×
Artikull i cili përmban këshilla dhe udhëzime për haxhiun pasi që ta ketë kryer obligimin e haxhit.. në të sqarohet se çfarë duhet të veproj haxhiu pas haxhit dhe rëndësinë e vazhdimit me vepra të mira.

    Haxhi i nderuar! Të qoftë haxhi i pranuar dhe mundi i shpërblyer .. por, çka pas Haxhit?

    ﴿ أخي الحاج .. حج مبرور وسعي مشكور .. ولكن ماذا بعد الحج؟ ﴾

    ] Shqip – Albanian – ألباني [

    Dar Ibn Huzejme

    Përktheu: Driton Lekaj

    2011 - 1432

    ﴿ أخي الحاج .. حج مبرور وسعي مشكور .. ولكن ماذا بعد الحج؟ ﴾

    « باللغة الألبانية »

    دار ابن خزيمة

    ترجمة: دريتون ليكاي

    2011 - 1432


    Haxhi i nderuar! Të qoftë haxhi i pranuar dhe mundi i shpërblyer .. por, çka pas Haxhit?

    Falënderimi i takon Allahut i cili i ka udhëzuar robërit e Tij në rrugën e drejtë dhe lavdërimi e shpëtimi qofshin mbi Pejgamberin, pronarin e havdit[1] dhe pozitës së lartë, si dhe mbi familjen e shokët e tij dhe të gjithë ata që i ndoqën në rrugën e drejtë.

    E më pas, haxhi i nderuar:

    Kur haxhilerët dëshirojnë të kthehen në vendet e tyre, ju kujtohen baballarët dhe nënat, gratë, fëmijët dhe vëllezërit andaj marrin me vete dhurata për ta, e ndoshta dikush që është më i pasur bartë me vete mallra të ndryshëm për të tregtuar me to. Por, kjo nuk paraqet ndonjë pengesë për haxhiun dhe ai është i lirë ta bëjë këtë, ngase Allahu i lartësuar thotë: “Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti juaj (të bëni ndonjë tregti gjatë haxhit). E kur të derdheni (hiqeni) prej Arafatit, përmendeni Allahun në vend të shenjtë (Muzdelife), përmendeni Atë ashtu si u ka udhëzuar Ai, sepse më parë ishit të humbur." (El Bekare: 198)

    Imam Kurtubiu ka thënë: “Ajeti është argument se gjatë haxhit i lejohet haxhiut të bëjë tregti në të njëjtën kohë që e kryen adhurimin dhe synimi i tregtisë nuk llogaritet shirk si dhe nuk e nxjerr muslimanin nga kufiri i sinqeritetit të kërkuar. Darekutniu transmeton në “Sunenin" e tij nga Ebi Umamete Et Tejmij se ka thënë: E pyeta Abdullah b. Umerin: “Unë jap me qira kafshë udhëtimi gjatë haxhit, ndërsa disa njerëz më thonë: Haxhi yt nuk është i vlefshëm!? Abdullah b. Umeri i tha: “Erdhi një njeri te Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) dhe e pyeti njësoj sikurse që t'i më pyete tani, e ai heshti gjersa zbriti ky ajet: “Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti juaj (të bëni ndonjë tregti gjatë haxhit) ..", atëherë Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) i tha: “Haxhi yt është i vlefshëm."

    Haxhi i nderuar: Merr nga kjo botë aq sa nuk ndikon në sinqeritetin tënd, por vëllai im: Si ishin ndjenjat e tua momentin kur ua dhe lamtumirën atyre vendeve të shenjta? A nuk ke menduar, vëllai im, se pse Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) i ka urdhëruar njerëzit që të mos largohen nga Meka para se ta bëjnë tavafin e lamtumirës. Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dytë) ka thënë: “Njerëzit pas haxhit shkonin në çdo anë atëherë, Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) tha: “Mos të largohet askush gjersa të mos jetë Qabeja e fundit që i jepet lamtumira (me tavaf rreth saj)."

