×
Porosia e fundit e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ishte për namazin dhe kjo mjafton për të treguar rëndësinë që ka namazi në jetën e besimtarit. Mirëpo, namazi nuk merr kuptimin e tij të duhur gjersa të mos realizohet përulja e plotë në të. E përmes këtij artikullit autori përmend botëkuptimin e përuljes në namaz dhe sjell një mori shkaqesh që ndihmojnë në realizimin e saj.

    Përulja në namaz

    ﴿ الخشوع في الصلاة ﴾

    ] Shqip – Albanian – ألباني [

    Abdul Kajjum Es Suhejbani

    Përktheu : Driton Lekaj

    Rishikoi: Redaksia e klubikulturor.com

    2010 - 1431

    ﴿ الخشوع في الصلاة ﴾

    « باللغة الألبانية »

    عبد القيوم السحيباني

    ترجمة: دريتون ليكاي

    مراجعة: هيئة تحرير موقع "النادي الثقافي"

    2010 - 1431

    Përulja në namaz

    Falënderimi i takon Allahut që e bëri namazin shtyllë të fesë. Allahu thotë: “Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz! Vërtet, ajo është e madhe (vështirë), por jo edhe për ata që kanë frikë (Zotin). Të cilët janë të bindur se do të takojnë Zotin e vet dhe se ata do t'i kthehen Atij." (Bekare, 45-46) Paqja e mëshira qofshin mbi Pejgamberin që me porosinë e tij e fundit, para se të dilte nga kjo botë, nxiste umetin e tij për kryerjen e namazit, për shkak të rëndësisë që ka në fe, si dhe përshëndetjet më të mira e të larta qofshin për familjen dhe shokët e tij.

    Përulja, rëndësia dhe ndikimi i saj

    Dukuritë të cilat shfaqen te shumë njerëz si: ngurtësia e zemrës, zbrazëtia shpirtërore, privimi nga meditimi, dolën në sheh për shkak të materializmit, i cili ka mbizotëruar zemrat tona, sa që ka filluar të marrë pjesë edhe në adhurimet tona dhe zemrat nuk mund të kthehen në gjendjen e tyre të shëndoshë dhe të pastrohen nga çdo papastërti që iu është veshur. Udhëheqësi i muslimanëve, Uthman ibn Afan (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregoi pikën e dobët që e ka kjo dukuri e shfaqur, kur tha: “ Po të ishin të pastra zemrat e tuaja, nuk do të ngopeshin së lexuari Librin e Allahut."

    Ibn Kajimi, përuljen e vërtetë e emërton me fjalët: “përulja e besimit" dhe e përkufizon atë si: “Përulja e zemrës ndaj Allahut në shenjë madhërimi, madhështie, respekti, dinjiteti, turpi, ashtu që zemra përulet me një përulje të mishëruar me drojë, frikë, dashuri dhe turp, pohim i dhuntive të Allahut dhe në të njëjtën kohë pohim i gabimeve të saj. Kur zemra përulet kësisoj, padyshim e pason përulja e gjymtyrëve."

    Për rëndësinë e përuljes në namaz tregon edhe ajo se përulja në të është shkaku kryesor për pranimin e namazit e që namazi është shtylla më e rëndësishme pas shehadetit. Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “ Njeriu largohet nga namazi i tij, por nuk i është shkruar atij vetëm se gjysma e tij, apo një e treta, apo një e katërta, apo një e pesta, apo një e gjashta, apo një e shtata, apo një e teta, apo një e nënta, apo një e dhjeta.(aq sa ka qenë në të i përulur)" (Transmetojnë: Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxheh)

    Gjithashtu, përulja e bën kryerjen e namazit më të lehtë dhe të dashur te shpirti. Shejh Abdurrahman Sadi, gjatë komentit të fjalës së Allahut: “Vërtet, ajo është e madhe (vështirë), por jo edhe për ata që kanë frikë (Zotin)". (Bekare, 45) thotë: “D.m.th: për ta është e lehtë, pasi përulja, droja nga Allahu dhe shpresa në atë që është tek Ai, obligojnë kryerjen e tij me gjoks të hapur për atë se ai e pret shpërblimin dhe i frikësohet ndëshkimit."

    Duke ia shtuar kësaj atë që përulja është dija e vërtetë, Ibn Rexhebi gjatë komentit të hadithit të Ebu Derdasë për vlerën e kërkimit të diturisë thotë: “Është transmetuar nga Ubade bin Samit, Auf bin Malik dhe Hudhejfja (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) të kenë thënë: “Dija e parë që do të ngrihet prej njerëzve është përulja, derisa nuk do të shihet njeri i përulur."

