّا يَشَاؤُونَ عِندَ رَبِّهِمْ ذَلِكَ جَزَاءُ الْمُحْسِنِينَ﴾

“Ata, që e shpallin të Vërtetën dhe që i besojnë asaj, pikërisht ata janë të përkushtuarit që i frikësohen Zotit. Ata do të kenë çfarë të duan te Zoti i tyre. Ky është shpërblimi për punëmirët.” (Zumer, 33-34) E, ata, Allahu qoftë i kënaqur me ta!, janë që së më shumti i besojnë të Vërtetës dhe i besojnë të Dërguarit . Atyre u takojnë meritat dhe vlerat që obligojnë faljen e asaj që vjen prej tyre, nëse vjen.

3) Madje atyre u falen ato gabime që nuk u falen të tjerëve të ardhur pas tyre. Me thënien e Pejgamberit është vërtetuar se ata janë njerëzit më të mirë, si dhe shpenzimi i tyre sa një zgjatje dore është më e vlefshme sesa dhënia e një sasie ari në përmasat e një kodre të Uhudit nga ana e atyre që i pasojnë.

4) Nëse nga ndonjëri prej tyre është bërë ndonjë gjynah, atëherë ai është penduar për atë mëkat, ngase ata janë njerëzit që më së shumti ia kanë frikën Allahut dhe shpejtojnë drejt pendesës e drejt shkaqeve të faljes duke qëndruar larg këmbënguljes në gjynahe.

5) Gjithashtu, ata kanë meritën e pranimit të Islamit herët, kanë mirësi madhore që ua shlyejnë gjynahet dhe gjëra të tjera me të cilat i veçoi Allahu me gjithë atë që u sprovuan.

6) Ata janë njerëzit që më së tepërmi e meritojnë ndërmjetësimin e Pejgamberit dhe shkaqe të tjera të faljes.

Nëse kjo vleka për mëkatet e qarta, si qëndron puna me ato gjëra për të cilat kanë bërë ixhtihad, që janë shpërblyer për të. Ai që e ka qëlluar, ka dy shpërblime: një shpërblim për ixhtihadin, kurse tjetrin për të qëlluarën. Ndërkaq, nëse ka gabuar, e ka shpërblimin e ixhtihadit, gabimi i të cilit është i falur.

d) Ehli Suneti dhe Xhemati janë të njëzërit se obligohet heshtja për të mos u zhytur në turbullirat e sprovave të shkaktuara mes sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta!, pas vrasjes së Aliut, Allahu qoftë i kënaqur me të!, dhe (obligohet) kërkimfalja e kërkimi i mëshirës për të vrarët e të dyja palëve. Njëri nga gjeneratat e para, kur qe pyetur lidhur me luftën mes sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta!, ishte përgjigjur: “Ato janë gjaqe dhe pjesë të trupit që Allahu na i kurseu duart tona kundrejt tyre. Prandaj, mos t’i njollosim gjuhët tona me to.” Pastaj lexoi fjalën e Allahut të Lartësuar:

﴿تِلْكَ أُمَّةٌ قَدْ خَلَتْ لَهَا مَا كَسَبَتْ وَلَكُم مَّا كَسَبْتُمْ وَلاَ تُسْأَلُونَ عَمَّا كَانُوا يَعْمَلُونَ﴾

“Ata njerëz tashmë kanë kaluar. Ata do të kenë çfarë kanë merituar dhe ju do të keni atë që meritoni e nuk do të pyeteni për veprat e tyre.” (Bekare, 134)

Ndaj, është obligim ruajtja e vlerave të sahabëve, pohimi i përparësisë, përhapja e meritave të tyre, të besuarit se secili prej tyre ka bërë ixhtihad dhe se nuk e kishte për qëllim gabimin. Atij që ia ka qëlluar i takojnë dy shpërblime, kurse atij që ka gabuar i takon një shpërblim, gabimi i të cilit është i falur. Shumica e haditheve të transmetuara lidhur me mangësitë e me të metat e tyre janë të sajuara. Ndër to ka që janë transmetuar me sajime, mangësi ose ndryshime të qëllimit të tij. Ndërkaq, e vërteta e kësaj është se ata janë të arsyetuar, për shkak të mossynimit. Pastaj, ato vepra për të cilat qortohen disa prej tyre janë të pakta krahasuar me meritat e mirësitë e tyre në besimin në Allahun, në të Dërguarin e Tij, emigrimin, ndihmën, luftën në rrugën e Allahut, dijen e dobishme dhe veprën e mirë. Ai që shikon me njohuri e me largpamësi jetëshkrimin e meritat që Allahu ua ka dhënë atyre, do të mësojë bindshëm se ata janë njerëzit më të mirë, pas pejgamberëve dhe të dërguarve. Nuk ka pasur e as nuk do të ketë të ngjashëm me ta. Ata janë të përzgjedhurit e këtij umeti, që është më i miri dhe më fisniku tek Allahu i Lartësuar.