    Haxhi i nderuar: Kësisoj i ka urdhëruar Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) shokët e tij në çastet kur ata i jepnin lamtumirën kësaj shtëpie madhështore. I ka urdhëruar që të bëjnë tavaf për herë të fundit rreth saj, ashtu që të dalin nga Meka me sy dhe zemra të mbushura përplot me madhërinë e kësaj shtëpie, Allahu e shtoftë nderin e saj.

    Ti haxhi i nderuar: Kur i dhe lamtumirën Shtëpisë së Shenjtë dhe kur bëheshe gati për t'i lënë këto vende të pastra, çfarë ke ndjerë në veten tënde?

    Vëllai im: Nuk ka dyshim se lamtumira ndaj atyre vendeve të shenjta është e vështirë për shpirtin, sidomos për ata shpirtra të cilët ishin të sinqertë ndaj Zotit të tyre gjatë kryerjes së riteve të haxhit.

    Pastaj haxhi i nderuar: Kujto çastet kur po i jep lamtumirën shtëpisë madhështore se t'i ke qenë në ditë të respektit dhe raste të volitshme të adhurimit, sa çaste të lumtura janë ato! Por, vëllai im: A ndërpriten këto adhurime me udhëtimin drejt vendit tënd?! A ndodh kjo gjersa në kujtesën tënde ende nuk është venitur qëndrimi para Zotit tënd te Shtëpia e Tij madhështore? Kujto ditën e Arafatit dhe rëndësinë e saj si dhe ditët e Minas dhe madhështinë e tyre.

    Vëllai im: Atëherë, si mund të ndodh që gjendja jote të ndryshojë?! Prandaj vazhdo me vepra të mira dhe hape një faqe të re në jetën tënde që të arrish atributet e atyre që bënë haxh të pranuar. Hasan El Basriu ka thënë: “Haxh i pranuar: është haxhi pas të cilit haxhiu heq dorë nga kjo botë dhe e synon botën tjetër."

    Disa të tjerë kanë thënë: “Shenja e 'haxhit të pranuar' vërehet në fund të tij, nëse kthehet më i mirë se sa ka qenë kuptohet se haxhi i tij është pranuar."

    Edhe diçka haxhi i nderuar: Kur t'i jep lamtumirën Shtëpisë së Shenjtë lute Allahun që kjo të mos jetë hera e fundit që e viziton shtëpinë e Tij, ngase vazhdimësia në kryerjen e adhurimeve është shkak i qëndrueshmërisë në fe, sikurse që vazhdimësia në mëkate është prej shkaqeve të devijimit dhe humbjes.

    Vëllai im: Vazhdimësia në vepra të mira është çelësi i shpëtimit tënd ditën e Gjykimit. Ja, kur Pejgamberi ynë (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) që kur është pyetur: “Cila vepër është më e dashur te Allahu?" Ai është përgjigjur: “Ajo që kryhet në vazhdimësi edhe nëse është pak."[2]

    Haxhi i nderuar: Prej shenjave të mirësisë së dikujt është vazhdimësia në adhurime qoftë edhe nëse janë të pakta. Vëllai im, ja një margaritar të çmuar të cilin po ta dhuroj: vëllai im duhet të veprosh një vepër të mirë, t'i përmbahesh dhe të vazhdosh në kryerjen e saj dhe mos e përçmo atë, ndoshta Allahu ta cakton ty fundin e mirë dhe ta ruan begatinë e haxhit tënd.

    Haxhi i nderuar: Mos u bëj prej atyre që nuk ju kujtohen adhurimet vetëm se në raste (sezone) të caktuara, e kur të kalojnë këto sezone ata kthehen në gjendjen e tyre të mëparshme. Alkame e ka pyetur Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të): “Oj nëna e besimtarëve! Si ishte puna e të Dërguarit të Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të), a e veçonte ndonjë ditë prej ditëve (me vepra të mira)? Ajo tha: “Puna e tij ishte në vazhdimësi, po cili nga ju ka mundësi ta bëjë atë që e ka bërë Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të)?!"[3]

    Muhamed b. El Kasim tregon për Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të) se: “Ajo kur e vepronte një punë, i përmbahej asaj."