    Pastaj, përmendi hadithe të tjera me këtë kuptim dhe tha: “Në këto hadithe tregohet se dija largohet me largimin e veprave dhe se sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) e komentuan këtë me largimin e dijes së brendshme nga zemra që është përulja (recensenti i librit përmend hadithe të tjera me të cilat përforcohet).

    Pra, namazi është lidhje mes Zotit dhe robit të Tij, ku njeriu pushon në të nga obligimet e jetës, i drejtohet me tërë qenien Zotit të tij, nga ai merr ndihmën dhe udhëzimin e suksesin, kërkon nga ai ta përforcojë në rrugën e drejtë. Mirëpo, njerëzit dallojnë në namaz, disave namazi ua shton afrimin e tyre drejt Allahut e te disa namazi nuk ndikon deri në këtë masë.

    Ai e kryen namazin duke plotësuar lëvizjet, leximin, përmendjen e Allahut dhe madhërimin e Tij, por pa ndjenja të plota për atë që bën dhe pa vëmendje për atë që thotë. Namazin të cilin e dëshiron Islami nuk është thjesht fjalë që shpreh gjuha dhe as lëvizje që i kryejnë gjymtyrët, pa medituar me mendjen dhe pa përulje të zemrës.

    Nga Ebu Hurejre transmetohet se Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ditën e Gjykimit, së pari, do të llogaritet robi prej veprave të tij për namazin e tij. Nëse është në rregull vetëm se ka shpëtuar dhe fituar. E nëse nuk është në rregull vetëm se ka humbur dhe dështuar. E nëse nga namazet obligative i mungon gjë, thotë Allahu i Lartësuar: “Shikoni nëse ka robi im ndonjë namaz vullnetar që t'ia plotësoj atë mangësinë tek namazet obligative. Pastaj, tërë veprat e tij do të trajtohen kësisoj."

    Përderisa, shumë njerëz vuajnë nga përulja e pakët në namaz, e pamë të arsyeshme t'i hulumtojmë disa shkaqe, të cilat na kthejnë në namazin e vërtetë, i cili na e përforcon lidhjen me Zotin tonë të Lartësuar e që do të ishte namazi i zemrës dhe gjymtyrëve, si dhe nënshtrimi i tyre ndaj Allahut të Lartësuar. Allahu i ka lavdëruar ata besimtarë që i kanë këto cilësi me fjalët: “Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët. Ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit." dhe thotë: “Fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat."

    E pyesim veten tonë pse pasi ta kryejmë namazin shumë prej neve veprojnë punë të shëmtuara? E sa dallim i madh është mes kësaj gjendjeje dhe gjurmës që e len namazi i atyre të përulurve e të penduarve. E që ndonjëri prej tyre del nga namazi i tij e në veten e tij e ndjen se çdo namaz pastron zemrën e tij nga papastërtitë dhe e afron tek Allahu i Lartësuar.

    Shkaqet që e sjellin përuljen në namaz

    Pa dyshim që ekziston një mangësi dhe zbrazëti gjatë kryerjes së namazit dhe duhen plotësuar shkaqet që sjellin përuljen. E ndoshta, në këtë shpejtësi do t'i përmendim disa shkaqe që ndihmojnë të arrihet përulja në namaz me lejen e Allahut.

    1. Besimi i vërtetë dhe bindja e prerë rreth vlerës së madhe që e ka përulja në këtë botë dhe në tjetrën. Gjithashtu, ndjenja e qetësisë, mirëqenies, rehatisë që është e pashembullt dhe shpirtbardhësi që tejkalon çdo përshkrim. Allahu thotë: “Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët. Ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit." (Muminun, 1-2)

    Uthman bin Afani transmseton se Pejgamberi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk ka një musliman që e arrin një namaz obligativ dhe ai përsosë abdestin, përuljen dhe rukun në të, e që të mos jetë shpagim i mëkateve të mëparshme çdoherë, përderisa nuk bën mëkate të mëdha." (Muslimi)

    Ndërsa, ajetet dhe hadithet që flasin për vlerën e përuljes janë të shumta.

    2. Leximi i shpeshtë i Kuranit, dhikri, kërkimi i faljes dhe të mos biseduarit shpesh pa u përmendur Allahu, siç ka ardhur në hadith: “Mos flisni shumë pa e përmendur Allahun, ngase biseda e tepërt pa e përmendur Allahun e ngurtëson zemrën dhe njeriu më i largët prej Allahut është ai që ka zemër të ngurtë." (Tirmidhiu)

