×
Ky artikull në fakt është broshurë e përgatitur nga shtëpia botuese Dar El Vatan dhe flet rreth vlerave dhe dobive të ditës së Arafatit duke vazhduar më pas sqarimin e gjendjes së gjeneratave të para të arta – selefit në këtë ditë.

    Dita e Arafatit

    ﴿ فضل يوم عرفة وحال السلف فيه ﴾

    ] Shqip – Albanian – ألباني [

    Dar El Vatan

    Përktheu: Bekir Halimi

    Redaktoi: Redaksia e albislam.com

    2010 - 1431

    ﴿ فضل يوم عرفة وحال السلف فيه ﴾

    « باللغة الألبانية »

    دار الوطن

    ترجمة: بكر حليمي

    مراجعة: هيئة تحرير موقع "ألب إسلام"

    2010 - 1431

    Dita e Arafatit

    E falënderojmë Allahun, kurse paqja dhe bekimi qofshin mbi Muhamedin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Dita e Arafatit është prej ditëve me vlerë, në këtë ditë pranohen lutjet, shlyhen mëkatet, All-llahu me njerëzit që gjinden në Arafat u krenohet melekëve. Këtë ditë e ka madhëruar Allahu dhe e ka ngritur mbi ditët tjera. Në këtë ditë All-llahu e ka plotësuar fenë dhe dhuntinë e Tij. Në këtë ditë falen mëkatet dhe shpëtojnë njerëzit nga zjarri i xhehenemit. Pasi që kjo ditë është e tillë, atëherë meriton që t’i njohësh vlerat e saj, veçoritë si dhe çka ka vepruar Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, gjatë kësaj dite. E lusim Allahun të na shpëton nga zjarri në këtë ditë madhështore.

    Vlerat e kësaj dite

    1- Në këtë ditë është plotësuar dhuntia dhe është përsosur feja.

    Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Omeri, radijall-llahu anhu, se një çifut i ka thënë atij: “O emir i besimtarëve! Një ajet që gjendet në Librin tuaj dhe e lexoni, po të na kishte zbritur neve, atë ditë do ta konsideronim festë. I tha: cili ajet? Tha:

    [الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمْ الْإِسْلَامَ دِينًا]

    “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe”. (El-Maide: 3)

    Omeri, radijall-llahu anhu, tha: ne e dimë ditën dhe vendin në të cilin i ka zbritur ky ajet Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem; i ka zbritur ditën e xhuma, duke qëndruar në Arafat.

    2- Kjo ditë është festë për njerëzit që qëndrojnë në Arafat.

    Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, tha: “Dita e Arafatit dhe ditët e teshrikut, janë festa jonë, festa e muslimanëve, janë ditë të ngrënies dhe pirjes”.[1]

    Omeri, radijall-llahu anhu, ka thënë: “Ajeti “Sot përsosa për ju fenë tuaj,…”, ka zbritur ditën e xhuma, në Arafat, kurse që të dy ditët janë festë për ne”.

    3- Për këtë ditë është betuar All-llahu.

    Allahu i Madhërishëm nuk betohet për gjëra pa vlerë, por betohet me gjëra të mëdha. Kjo ditë, është “dita e dëshmuar” në ajetin:

    [وَشَاهِدٍ وَمَشْهُودٍ]

    “Pasha atë që dëshmon dhe të dëshmuarën!”. (El-Buruxh: 3)

    Ebu Hurejre, radijall-llahu anhu, transmeton se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Dita e premtuar është Kiameti, kurse dita e dëshmuar është Arafati, kurse dita dëshmuese është dita e xhuma…”.[2]

    Dhe kjo ditë është dita “tek” me të cilën betohet All-llahu në Kur'an:

    [وَالشَّفْعِ وَالْوَتْرِ]

    “Pasha çiftin dhe pasha tekun!”. (El-Fexhr: 3).

    Ibën Abbas, radijall-llahu anhu, thotë: “Dita çift është dita e kurban bajramit (10 Dhulhixhe), kurse dita tek është dita e Arafatit (9 Dhulhixhe).” Të këtij mendimi janë edhe Ikrime dhe Dahak.

    4- Agjërimi i kësaj dite i shlyen mëkatet e dy viteve.

    Ebu Katadeja, radijall-llahu anhu, tregon se e kanë pyetur Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, mbi agjërimin e ditës së Arafatit, kurse ai është përgjigjur: “I shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe atij që vjen”. (Muslimi)

    Agjërimi i kësaj dite është i pëlqyeshëm për atë njeri që nuk është në haxhxh, ngase Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, nuk ka agjëruar gjatë qëndrimit të vet në Arafat, bile ka edhe transmetime se ka ndaluar agjërimin në Arafat.

    5- Në këtë ditë Allahu ka marrë besën nga bijtë e Ademit.