    Haxhi i nderuar: Patjetër duhet të kesh durim në kryerjen e adhurimeve gjatë rrugëtimit në jetën tënde të re. Gjithashtu duhet të durosh, të mos biesh në mëkate, ngase durimi në kryerjen e adhurimeve dhe durimi për të mos rënë në mëkate janë shkallët më të larta të durimit. Mejmun b. Mehran ka thënë: “Durimi është dy llojesh: Durimi për fatkeqësinë është i mirë por, edhe më i mirë se ai është durimi për të mos rënë në mëkat."

    Haxhi i nderuar mos u bëj nga ata për të cilët Imam Ibn Kajjimi ka thënë: “Njerëzit shpirtligë janë më të durueshmit kur është në pyetje bindja ndaj epsheve dhe tekeve të tyre ndërsa janë njerëzit me më së paku durim në adhurimin ndaj Zotit të tyre. Ai duron maksimalisht gjatë sakrificës për djallin por, nuk duron për sakrificën në emër të Allahut për diçka minimale! Ai duron dhe i përballon vështirësitë në realizimin e epsheve të tij për ta arritur kënaqësinë e armikut të tij, por nuk duron as vështirësitë minimale për ta arritur kënaqësinë e Zotit të tij.

    Ai duron maksimalisht në përkushtimin e tij në respekt të djallit dhe epsheve të shpirtit por, është i paaftë të duroj kësisoj për Allahun. E kjo është ligësia më e madhe dhe ai që vepron kështu nuk është bujar te Allahu dhe as nuk ngritët me bujarët kur të thirren ditën e Gjykimit në prezencën e njerëzve: Le ta dinë, sot, të tubuarit se kush është më meritor për bujarinë! Andaj, ku janë të devotshmit?"

    Haxhi i nderuar: Përfundimi i durimtarëve është xheneti: “Edhe ata që patën durim (ndaj të këqijave) për të fituar kënaqësinë e Zotit të tyre dhe që e falën namazin, dhe nga ajo me çka Ne i furnizuam ata kanë dhënë fshehtas e haptas dhe me të mirë e largojnë të keqen. Të tillët kanë përfundim më të mirë. (përfundimi i mirë është) Xhennete të Adnit (vende të përjetshme) ku do të hyjnë ata, edhe prindërit, gratë dhe fëmijët e tyre të cilët kanë qenë vepërmirë, ata do t'i vizitojnë engjëjt duke hyrë në secilën derë. (u thonë) Selamun alejkum, me durimin tuaj gjetët shpëtimin; sa përfundim i lavdishëm është ky vend." (Err Rrad: 22 - 24).

    Për fjalën e Allahut të lartësuar: “Selamun alejkum, me durimin tuaj gjetët shpëtimin; .." Fudajl b. Ijadi ka thënë: “Kishin durim në kryerjen e veprave me të cilat u urdhëruan si dhe duruan për të mos vepruar veprat nga të cilat u ndaluan."

    Vëllai im: Shpirti për nga natyra e tij e donë dembelinë dhe pushimin por, ti mos ia realizo dëshirën ashtu që djalli të mos gjejë rrugë gjer te ti. Hasan Basriu ka thënë: “Kur djalli të sheh se ti je, në vazhdimësi, në respekt ndaj Allahut synon të mashtroj në vazhdimësi por, kur të sheh që ti nuk luhatesh dhe vazhdon, dikur mërzitet dhe ndahet nga ti, mirëpo nëse je i luhatur, njëherë kështu e herën tjetër ashtu, atëherë lakmon në devijimin tënd."

