Koncepti i adhurimit në Islam
Duke pasur një koncept të drejtë për adhurimin, ti ke mundësi që e gjithë jeta jote të shndërrohet në adhurim.Trupi dhe zemra e adhurojnë Allahun, secili në mënyrën e vet: trupi nëpërmjet sexhdes, duke e vendosur ballin në tokë e duke u ngritur prej saj në mënyrë të herëpashershme, teksa “sexhdja” e zemrës është e përhershme. Të konceptuarit e drejtë të “ubudijetes - të qenit rob i Allahut” e bën besimtarin të shijojë adhurime të njëpasnjëshme, jo vetëm në xhami, por edhe në shtëpi, në punë, në familje e kudo. Ky është një ndër kuptimet e ajetit kuranor, në të cilin Allahu i Lartësuar thotë: “Pasi të kesh përfunduar (preokupimet), atëhere, për hir të Zotit tënd, përpiqu fort (me adhurime)!” (El Inshirah: 8) Në këtë kontekst, natyrshëm parashtrohen pyetjet e mëposhtme: Cila ishte ajo gjë e veçantë në zemrën e Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) që e bëri atë më të mirin e shokëve të Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)? Si mund të ngjyroset gjithë jeta e besimtarit më adhurim? Si ta adhurojë besimtari Allahun jashtë xhamisë, sikurse e adhuron në xhami? Si mund jesh një adhurues i përkushtuar gjatë gjithë jetës tënde? Si mund të keni një zemër të përulur e nënshtruar ndaj Allahut? Çfarë do të thotë rebelim kundër adhurimit të Allahut dhe cilat janë format e shfaqjes së tij në realitetin bashkëkohor? Përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave si këto, i gjeni në këtë libër të titulluar “Koncepti i adhurimit në Islam”. Falënderoj Allahun e Gjithëfuqishëm, i Cili ma lehtësoi trajtimin e kësaj teme në formatin e një programi mësimor, që është i përshtatshëm për kurset e mësimit të fesë, për qendrat islame etj. Autori