    Ibën Abbas, radijall-llahu anhu, thotë se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Allahu ka marrë besën nga bijtë e Ademit në Arafat, i ka nxjerrë nga kurrizi i tij të gjitha krijesat, i ka përhapur para Vetes si grimca, pastaj u ka folur:

    [وَإِذْ أَخَذَ رَبُّكَ مِنْ بَنِي آدَمَ مِنْ ظُهُورِهِمْ ذُرِّيَّتَهُمْ وَأَشْهَدَهُمْ عَلَى أَنفُسِهِمْ أَلَسْتُ بِرَبِّكُمْ قَالُوا بَلَى شَهِدْنَا أَنْ تَقُولُوا يَوْمَ الْقِيَامَةِ إِنَّا كُنَّا عَنْ هَذَا غَافِلِينَ Ä أَوْ تَقُولُوا إِنَّمَا أَشْرَكَ آبَاؤُنَا مِنْ قَبْلُ وَكُنَّا ذُرِّيَّةً مِنْ بَعْدِهِمْ أَفَتُهْلِكُنَا بِمَا فَعَلَ الْمُبْطِلُونَ.]

    “Përkujto kur Zoti Yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmues të vetes së tyre (duke u thënë): “A nuk jam Zoti juaj?” Ata thanë: “Po, dëshmuam!” Të mos thoni në ditën e kiametit: “Ne nga ky (dëshmim) ishim të panjohur. Ose të mos thoni: “Prindërit tanë më parë ishin idhujtarë, e ne ishim pasardhës të tyre. A do të na shkatërrosh ne për atë që bënë ata asgjësues të së vërtetës?”. (El-A’raf: 172-173).[3]

    Sa ditë madhështore dhe sa besatim madhështor.

    6- Kjo është dita e shlyerjes së mëkateve, lirimit nga zjarri dhe e mburrjes me ata që qëndrojnë në Arafat.

    Transmeton Muslimi nga Aisheja [radijall-llahu anha] se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilën Allahu liron njerëz nga zjarri i xhehenemit ma shumë sesa në ditën e Arafatit. Ai afrohet dhe pastaj mburret me ata melekëve, duke thënë: çka dëshirojnë këta njerëz?”. Kurse Ibën Omeri, radijall-llahu anhuma, thotë se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Allahu mburret para melekëve ditën e Arafatit me ata që qëndrojnë në Arafat dhe thotë: shikoni robërit e Mi, Më kanë ardhur të rraskapitur dhe të pluhurosur”.[4]

    Haxhiu duhet tu jep rëndësi disa veprave, të cilat japin të shpresosh lirimin nga Zjarri dhe faljen, prej tyre janë edhe:

    - T’i mbrosh gjymtyrët nga harami në këtë ditë. Ibën Abbasi, radijall-llahu anhu, thotë: Fadl ibën Abbasi ishte i hypur pas Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ditën e Arafatit, kurse ky djalosh i shikonte gratë, e Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ia kthente fytyrën në anë tjetër, mirëpo ai sërish bënte të njejtën. Atëherë Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i tha: “Djali i vëllait tim, në këtë ditë kush e sundon dëgjimin, shikimin dhe gjuhën e tij, i falen mëkatet”. [5]

    - Në këtë ditë duhet bërë sa ma shumë tehlil (La ilahe il-lall-llah), tesbih (Subhanall-llah) dhe tekbir (All-llahu ekber). Ibn Omeri [radijall-llahu anhuma] thotë: “Ishim me Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në mëngjesin e ditës së Arafatit, disa prej nesh bënin tehlil e disa prej nesh bënin tekbir…”. (Muslimi)

    - Duhet shtuar lutjet për falje dhe lirim nga zjarri i xhehenemit, sepse shpresohet që në këtë ditë të pranohet lutja. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë: “Lutja ma e mirë është lutja e Arafatit, kurse fjala ma e mirë që e kam thënë unë dhe Pejgamberët para meje: La ilahe il-lall-llahu vahdehu la sherike lehu, lehul-mulku ve lehul-hamdu ve huve ala kul-li shejin kadir”.[6]

    Për këtë, muslimani duhet veçuar kohë për dhikr, lutje dhe istigfar gjatë kësaj dite madhështore, le të lutet për vetveten, për prindërit, për familjen dhe për mbarë muslimanët. Mos ti kalon kufijtë dhe mos të mendon se është duke iu vonuar përgjigjja, dhe le të insiston në lutje. Lum ai që lutet në këtë ditë të Arafatit.

    - Haxhiu duhet kujdesur prej mëkateve të cilat pengojnë faljen e mëkateve në këtë ditë, siç është insistimi në mëkate të mëdha, qoftë ai mashtrim, gënjeshtër, bartje të fjalëve, përgojim, apo tjetër mëkat. Si mund të lakmosh faljen e mëkateve dhe lirimin nga zjarri, kur insiston në mëkate dhe qëndron para Allahut i zhytur në mëkate!?

