Fetva rreth muajit Safer
Kategoritë
Full Description
Fetva të ndryshme rreth muajit Safer
﴿ فتاوى حول شهر صفر ﴾
] Shqip – Albanian – ألباني [
Komisioni i Përhershëm për Fetva – Arabia Saudite
Përktheu: Driton Lekaj
2011 - 1432
﴿ فتاوى حول شهر صفر ﴾
« باللغة الألبانية »
اللجنة الدائمة للبحوث العلمية والإفتاء
ترجمة: دريتون ليكاي
2011 - 1432
Pesimizmi me muajin Safer është prej veprave të periudhës së injorancës[1]
Pyetja: Është e përhapur se muaji Safer është muaj fatkeq dhe shumë njerëz të thjeshtë bëhen pesimistë, gjatë muajit, në shumë çështje, p.sh. në lidhjen e kontratës së martesës. Për më tepër, shumë njerëz besojnë se gjatë tubimit për lidhjen e kontratës martesore nuk lejohet të thyhet ndonjë shkop, të lidhen nyje litarët apo të gërshetohen gishtërinjtë, sepse kjo çon në dështimin e martesës në fjalë dhe mosmarrëveshjet mes bashkëshortëve.
Përderisa kjo çështje prek besimin shpresojmë të na këshilloni dhe ta sqaroni dispozitën fetare për këtë. Allahu ju dhuroftë sukses të gjithëve në atë që Ai e donë dhe është i kënaqur?
Përgjigja: Pesimizmi me muajin Safer është prej karakteristikave të xhahilijetit – periudhës para islamike të injorancës - dhe është vepër e ndaluar. Saferi – ashtu sikur të gjithë muajt e tjerë – nuk sjell të mira apo të këqija por, e mira është prej Allahut të lartësuar ndërsa e keqja ndodh me caktimin e tij, ndërsa është vërtetuar se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) anuloi konceptin e pesimizmit kur tha: “Nuk ka Adva (aludon në ngjitjen e sëmundjes e cila nuk ndodh vetvetiu por, me caktimin e Allahut), as Tijere (oguret, shenjat e këqija), as Hame[2](Bufi – zogu i njohur)[3] e as Safer. (Muaji Safer që sipas bindjeve të arabëve të kohës së injorancës sillte fat të keq)." (Buhariu dhe Muslimi)
Kjo dispozitë vlen edhe për gërshetimin e gishtërinjve, thyerjes së shkopit, e veprime të ngjashme gjatë kontratës së martesës. Besimet e tilla janë të kota dhe të pabaza dhe nuk lejohet që njeriu të ketë bindje të tillë. Allahu iu dhëntë sukses të gjithëve.
Komisioni i Përhershëm për Fetva
Kryetari | Zëvendëskryetari | Anëtarët |
AbdulAziz b. Baz | Abdurr-Rrezak El Afifi | Abdullah b. Gudejjan |
Largimi nga martesa apo synetimi e të ngjashme me to në muajin Safer është një lloj pesimizmi[4]
Pyetja: Kemi dëgjuar se disa njerëz besojnë se askush nuk duhet të martohet apo të bëhet synet në muajin Safer. Shpresojmë të na tregoni qëndrimin e Islamit për këtë çështje, Allahu ju ruajtë?
Përgjigja: Ajo që është përmendur në lidhje me martesën apo synetinë në muajin Safer është një lloj pesimizmi me këtë muaj. Pesimizmi përmes muajve, ditëve, shpendëve dhe kafshëve tjera nuk lejohet, ngase Buhariu dhe Muslimi kanë transmetuar nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) se i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Nuk ka Adva (aludon në ngjitjen e sëmundjes e cila nuk ndodh vetvetiu por, me caktimin e Allahut), as Tijere (oguret, shenjat e këqija), as Hame (Bufi – zogu i njohur) e as Safer. (Muaji Safer që sipas bindjeve të arabëve të kohës së injorancës sillte fat të keq)."