 VËREJTJE:

Tek sqarohen gabimet e sahabëve, aty ku kanë gabuar, Allahu qoftë i kënaqur me ta!, nuk është për qëllim shfaqja e të metave, porse detyra e këshillës ndaj umetit. Dijetarët dhe besimtarët nuk trajtohen si njerëz të pamëkatë e as nuk akuzohen për mëkatim. Fesajuesit dhe të humburit gabimin dhe mëkatin i trajtojnë të pandashëm. Nga ky këndvështrim, sqarohet se Ehli Suneti dhe Xhemati janë mesatarë lidhur me çështjen e sahabëve, në mes atyre që e teprojnë, tek thonë se ata janë të mbrojtur e të pagabueshëm, dhe atyre që i mënjanojnë dhe sillen ftohtë, tek thonë se me gabimin e tyre janë mëkatarë, të padrejtë e tiranë.


 DOBI: LIDHUR ME DËSHMINË E NDONJËRIT ME XHENET OSE XHEHENEM

Ehli Suneti dhe Xhemati, ashtu siç e dëshmon vlerën e sahabëve kundrejt të tjerëve, qoftë si individ apo tërësi, për shkak se çështja e tyre vërtetohet me argumente nga Kurani e Suneti, ata (Ehli Suneti), për ndonjë individ të caktuar me Xhenet ose Xhehenem, dëshmojnë vetëm për atë që Allahu i Lartësuar ose i Dërguari i Tij ka dëshmuar. Të dëshmosh për ndonjërin me Xhenet ose Xhenehem është çështje në të cilën nuk ndërhyn mendja, për faktin se këto janë çështje të gajbit (të fshehta), të përcaktuara me shpallje. Për atë që dëshmon shpallja, dëshmojnë edhe muslimanët. Ndërkak, nuk dëshmohet për atë që nuk dëshmon shpallja. Të dëshmuarit e Pejgamberit për ndonjërin ose kundër ndokujt është njoftim prej Allahut të Lartësuar. I Lartësuari thotë:

﴿وَمَا يَنطِقُ عَنِ الْهَوَى ۞ إِنْ هُوَ إِلَّا وَحْيٌ يُوحَى﴾

“Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij.” (Nexhm, 3-4) Së këndejmi, Ehli Suneti dhe Xhemati për bamirësin musliman shpresojnë shpërblimin, kurse për keqbërësin i druhen ndëshkimit.

Të dëshmuarit për Xhenet a për Xhehenem ndahet në dy lloje:

1.                   I veçantë, që është i ndërlidhur me ndonjë person të caktuar se do të jetë në Xhenet ose në Xhehenem. Këtu përcaktohet vetëm ai të cilin e ka përcaktuar Allahu ose i Dërguari i Tij.

2.                   I përgjithshëm, që është i ndërlidhur me përshkrim, siç dëshmohet për secilin besimtar se do të jetë në Xhenet ose që çdo jobesimtar do të jetë në Xhehenem, si dhe ngjashëm me këto cilësi që ligji islam i ka bërë shkaqe të hyrjes në Xhenet ose në Xhehenem.

Kjo shpalos budallallëkun e rafidive e të ngjashmëve me ta, të cilët e përmbysën çështjen. Ua dëshmuan Xhehenemin atyre që Allahu dhe i Dërguari i Tij ua dëshmuan Xhenetin, bile-bile pretendojnë Xhenetin për të caktuarit që Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk ua dëshmuan për shkak të lajthitjes e natyrës së tyre të keqe. Ata e përgënjeshtruan Allahun dhe të Dërguarin e Tij në raport me ata që i urrejnë, e për ata ndaj të cilëve e teprojnë, flasin pa dije për Allahun e për të Dërguarin e Tij. Kështu, për njerëzit më të mirë të umetit, për shoqëruesit e krijesës më të mirë thonë se janë njerëzit më të këqij. Sa fjalë e rëndë dalë prej gojëve është kjo e tyrja! Ata flasin vetëm gënjeshtra!

Paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin për të dërguarin tonë Muhamed, për familjen dhe për të gjithë shokët e tij!



[1] Muhaxhirët janë muslimanët mekas që emigruan prej Mekës në Medinë gjatë viteve të para të Islamit, për shkak të persekutimit që pësuan nga banorët e Mekës. Sh.p.

[2] Ensarët janë muslimanët medinas që e strehuan dhe e ndihmuan të dërguarin Muhamed dhe muhaxhirët e tjerë të ardhur nga Meka. Sh.p.