    - Prej rregullave të lutjes në këtë ditë është: të drejtohet nga kibleja, t’i ngritë duart, të mposhtet para Allahut, të pranon mangësinë e vet dhe të jetë i vendosur në pendim të sinqertë.

    Gjendja e selefit gjatë qëndrimit në Arafat ishte e llojllojshme:

    - Disa prej tyre i kaplonte frika ose turpi. Mutarrif b. Abdil-lah dhe Bekr El Muzeni qëndronin në Arafat, e njëri prej tyre tha: “O Allahu im, mos i kthe duarbosh njerëzit që gjinden në Arafat për shkaku meje”, kurse tjetri tha: “Sa vend i ndershëm është Arafati dhe vend ku përgjigjen lutjet, po mos të isha unë në mesin e tyre!”

    - Kurse disa të tjerë shpresa; Abdullah b. Mubarek thotë: Shkova te Sufjan Theuri në ditën e Arafatit, ishte i ulur në gjunjë, kurse sytë i lotonin dhe u kthye nga unë, e unë i thash: kush është më i keqi në këtë grumbull të njerëzve? Tha: ai që mendon se Allahu nuk ia falë.

    Robi duhet të jetë mes dy gjendjeve ..

    Vëlla i nderuar, pasi që cekëm gjendjen e selefit gjatë kësaj dite, dije se ti duhet të jesh mes frikës së vërtetë dhe shpresës të lavdëruar.

    - Frikë e vërtetë është ajo që e largon njeriun prej mëkateve, e po u shtua kjo frikë e fut njeriun në dëshpërim dhe humbje të shpresës.

    - Shpresë e lavdëruar është shpresa e robit i cili i ka kryer obligimet, me nur dhe hidajet nga Allahu. Ky njeri shpreson shpërblimin e Allahut. Ose njeriu që ka bërë mëkat, por është penduar dhe ka lënë atë mëkat. Ky njeri shpreson faljen dhe mëshirën. All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

    [إِنَّ الَّذِينَ آمَنُوا وَالَّذِينَ هَاجَرُوا وَجَاهَدُوا فِي سَبِيلِ اللَّهِ أُوْلَئِكَ يَرْجُونَ رَحْمَةَ اللَّهِ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ]

    “Ata të cilët besuan, ata që u shpërngulën dhe luftuan në rrugën e All-llahut, ata meritojnë të shpresojnë në mëshirën e Tij. All-llahu falë shumë dhe është mëshirues”. (El-Bekare: 218)

    I nderuar, në këtë vend madhështor dhe në këtë ditë të bekuar duhet të bashkosh mes frikës dhe shpresës, të frikohesh nga dënimi i Allahut dhe të shpresosh faljen e shpërblimin e Tij.

    Qoftë për hajr qëndrimi në këtë vend, atij që i ka mundësuar All-llahu të qëndron pranë njerëzve që i luten Allahut me zemër të përvëluar dhe lot të pandërprerë. Sa njeri është aty e nuk e lë rehat frika dhe trishtimi. I dashuruar, të cilin e djeg dhe ia nxjerr flakën mallëngjimi. Sa njeri shpreson dhe ka mendim të mirë për Allahun dhe premtimin e Tij! Sa njeri është penduar sinqerisht dhe hakikat. Sa njeri është duke kërkuar strehim te All-llahu dhe për këtë vazhdimisht troket në derën e Tij. Sa njeri e meriton zjarrin, kurse All-llahu e ka shpëtuar dhe e ka liruar nga zjarri. Sa njeri është peng i mëkateve të veta, kurse Allahu e ka liruar prej tyre. Në atë moment i shikon Mëshiruesi më i madh dhe me ta mburret para banorëve të qiellit, afrohet dhe thotë: çka dëshirojnë këta njerëz? Pasi që kanë arritur do ta ndërpresim ndaj tyre privimin dhe në fund të kërkesave të tyre do tu jep, i Mëshirshmi.

    Allahu na mundësoftë që sa më mirë të shfrytëzojmë qëndrimin tonë në Arafat e të bëhemi prej të mëshiruarve dhe të liruarve nga zjarri i xhehenemit. Amin

    [1] Hadithi është sahih, tra. Nesaiu, Tirmidhiu, etj.

    [2] Hadithi është hasen, tra. Tirmidhiu.

    [3] Hadithi është sahih, tra. Ahmedi

    [4] Hadithi është sahih, transmeton Ahmedi.

    [5] Hadithi është sahih, transmeton Ahmedi.

    [6] Hadithi është hasen, transmeton Tirmidhiu.