Festa e Bajramit – Gezim per sukseset
Kategoritë
Burime
Full Description
Festa e Bajramit – Gëzim për sukseset
] Shqip – Albanian – ألباني [
Ekrem Avdiu
Rishikoi : Redaksia e fjalaebukur.com
2009 - 1430
﴿ العيد – فرح بالنجاح ﴾
« باللغة الألبانية »
أكرم عبديو
مراجعة: هيئة تحرير موقع الكلم الطيب
2009 - 1430
FESTA E BAJRAMIT - GËZIM PËR SUKSESET
Në natyrën e njeriut ekziston gatishmëria dhe dëshira për të gëzuar dhe festuar. Kjo dëshirë manifestohet në forma dhe mënyra të ndryshme. Sipas logjikës së shëndoshë, më së miri është që njeriu të festojë me arsye dhe do të ishte e padiskutueshme nëse arsyeja do të ishte ndonjë sukses i arritur në jetë. Islami jo rastësisht ka përkufizuar që dy festat e Bajrameve (të vetmet festa gjatë gjithë vitit) të vijnë pas dy sezonesh-kohësh të vlefshme që shquhen për aktivitetet shtesë: Fitër Bajrami vjen pas muajit të ramazanit, ndërsa Kurban Bajrami vjen pas dhjetë ditëve të vlefshme të dhulhixhes.
Kjo renditje dëshmon se myslimani duhet të festojë vetëm atëherë kur kryen me sukses ndonjë ibadet (adhurim) të rëndësisë së veçantë.
Është e drejtë të festohet pas një muaji të kaluar me agjërim dhe me vepra të tjera vullnetare, por duhet vërejtur se madhështinë e Islamit e dëshmon edhe fakti se edhe festat në Islam duhen bërë në atmosferë aktiviteti, adhurimi, bamirësie dhe solidariteti.
Mund të themi se edhe gjatë festës së Bajramit duhet të mbretërojë kjo atmosferë serioziteti, por e përshkuar me një ndjenjë gëzimi, e cila gjithsesi duhet të shprehet dhe të manifestohet në mënyra të përkufizuara fetarisht, si p.sh.: vizitat e ndërsjella dhe ushqimet e pijet që tregojnë përfundimin e kohës së agjërimit. Madje ka hapësirë edhe për dëfrim duke lozur, kënduar e të ngjashme. Një gjë e tillë duhet të bëhet edhe pas kryerjes së ritualit të haxhit.
Kur i Dërguari i Allahut emigroi në Medinë, ai vërejti se vendasit festonin dy festa gjatë vitit dhe, sipas asaj që transmeton Enesi, u tha: “Ju kishit dy ditë (të ndryshme) në të cilat luanit dhe dëfreheshit, e Allahu ua zëvendësoi ato me dy ditë (festa) më të mira: Festa e Fitrit dhe Festa e Kurbanit." [Transmetojnë Ebu Davudi dhe Nesaiu]
Festa e Bajramit është prej simboleve të Islamit, madje prej më të mëdhave me të cilat manifestohet Islami. Është festë për atë që ka shpirtin e pastër dhe qëllimin e dëlirë për Allahun e jo vetëm për atë që vishet dhe stoliset me stolitë e kësaj bote. Shpirti, zemra dhe veprat e myslimanit duhen stolisur me iman, devotshmëri dhe sjellje islame.
Fatkeqësisht, prej formave të devijimit te disa myslimanë është edhe angazhimi i tyre për disa festa që gjithsesi janë fetare, por jo islame (viti i ri, krishtlindjet, etj.), por e harrojnë Bajramin, domethënien dhe mesazhin që duhet të kuptohet prej tij. Festimi i Bajramit dhe mënyra e këtij festimi janë dëshmi se sa autoritet ka feja e Allahut në zemrën e myslimanit. Ajo është tregues shumë i saktë për nivelin e devotshmërisë.
“Kjo është kështu ngase kush i madhëron simbolet e Allahut, atëherë këtë e bën nga devotshmëria e zemrës." [Haxh, 32]
Ana tjetër e festimit, ajo formalja, padyshim vërehet te rregullat e Bajramit, si: ngritja e zërit me tekbir, dhënia e zekatul-fitrit si shprehje e solidaritetit obligativ, larja, parfumosja dhe veshja e rrobave më të bukura (për burrat), ngrënia e disa hurmave para se të shkohet për të falur (Fitër) Bajramin, shkuarja në faljen kolektive të namazit të Bajramit, urimet dhe lutjet e ndërsjella për pranimin e veprave të mira dhe të tjera rregulla të shumta.
Nuk duhet harruar se Allahu është Zoti i Ramazanit dhe i të gjithë muajve, Ai duhet të adhurohet gjithnjë. Festa e Bajramit le të na shërbejë për të mbledhur forca të reja për të vazhduar rrugën e adhurimit.