    Haxhi i nderuar: duke qenë se je kthyer nga haxhi, mundi yt në kryerjen e adhurimeve është i freskët dhe nëse ti e vazhdon këtë rrugëtim shpresojmë për ty shpërblimin më të mirë! Vëllai im, i prij vetes tënde me aktivitet para se të hyn në fazën e plogështisë dhe dembelisë, ngase nëse i dorëzohesh dembelisë do të pushtojë epshi i cili ndjell të keqen, do të mbizotëroj djalli yt dhe do të shkoj haxhi yt huq. Hurejth b. Kajs ka thënë: “Nëse dëshiron ta kryesh një të mirë mos e vono për nesër! Nëse je në ndonjë çështje të dynjasë ke kujdes por, nëse je në namaz dhe djalli të thotë: Ti je duke e bërë për syefaqe, atëherë zgjate edhe më shumë."

    Haxhi i nderuar: Nxito, merr iniciativë dhe assesi mos thuaj do ta bëj këtë (në të ardhmen). Ja ky është Thumame b. Nexhad Es Sulemijj i cili porositi popullin e tij me fjalët: “O njerëz! A nuk ua kam tërhequr vërejtjen nga: do të punoj, do të falem, do të agjëroj."

    Haxhi i nderuar: Lufto me veten tënde dhe mos të të kap plogështia ashtu siç e luftove atë ditët kur ishe në ato vende të pastra. Allahu i lartësuar ka thënë: “E ata, të cilët luftuan për hir Tonë, Ne me siguri do t'i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se All-llahu është në krahun e bamirësve." (El Ankebut: 69), dhe ka thënë: “E për sa i përket atij që ka tepruar. Dhe i dha përparësi jetës së kësaj bote. Xhehenemi do të jetë vendi i tij. E kush iu frikësua paraqitjes para Zotit të vet dhe ndaloi veten prej epsheve. Xheneti është vendi i tij." (En Naziat: 37 – 41)

    Haxhi i nderuar: Mos harro që të bësh dua të shumta te Allahu që të ndihmoj të qëndrosh në adhurime. Vëllai im! Drejtoju Allahut dhe shtoji lutjet e tua që t'i drejtoj hapat e tu gjatë ecjes tënde në rrugën e fesë së Tij të vërtetë. Pejgamberi bujar (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) e shpeshtonte lutjen drejtuar Zotit që ta përforconte në fenë e Tij. Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të) është pyetur: Cila ishte duaja më e shpeshtë të cilën e bënte i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të)? Ajo u përgjigj: “Duaja e tij më e shpeshtë ishte: “O Ti që i rrotullon zemrat, përforco zemrën time në fenë Tënde.", e është pyetur se pse e bënte këtë? Ai tha: “Nuk ka njeri i cili nuk e ka zemrën e tij mes dy gishtave të gishtërinjve të Allahut! Atij që donë ia drejton ndërsa atij që donë ia devijon."[4]

    E në një transmetim shënon: “Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) thoshte: “O Ti që i përforcon zemrat, përforco zemrat tona në fenë Tënde."[5]

    Haxhi i nderuar: Nëse Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) e ka lutur Zotin e tij ta përforcoj në fenë e Tij, ndërsa ai ka parë nga argumentet e Allahut aq sa do të mjaftonte që zemra e tij të përqendrohej në fenë e Allahut të lartësuar, si është puna me ne?!! Vëllai im! Ti je duke jetuar në një kohë që janë shtuar sprovat dhe shkaqet e devijimit, në një kohë kur nuk gjen njerëz që të të ndihmojnë në të vërtetën, bile nëse shohin se ti i përmbahesh fesë të përqeshin dhe të flasin fjalë të shëmtuara, por besimtari e dinë se do ta takoj Zotin e tij, prandaj ato nuk i bëjnë përshtypje. Për këtë, vëllai im, patjetër duhet ta shpeshtosh lutjen që Allahu të përforcoj në fenë e Tij. Le të jetë lutja jote me zemër të sinqertë, zemër e cila e ka shijuar kënaqësinë e adhurimeve dhe ka gjetur prehje në veprat e mira dhe mos u lut siç lutet një i pakujdesshëm i cili nuk kupton atë që thotë. Ngase ti, haxhi i nderuar, ke nevojë për qëndrim në adhurim ndaj Allahut të lartësuar ashtu që të vjelësh frytet e haxhit tënd dhe ta shijosh begatinë e tij.