    Leximi i Kuranit dhe meditimi në të është nga shkaqet kryesore që e zbut zemrën. Allahu thotë: “Allahu e shpalli të folurën më të mirë, librin, të ngjashëm në mrekulli, të përsëritur herë pas herë (me këshilla e dispozita), që prej (dëgjimit të) tij rrënqethen lëkurat dhe zemrat e tyre…" (Zumer, 23) Ndërsa leximi dhe dhikri janë mburojë nga shejtani dhe cytjet e tij dhe janë qetësim i zemrës, i cili ju mungon shumicës së njerëzve. Allahu thotë: “Ata që besuan me të përmendur Allahun, zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur Allahun zemrat stabilizohen." (Rrad, 28) Përmendja e shpeshtë e Allahut është një nga shkaqet e shpëtimit. Allahu thotë: “Por edhe përmendeni shpeshherë Allahun, ashtu që të gjeni shpëtim." (Xhumua, 10)

    Këtu nuk dëshirojmë të flasim gjerësisht për vlerën e dhikrit por, vetëm dëshiruam të tregojmë se dhikri është prej shkaqeve që sjellin përuljen, e ai që do të dijë për vlerën e dhikrit le t'i kthehet librit të Allahut dhe lutjeve të vërtetuara nga fjalët e Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)

    3. Kujdesi që të luftohet shejtani, duke u bërë i vendosur në luftimin e tij, qysh para se të ngrihet për të falur namazin, e edhe nëse i hyn atij në fillim të namazit nuk i dorëzohet në mesin apo fundin e tij, por duhet që ta luftoje shejtanin deri në momentin e fundit të namazit të tij. Shejtani mundohet t'ia kujtojë këtë e atë, ashtu që mos të jetë i vëmendshëm në namazin e tij. Uthmani transmeton se Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ai shejtan quhet hanzeb, kur ta ndjesh atë atëherë kërko strehim tek Allahu prej tij dhe pështy në të majtën tënde tri herë." (Muslimi) Transmetuesi i hadithit thotë: “E kam vepruar këtë dhe Allahu i lartësuar e largoi atë nga unë."

    D.m.th. duhet që namazliu vazhdimisht ta luftojë atë dhe të mos pushojë e të angazhohet maksimalisht. Nëse nuk përulet në këtë namaz atëherë, le të vendos të jetë i përulur në namazin tjetër. Nëse në këtë namaz ka mangësi në përuljen e tij, atëherë le ta plotësojë në atë që pason. Dhe mos të mërzitet nga kjo betejë e gjatë dhe le të kërkojë nga Allahu i Lartësuar ta ndihmojë në këtë.

    4. Vetëllogaritja e vazhdueshme e nefsit dhe qortimi i tij për gabimet në besim, fjalë apo vepër. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, kini parasysh frikën ndaj Allahut dhe le të shikojë njeriu se çka ka bërë për nesër, dhe kini frikë Allahun, e s'ka dyshim se Allahu është që e di në detaje atë që punoni!"

    Udhëheqësi i besimtarëve, Omer bin Hatabi thoshte: “Llogariteni veten tuaj para se të jeni llogaritur! Peshoni veten tuaj para se të peshoheni! Zbukurohuni për paraqitjen më të madhe!"

    5. Gjithashtu, të larguarit nga mëkatet, duke e larguar shikimin nga ajo që ndalohet të shikuarit e saj, e kështu edhe ruajtja e gjuhës, dëgjimit dhe tërë gjymtyrëve, si dhe angazhimin e tyre në atë që e veçon nga adhurimi dhe t'i largosh nga harami në leximin e librit të Allahut, sunetit të Pejgamberit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), librave të dobishëm dhe në atë që lejohet shikimi i saj, meditimi në krijesat e Allahut të Lartësuar, të dëgjuarit e fjalëve të mira dhe të diskutuarit për atë që është e mirë.

    S'ka dyshim se mëkatet e ngujojnë robin dhe e kufizojnë nga të kryerit e ibadeteve, ashtu siç duhet. Çdo njeri e di se çfarë mëkate i vepron dhe ai duhet të angazhohet ta përmirësoj gjendjen e tij e përmirësimi është i lidhur me vetëllogaritjen, ashtu që njeriu kur e llogarit veten e tij hulumton në atë se çfarë do ta përmirësoj."

    6. Meditimi dhe angazhimi për kuptimin e asaj që thuhet në namaz dhe duke mos e larguar shikimin nga sexhdeja, e që me këtë të mundohet të ndjejë rëndësinë e këtij qëndrimi. Ibn Kajimi në “Feuaid" thotë" “Robi qëndron para Allahut dy herë, një herë në namaz dhe tjetrën ditë që do ta takon Atë. Ai që e ka kryer siç duhet qëndrimin e parë, i dyti do të jetë i lehtë për të. Allahu thotë: “Dhe falu për hir të Tij në një kohë të natës, pastaj adhuroje Atë edhe natën më gjatë. Vërtet, ata (idhujtarët) e duan shumë këtë jetë dhe e zënë për asgjë ditën e rëndë që i pret."

