×
Autori në këtë tregim flet për një ngjarje të vërtetë që ka ndodhur ndërmjet një prifti dhe një fëmije musliman. Ai përmend po ashtu disa mësime që mund t'i nxjerrim nga kjo ngjarje.

    Fëmija musliman dhe prifti

    Abdullahu, djalë i dy prindërve, babai i tij është nga tokat arabe, kurse e ëma një muslimane nga Austria.

    Abdullahu lindi në Austri, vendi ku nëna e tij jetonte. Disa nga dajallarët e tij ishin muslimanë e disa të krishterë. Abdullahu rritej si musliman, me njohuri bazike për fenë dhe Zotin e tij.

    Pasi që disa dajallarë të tij ishin të krishterë, prifti vinte në shtëpinë e tyre dhe i bekonte sipas riteve të tyre kishtare dhe sa herë që prifti mundohej ta bekonte Abdullahun, duke vendosur dorën në ballin e tij, Abdullahu largonte dorën e priftit.

    Pasi prifti hetoi gjendjen e tij, filloi ta pyesë veten: përse ky fëmijë refuzon bekimin?! Përgjigjen donte ta dëgjonte nga Abdullahu.

    Një ditë derisa Abdullahu ishte ulur në kopshtin afër shtëpisë dhe kishës, prifti nxitoi drejt tij dhe e pyeti:

    - Përse nuk e pranon bekimin? Mos je hebre?

    - Unë jam musliman, - ia ktheu Abdullahu.

    Prifti pasi mendoi i tha:

    - Më dëgjo, do të të flas sikur të ishe i rritur dhe do të të trajtoj si njeri të zgjuar.

    - Urdhëro, - i tha Abdullahu.

    - Feja në të cilën je është fe e saktë, andaj mos e lër atë, mos u mashtro nga kjo fe që po sheh tek ne, janë mite të trashëguara, andaj mos të të mashtrojë daja yt që ta lësh fenë tënde, - e këshilloi prifti.

    - Nëse kjo që po thua është e vërtetë, pse vazhdon të jesh i krishterë? - pyeti me habi Abdullahu.

    - Unë jam njeri i moshuar dhe është shumë e vështirë në këtë moshë ta lë fenë, po ta bëja do llogaritej se kam tradhtuar fenë time, - u përgjigj prifti dhe u largua.

    Djaloshi mbeti i habitur, shumë pyetje i silleshin në mendje.

    Prifti ulej afër djaloshit sa herë që kishte mundësi dhe e këshillonte se si të arrinte sukses.

    Pasi arriti moshën rinore djaloshi, u kthye në tokat arabe dhe u regjistrua në universitetin Mbreti Saud në Rijad. Deshi Zoti që unë të jem nga mësimdhënësit e tij në njërin nga fakultetet aplikative. Ishte student i zgjuar dhe pyeste për çdo gjë.

    Një ditë me vizitoi në zyrën time në fakultet, pasi tregoja kujdes për të dhe më tregoi këtë ngjarje që i kishte ndodhur.

    - Sa vjeç ishe në kohën kur dialogoje me priftin? - e pyeta.

    - Isha vetëm shtatë vjeç, por këtë ngjarje e kujtoj shumë mirë, - ma ktheu ai.

    Nga kjo ndodhi nxjerrim disa mësime:

    1. Shumica e të humburve, qofshin nga ata që proklamojnë islamin apo nga fetë e tjera të kota, e kuptojnë të vërtetën por nuk e pranojnë nga frika e përçmimit ose pajtohen me shumicën.

    Ebu Talibi, xhaxhai i Pejgamberit Muhamed - paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të - i tha atij:

    Ke paraqitur një fe, më të mirën në faqe të dheut

    Po të mos më fajësonin apo më shanin

    do të më gjeje të bindur dhe të nënshtruar

    Ky është zakoni i mendjemëdhenjve, Allahu thotë:

    “Kështu, ata i mohuan ato padrejtësisht dhe me mendjemadhësi, edhe pse shpirti i tyre i besonte për të vërteta. Pa shiko, cili ka qenë fundi i shkatërrimtarëve!” (Kur'ani, 27:14)

    Kam takuar në Egjipt një prift, biseduam rreth fesë së tij, për disa gjëra përgjigjej drejtpërdrejt e për disa të tjera ngurronte.

    E pyeta rreth trinisë, më tha: "Besimi në trini është mbi mendjen njerëzore (mendja nuk mund ta kuptojë)."

    Kur e pyeta Kur'anin, më tha: "Kur’ani është shpallja e Krijuesit, i pandryshuar që nga zbritja e tij."

    E pyeta rreth debateve mes muslimanëve dhe të krishterëve, më tha: "Këtu janë dy çështje: Muhamedi dhe kryqi; nëse e pranojmë kryqin e mohojmë Muhamedin e nëse e besojmë Muhamedin do ta mohonim kryqin."

    2. Kur e vërteta prek zemrën, është e vështirë që zemra të ndahet nga ajo. Shohim se si Abdullahu i vogël ishte kapur fort për fenë e tij edhe pse mjedisi dhe shtëpia ku jetonte ishin të larmishme me fe të ndryshme.

    3. Edukimi i fëmijëve në vegjëli ndihmon në ruajtjen e tyre nga humbja dhe e kota. Abdullahu i vogël me edukatën islame ruhej nga veset e liga, si: alkooli, zinaja etj., ndërkohë shprehte çudi se si muslimanët udhëtonin në vendet e Perëndimit mu për t'i vepruar këto vese.

    4. Islami është fe madhështore. Edhe përkundër kurtheve të vazhdueshme nga armiqtë e fesë, islami do të mbetet triumfues, krenar dhe i palëkundur. Temim ed Dariju transmeton se ka dëgjuar profetin - paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të - të ketë thënë:

    “Islami do të arrijë deri aty ku arrin dita dhe nata, rrjedhimisht nuk do mbetet shtëpi pa hyrë në të feja islame, me krenarinë e atyre që e pranojnë dhe nënçmimin e atyre që e mohojnë, krenari me të cilën Allahu e ngrit Islamin dhe nënçmim me të cilin Allahu e përçmon mosbesimin.”

    Temim ed Dariju thoshte: "Këtë hadith e pata kuptuar duke në familjen time; ata që u bënë muslimanë ishin krenarë, të nderuar dhe shumë të begatuar, kurse ata që nuk e pranuan Islamin i kaploi përçmimi, poshtërsia dhe xhizja.

    Shkroi: Dr. Muhamed es Suhejm

    Përktheu: Fitim Hasani

    Burimi: https://www.alukah.net/web/sohaym/10304/19189/