    Haxhi i nderuar: Është një çështje e rëndësishme do të doja ta përkujtoj para se ti të kthehesh në vendin tënd, e ajo është: Kujdes, vëllai im, mos e shiko veten sikur ata të vetëmashtruarit, të cilët kur të punojnë pak vepra të mira e shohin veten sikurse janë njerëzit më të mirë mbi tokë. Vëllai im! Shikoje veten tënde gjithmonë me sy që shfaqin mangësinë, ngase ti sado vepra të mira që të veprosh prapë se prapë nuk do të arrish ta falënderosh Allahun për begatinë më të vogël me të cilën të ka nderuar. Vëllai im! Nëse donë të dish për gjendjen e njerëzve të mirë pasi që t'i veprojnë të mirat, atëherë eja me mua të meditojmë rreth këtyre rasteve që të mësosh se njerëzit e mirë gjithmonë pohojnë mangësinë gjatë veprimit të mirave. Ky është Siddiku, Ebu Bekri, (Allahu qoftë i kënaqur me të) pasi që u zgjodh për halife e mbajti fjalimin e tij të njohur, ku mes tjerave tha: “O ju njerëz! ﷻ‬ zgjodha të jem kryetar i juaji edhe pse nuk jam më i miri ndër ju .."

    Hasan Basriu ka thënë: “Po, pasha Allahun, ai ishte më i miri ndër ta por, besimtari e përçmon vetën e tij." Muhamed b. Ata na tregon ku thotë: “Isha ulur me Ebu Bekrin, kur e pa një zog, tha: “Lum për ty o zog! Han në këtë dru dhe pastaj i hedh mbeturinat e tua, pastaj nuk bëhesh asgjë dhe nuk ka llogari për ty! Do të kisha dëshirë të isha në vendin tënd." Unë i thash atij: A po e thua këtë ndërsa ti je shoku i të Dërguarit të Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi ty)?!!"

    Ja ky është Faruku (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili thoshte: “Po të thërriste një thirrës ditën e Gjykimit: O ju njerëz hyni në xhenet përveç njërit, do të mendoja se unë jam ai!"

    Haxhi i nderuar: Shiko se si Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi qofshin mbi të) na mësonte si duhet të jetë adhurimi ndaj Allahut. Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) falej natën gjersa iu ënjtshin këmbët, e kur e pyetën pse e bënte këtë, ai tha: “A të mos jem rob falënderues?!!"[6] Dhe ka thënë (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të): “Pasha Allahun! Unë kërkoj falje nga Allahu dhe i pendohem Ati,j gjatë ditës, më shumë se shtatëdhjetë herë."[7]

    A po e vëren vëllai im, se kur Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) – që Allahu ia ka fal mëkatet e mëparshme dhe të mëvonshme – e adhuron Zotin e tij në këtë mënyrë, atëherë a i takon ndonjërit nga ne pas kësaj të thotë: Unë e kam adhuruar Allahun me adhurim meritor?!!

    Vëllai im: Përçmoje veten tënde dhe do të shohësh se si të dorëzohet të bindet. Ndërsa nëse e shikon atë me sy të përsosmërisë, do të jetë e mangët ndaj teje gjersa do të shoqëroj mangësia edhe në kryerjen e obligimeve.

    Pastaj haxhi i nderuar: Po ta tregoj një ilaç të dembelisë në kryerjen e adhurimeve, e që nëse e merr atë do të ketë një ndikim të çuditshëm, a e dinë se cili është ky ilaç?! Ai është vdekja. Përkujto vëllai im se ti do të shkosh nga kjo botë drejt një bote ku shpërblehen në të bamirësit dhe keqbërësit. E nëse dëshiron që begatia e haxhit tënd të vazhdoj, përkujtoja vetes tënde vdekjen, atëherë do të nxitosh në vepra të mira dhe do të jesh më aktiv në kryerjen e adhurimeve. Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ia ka mësuar Ibn Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të dytë) këtë ilaç të çuditshëm, ai e merrte Ibn Umerin për supi dhe i thoshte: "Bëhu në këtë botë sikurse i huaj apo kalimtar rasti." Pas kësaj Ibn Umeri thoshte: “Kur të ngrys mos e prit mëngjesin, e kur të gdhin mos e prit mbrëmjen. Shfrytëzo kohën kur je i shëndoshë për kohën kur të sëmuresh dhe shfrytëzo jetën tënde për vdekjen tënde."[8]

