Pranimi i dhuratave nga jomuslimanet me rastin e festave te tyre
Kategoritë
Burime
Full Description
Pranimi i dhuratave nga jomuslimanët me rastin e festave të tyre
﴿ قبول الهدايا من الكفار أيام أعيادهم ﴾
] Shqip – Albanian – ألباني [
Alaudin Abazi
Rishikoi : Redaksia e klubikulturor.com
2009 - 1431
﴿ قبول الهدايا من الكفار أيام أعيادهم ﴾
« باللغة الألبانية »
علاء الدين عباسي
ترجمة: هيئة موقع النادي الثقافي - klubikulturor.com
2009 - 1431
A është e lejuar të pranojmë ushqime nga të tjerët në rastet e festave joislame?
Pyetja:
Eselamu alejkum ue rahmetullahi ue beraketuhu! Allahu ju shpërbleftë me të mira për përgjigjet! Në përgjigjen rreth pranimit të dhuratës gjatë tetë marsit, keni thënë se kjo është e lejuar për besimtaren përveç mishit të therur. Do të doja të dija, nëse është e lejueshme të pranosh ushqime të tjera të dhuruara prej njerëzve, përveç mishit të therur, në rastet e festave joislame, si p.sh.: (ditëlindjet, krishtlindjet, viti i ri).
Përgjigja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Për shkak të ngritjes së pyetjeve që kanë të bëjnë rreth dhuratave gjatë festave të jo islame do të mundohemi të bëjmë një sqarim duke u nisur në disa pika.
Së pari: Parimisht në Islam është e lejuar që muslimani të pranojë dhuratën nga jobesimtarët dhe kjo me qëllim të përfitimit të tij, afrimit dhe zbutjes së zemrave të tyre. Profeti (salallahu alejhi ue selem) pranonte dhuratat e jobesimtarëve, ashtu siç pranoi dhuratën nga Mukaukisi (perandori i atëhershëm i romakëve) dhe njerëzve të tjerë.
Buhariu në koleksionin e tij të haditheve e emërton një kapitull me titullin: “Kapitulli mbi pranimin e dhuratave nga idhujtarët" dhe në këtë vend përmend disa hadithe që vërtetojnë këtë. Ndër këto hadithe e përmend edhe hadithin kur çifutja e Medines ia dhuron Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) delen e helmuar.
Së dyti: I lejohet edhe muslimanit t'i dhurojë diçka jobesimtarëve, idhujtarë qofshin ose ithtarë të Librit (Ehlu Kitab), me qëllim të afrimit dhe përfitimit, posaçërisht nëse e kemi të afërt ose fqinj. Në “Sahihun" e Buhariut vërtetohet se Umeri (radijallahu anhu) i dhuroi vëllait që ishte idhujtar një rrobe.
Por neve nuk na lejohet ta bëjmë këtë (t'u japim dhurata) në ditën e festave të tyre, pasi që me këtë, neve kemi pranuar festen e tyre dhe u jemi bashkangjitur atyre. Prandaj nëse dëshirojmë t'u dhurojmë jobesimtarëve ndonjë dhuratë, ajo duhet të bëhet në ditët e rëndomta, jo gjatë ditëve që ata i madhërojnë si Krishtlindjet, Viti i Ri, etj. E në qoftë se me këtë rast (gjatë festave të tyre) u dhurojmë diçka me të cilën ata festojnë si: qirinjtë, vezët (që ata i ngjyrosin) ose ushqime që ata të festojnë, atëherë mëkati është edhe më i madh sa që disa nga dijetarët kanë thënë që kjo vepër dërgon edhe në mosbesim (kufër).
Zejleiu (nga dijetarët hanefi) në librin “Tebjinul Hakaik" thekson: “Dhurimi i dhuratave në emër të Nevruzit (festë idhujtarie) ose solemniteteve nuk lejohet".
Thënie të dijetarëve sikurse kjo më lartë, që ndalojnë t'u dhurohen jobesimtarëve gjatë festave dhe kremteve të tyre ka shumë, ashtu siç përmendëm më lartë disa edhe kanë thënë se kjo vepër është edhe kufër.
Gjithashtu edhe muslimanit nuk i lejohet të dhurojë ndonjë dhuratë muslimanit tjetër për shkak të festave jomuslimane, si Viti i Ri, Kërshëndellat, Shën Valentini, etj.
E treta: Pranimi i dhuratës për muslimanin nga jobesimtari në ditën e festave të tyre nuk ka në të ndonjë të keqe dhe kjo nuk llogaritet si pjesëmarrje në festën e tyre, por kjo llogaritet nga mirësia, përfitimi dhe thirrja e tyre në Islam. Allahu i Lartësuar na ka lejuar neve të jemi të mirësjellshëm dhe të drejtë me ata jobesimtarë që nuk i kemi armiq dhe nuk na luftojnë. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja. Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë." Mumtehine, 8.
Ibën Tejmije në librin “Iktidau Sirati Mustekim" e shtjellon këtë çështje dhe e lejon duke sqaruar se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka pranuar një dhuratë që i është dhuruar gjatë ditës së Nevruzit (festë idhujtarie).
Gjithashtu, përmend rastin kur është çliruar Iraku dhe muslimanët ishin të përzierë me idhujtarët dhe një grua e pyet Aishen se kanë të afërm që janë idhujtarë dhe a u lejohet të pranojnë nga ata dhuratat. Ajo thotë se ajo që theret për hir të asaj feste mos e hani, ndërsa nga pemët e tyre hani.
Prandaj në fund mund të bëjmë konkluzionin se lejohet të pranohen dhuratat nga jobesimtarët në ditën e festave të tyre, por dijetarët islam në këtë vendosin këto kushte:
1. Mos të jetë kjo dhuratë nga mishrat që theren për hir të këtyre festave.
2. Dhurata e cila pranohet mos të jetë nga gjërat që bëjnë pjesë në ritet e festave të tyre, siç janë qirinjtë, vezët e ngjyrosura, bredhi i cili stoliset, etj.
3. Nëse kemi fëmijë ose familje, atëherë jemi të obliguar të sqarohet besimi ynë dhe qëndrimi i Islamit ndaj këtyre festave që të mos mbillet në zemrat e tyre dashuria ndaj këtyre festave.
4. Që të bëhet pranimi i dhuratës në emër të mirësjelljes, përfitimit të tyre që të ndikojmë tek ata për të mirë.
Kjo ishte sa i përket kësaj çështjeje, Allahu e di më së miri.