Pesimizmi me muajin Safer është prej Tijeres të ndaluar. Ajo ishte vepër e periudhës së injorancës dhe Islami e ka anuluar atë.
Allahu na dhëntë sukses të gjithëve, dhe lavdërimi e shpëtimi i Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.
Komisioni i Përhershëm për Fetva
Kryetari | Zëvendëskryetari | Anëtarët |
AbdulAziz b. Baz | Abdurr-Rrezak El Afifi | Abdullah b. Gudejjan |
Tevessuli (kërkimi i begatisë) në muajin Safer[5]
Pyetja: Një dua e cila ju shpërndahet disa emigrantëve, që ia kemi bashkëngjitur edhe pyetjes, në të janë disa fjalë ku thuhet: “O Zoti im, me autoritetin e Hasanit dhe të vëllait, gjyshit dhe babait të tij, na mjafto nga e keqja e kësaj dite dhe atë që zbret në të, O Ti që i mjafton të tjerët nga e keqja. “Atyre do t'u mjaftoj Allahu e Ai është që dëgjon dhe sheh", “Na mjafton Allahu sa mbikëqyrës i mirë është Ai" dhe “Nuk ka forcë e as fuqi vetëm se me Allahun, të Lartin dhe të Madhin."
O Zot, ne të lutemi me emrat e Tu të bukur dhe fjalët e Tua të përsosura, të lutemi me shenjtërinë e pejgamberit Tënd dhe zotërisë sonë Muhamedit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të), të na ruash dhe të na shpëtosh nga sprovat e Tua. O Ti që i largon fatkeqësitë, i çliron brengat, dhe e largon pikëllimin, na e largo neve atë që është caktuar për ne në këtë vit prej pikëllimit dhe mërzisë, Ti ke fuqi mbi çdo gjë."
Shpresoj nga shkëlqesia juaj të shikoni dispozitën islame rreth saj?
Përgjigja: Kjo dua është e shpikur - bidat, sepse është përkufizuar me një kohë të caktuar si dhe në të ka tevessul me Hasenin dhe Husejnin, shenjtërinë e të Dërguarit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) dhe autoritetin e tij si dhe me emra me të cilët është emërtuar Allahu por, të cilët nuk janë përmendur në Kuran dhe Synet. Allahu i lartësuar nuk lejohet të emërtohet vetëm se me emrat që e ka emërtuar veten në Librin e Tij apo në fjalët e të Dërguarit të Tij, Muhamedit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të).
Tevessuli (kërkimi i begatisë) përmes individëve apo autoritetit të tyre, gjatë lutjes, është bidat (risi në fe), e çdo bidat është devijim dhe shteg që shpie deri në shirk. Për këtë, duhet të ndalohet shpërndarja e kësaj duaje dhe të shkatërrohen kopjet që e përmbajnë atë, nëse gjinden. Si duket kjo është prej intrigave të fraksionit të devijuar - Shia.
Allahu na dhëntë sukses dhe lavdërimi e shpëtimi i Allahut qofshin mbi pejgamberin tonë, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.