    Imam Neveviu ka thënë: “Kuptimi i hadithit është: Mos u mbështet në këtë botë e as mos e merr atë për vendbanim. Mos i fol vetes tënde për qëndrim të përhershëm në të dhe mos u merr me diç prej saj vetëm se me atë që merret një huaj kur është jashtë vendit të tij ."

    Vëllai im: Hasan Basriu thoshte: “Nxitoni, nxitoni në vepra të mira, ngase jetë në të vërtetë janë frymëmarrjet e njeriut, të cilat nëse ndalen ndërpriten veprat e juaja me të cilat i afroheni Allahut të lartësuar. Allahu e mëshiroftë njeriun i cili e shikon veten e tij dhe qan për mëkatet e tij, e pastaj lexoi ajetin: “.. Se Ne vetëm jemi duke ua numëruar atyre (jetën në ditë, frymëmarrje etj.)" pastaj qau dhe tha: Fundi i numërimit dalja e shpirtit tënd, fundi i numërimit është ndarja nga familja jote, fundi i numërimit është hyrja jote në varr."

    Haxhi i nderuar: Ja Umer b. Abdul Azizi thoshte: “Vdekja ua ka prishur banorëve të kësaj bote ndjesinë e bukur për freskinë dhe zbukurimin e saj, duke qenë në atë gjendje iu erdhi vdekja dhe ua shkatërroi atë. Mjerimi dhe dëshpërimi u takojnë atyre që nuk kanë pas kujdes nga vdekja dhe nuk e kanë kujtuar atë në mirëqenie, ashtu që të vepronin për veten e tyre diçka të mirë që do ta gjenin pasi që të ndaheshin nga kjo botë dhe banorët e saj ..." pastaj filloi të qante dhe shkoi.

    Vëllezërit e mi! Deri kur do të zvarrisni punën dhe do të lakmoni në arritjen e shpresës dhe mashtroheni me hapësirën e lirë dhe nuk e kujtoni sulmin e exhelit? Atë që e keni lindur shkon drejt dheut, atë që e ndërtuat shkon drejt shkatërrimit, atë që e keni mbledhur shkon drejt asgjësimit dhe atë që e keni punuar do të shënohet në librin e deponuar për ditën e Gjykimit.

    Haxhi i nderuar: Ta kam shfaqur atë që e ndjej në thellësinë e zemrës sime, të kam dhuruar këto fjalë të çmuara, andaj medito rreth tyre. Për fund, e lus Allahun e lartësuar të më përforcoj mua dhe ty në fenë e Tij të vërtetë dhe të më furnizoj mua dhe ty lumturinë në të dy botët.

    [1] Havdi është: Vendtubim (pellg) i ujit, të cilin Allahu i lartësuar ia ka dhuruar Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) në Ditën e Gjykimit. Atë do ta frekuentojnë besimtarët e umetit të tij, nga i cili do të pinë ujë dhe do të shuajnë etjen e tyre. Për më tepër shiko hulumtimin në shqip me titull: “Havdi i Pejgamberit, alejhis selam" - www.kbi-vushtrri.com/havdi.doc

    [2] E transmeton Muslimi.

    [3] E transmeton Buhariu.

    [4] E transmeton Tirmidhiu, Ahmedi dhe Ibn Ebi Shejbe. Shiko Silsiletul Ehadith Es Sahiha, me nr: 166.

    [5] E transmeton Ibn Maxhe. shiko librin: Sahih Ibn Maxhe të Shejh Albanit me nr: 166.

    [6] E transmeton Buhariu.

    [7] E transmeton Buhariu.

    [8] E transmeton Buhariu.