    Patjetër këtij qëndrimi duhet t'i jepet ajo që meriton prej nënshtrimit, përuljes, modestisë në shenjë madhërimi ndaj Allahut të Lartësuar, duke patur parasysh, ky namaz është namazi i fundit në këtë botë e nëse do të ndjente këtë namzliu në veten e tij, do ta falte namazin me përulje.

    Ebu Ejub Ensariu transmeton se erdhi një njeri te Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: “O Pejgamber i Allahut, më këshillo shkurtimisht! Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha: “Kur të ngrihesh për t'u falur, falu sikur të jetë namazi yt i fundit dhe mos fol ndonjë fjalë që arsyetohesh për të të nesërmen dhe bëhu indiferent nga pasuria e njerëzve." (Ahmedi)

    Shkaqe të tjera që sjellin përuljen në namaz

    v Vullneti

    Çdoherë kur të brengosesh, është obligative të jesh i vëmendshëm për këtë. Ilaçi më i mirë është ta drejtosh vullnetin tënd nga namazi dhe drejtimi i tij forcohet apo dobësohet sa është i fortë besimi në botën tjetër dhe përbuzja e kësaj bote.

    v Realizimi i kënaqësisë

    Është ajo të cilën e ndiejnë robërit e Allahut në namazet e tyre dhe për të cilën është shprehur Ibn Tejmije me fjalët: "Në këtë botë ekziston një xhenet ai që nuk hyn në të nuk do të hyj në xhenetin e botës tjetër."

    Dhe nuk mendohet se një mysliman, i cili ka arritur këtë kënaqësi dhe e ka shijuar, e anashkalon apo është i shkujdesur në kërkimin e saj. Kjo kënaqësi siç thotë Ibn Kajimi forcohet me forcën e dashurisë dhe dobësohet me dobësimin e saj. Për këtë, myslimani duhet të angazhohet në rrugët që e shpijnë drejt Allahut të Lartësuar.

    v Shkuarja herët për në namaz

    Kjo arrihet duke e përgatitur zemrën për qëndrimin para Allahut të Lartësuar. Myslimani duhet që të vijë në namaz herët dhe të lexojë diçka nga Kurani me meditim dhe përulje. Kjo është më afër që të përulet në namazin e tij.

    Pejgamberi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Sikur njerëzit të dinë çfarë vlere ka në thirrjen e ezanit dhe safit të parë e që se arrijnë atë vetëm se me short do të hidhnin short." (Muslimi) Ka dallim mes atij që vjen në namaz nga një tubim i tëri me bisedat e kota dhe të kësaj bote dhe atij që ngrihet ta falë namazin e vetëm e ka përgatitur zemrën për qëndrimin para Allahut të Lartësuar, ngase më parë ka lexuar prej fjalëve të Tij. Padyshim, gjendja e personit të dytë me Allahun është shumë e mirë se sa e atij të parit.

    Të turpërohet nga Allahu që t'i afrohet Atij me një namaz të thatë, të zhveshur nga përulja dhe frika

    Ndjenja e turpit prej Allahut e shtyn myslimanin që ta përsosë adhurimin dhe t'i afrohet Allahut me një namaz me plot përulje që përmban në vete kuptimet e frikës dhe respektit.

    Muslimani duhet të dijë gjendjen e sahabëve dhe selefëve gjatë namazit. Ibn Tejmije ka përmendur se Muslim bin Jesari ka qenë duke u falur ne xhami kur është rrëzuar një pjesë e saj. Njerëzit e tjerë janë larguar ndërsa ai ka qenë duke u falur dhe nuk e ka hetuar."

    Abdullah bin Zubejri ishte në sexhde kur guri i hedhur nga katapulta morri një pjesë të rrobës së tij. Ai vazhdoi namazin e tij dhe nuk e ngriti kokën.

    Amir bin AbdulKajsit i kanë thënë: “A mendon diçka tjetër në namaz?" Ka thënë: “A ka diçka më të dashur tek unë se namazi që të mendoj për të?! Që të më godasin tehet e shigjetave është më mirë për mua se sa të mendoj për diçka tjetër në namaz." Shembujt e këtillë janë të shumtë.

    Këto ishin disa nga shkaqet që të ndihmojnë me lejen e Allahut në përuljen në namaz. E lusim Allahun të na ndihmojë që ta respektojmë ashtu siç është i kënaqur prej neve.

    I pastër është Allahu, Zoti ynë, Zoti i krenarisë nga ajo që i përshkruajnë. Paqja qoftë për të gjithë Pejgamberet , falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve dhe paqja e mëshira qofshin për pejgamberin tonë, Muhamedin.