Komisioni i Përhershëm për Fetva
Kryetari | Zëvendëskryetari | Anëtarët |
AbdulAziz b. Baz | AbdulAziz Ali Shejh | Abdullah b. Gudejjan |
Salih El Fevzan | ||
Bekr Ebu Zejd |
Dispozita për namazin nafile të mërkurën e fundit në muajin Safer[6]
Pyetja: Disa dijetarë në vendin tonë pretendojnë se ekziston në fenë Islame një namaz nafile të cilin njeriu e falë të mërkurën e fundit të muajit Safer. Ai – sipas tyre – falet në kohën e namazit të Duhasë, ka katër rekate me një selam. Në çdo rekat të tij lexohet Fatiha dhe sureja El Kevther shtatëmbëdhjetë herë, sureja El Ihlas pesëdhjetë herë dhe dy suret e fundit nga njëherë. Këtë e vepron në çdo rekat e pastaj jep selam, e kur ta përfundon selamin fillon me leximin e ajetit: “All-llahu është mbizotërues i punës së vet, por shumica e njerëzve nuk e dinë (fshehtësinë e çështjeve)." (Jusuf: 21) treqind e gjashtëdhjetë herë, pastaj “Xhevheretul Kemal" (formulë e veçantë sufite) tre herë dhe e përmbyll duke lexuar: “I pastër e i lartë është Zoti yt, Zoti i gjithëfuqishëm nga ajo që ata i përshkruajnë. Çdo e mirë qoftë ndaj të dërguarve. Dhe falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të gjithësisë!" (Es Saf-fat: 180-182)
E veçanta e këtij ajeti është se largon sprovën e cila zbret të mërkurën e fundit të muajit Safer. Ata thonë gjithashtu: Gjatë vitit zbresin treqind e njëzet mijë sprova dhe e tërë kjo ngjan të mërkurën e fundit në muajin e Safer, kështu që kjo ditë është dita më e vështirë gjatë tërë vitit. Andaj, ai që e falë këtë namaz në formën e lartpërmendur, Allahu do ta ruaj me bujarinë e Tij nga të gjitha fatkeqësitë të cilat zbresin atë ditë ndërsa edhe ata që nuk mund ta kryejnë në këtë formë, si fëmijët, përfitojnë nga ky namaz. Ky namaz a është i lejuar apo jo?
Përgjigja me nr: 4
Ky namaz nafile i përmendur në pyetje nuk dimë të ketë bazë në Kuran apo Sunet. Gjithashtu, nuk është vërtetuar se ndokush nga të parët e këtij umeti dhe njerëzit e ditur pas tyre e kanë vepruar këtë namaz nafile, por ai është një bidat i shëmtuar. Është vërtetuar se Pejgamberi (alejhis salatu ues selam) ka thënë: “Ai që vepron ndonjë vepër në kundërshtim me çështjen tonë (fenë), i refuzohet atij" dhe ka thënë: “Ai që shpikë në çështjen tonë (fenë) diçka që nuk është prej saj, i refuzohet atij."
Andaj, kushdo që ia atribuon këtë namaz Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) apo ndonjërit prej Sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta) ka fabrikuar një shpifje të rëndë dhe atij i takon ndëshkimi të cilin e ka përgatitur Allahu për gënjeshtarët.
Allahu na dhëntë sukses të gjithëve, dhe lavdërimi e shpëtimi i Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.
Komisioni i Përhershëm për Fetva
Kryetari | Zëvendëskryetari | Anëtarët |
AbdulAziz b. Baz | Abdurr-Rrezak El Afifi | Abdullah b. Kuud |
Abdullah b. Gudejjan |
[1] Komisioni i Përhershëm për Fetva: 28/ 357, fetvaja me nr:
[2] Arabët e kohës së injorancës kishin dy komente për këtë:
- Kur vritej ndokush eshtrat e tij shndërroheshin në buf dhe fluturonte dhe vajtonte gjersa kryhej hakmarrja për të. E disa të tjerë mendonin se ky është shpirti i tij
- Komenti i dytë: ata mendonin se Hame është Bufi – Zogu i njohur i cili kur ndalej mbi çatinë e dikujt dhe vajtonte kjo ndjellte te ta ndjenjën se dikush në atë shtëpi do të vdiste.
[3] Zool. Shpend grabitqar i natës, me kokë të madhe e të rrumbullakët, me sy të mëdhenj në ballë, me sqep të shkurtër e të kthyer, që rron ndër pyje e në gërmadha dhe që këndon natën sikur vajton.
[4] Komisioni i Përhershëm për Fetva: 1/658, fetvaja me nr: 10 775.
[5] Komisioni i përhershëm për Fetva: 1/ 187, fetvaja me nr: 20316.
[6] Fetvatë e Komisionit të Përhershëm për Fetva: 2/497 fetvaja me nr: 1619.