Muaji Rexheb mes bidateve dhe synetit
Ky material është i përkthyer në
Kategoritë
Full Description
Muaji Rexheb – mes bidatit dhe synetit
﴿ شهر رجب بين المبتدع والمشروع ﴾
] Shqip – Albanian –[ ألباني
Dr. Najif b. Ahmed El Hamed
Përktheu: Driton Lekaj
2009 - 1430
﴿ شهر رجب بين المبتدع والمشروع ﴾
« باللغة الألبانية »
د. نايف بن أحمد الحمد
ترجمة: دريتون ليكاي
2009 - 1430
Muaji Rexheb
Mes bidatit dhe synetit
Dr. Najif b. Ahmed b. Alij El Hamed
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Si dhe paqja dhe shpëtimi qofshin për pejgamberin tonë, Muhamedin si dhe për familjen dhe shokët e tij, e më pas:
Në këto ditë shtohen pyetjet rreth muajit Rexheb (vlerën e tij dhe agjërimin në të, etj.) e unë do të mundohem në këtë punim të shkurtër të përmendi disa dispozita që janë të lidhura me këtë muaj prandaj po them:
Rexhebi është një nga muajt e shenjtë:
Allahu i lartësuar thotë: “Te All-llahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu si është në librin e All-llahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë. Pra, mos e ngarkoni (me mëkat) veten tuaj në ata (katër muaj). Luftoni të gjithë idhujtarët pa dallim, siç ju luftojnë ata juve pa dallim, e dijeni se All-llahu është me ata që ruhen (të këqijave).” (Et Tevbe: 36)
Muajt e shenjtë janë: Muaji Muharrem, Rexheb, Dhul Ka’de dhe Dhul Hixhe. Ebu Bekrete transmeton se Pejgamberi (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Koha (përcaktimi i muajve; ngase idhujtarët shtynin muajt e shenjtë sipas epsheve të tyre) është kthyer në formën e saj sikurse ditën kur Allahu krijoi qiejt dhe tokën. Viti është dymbëdhjetë muaj. Prej tyre katër janë të shenjtë. Tre prej tyre janë të njëpasnjëshëm Dhul Kade, Dhul Hixhe dhe Muharremi, si dhe Rexhebi Mudar (Mudar: Është fis arab që e madhëronte muajin Rexheb më shumë se fiset e tjera dhe e përcaktonin në mënyrë të saktë) e që është mes muajit Xhumada dhe muajit Sha’ban.” (Buhariu me numër: 4662 dhe Muslimi me numër: 1679)
· Këta muaj quhen të shenjtë për shkak të:
1. Ndalimit të luftës në ta vetëm në rastin kur luftën e fillon armiku. Për këtë është quajtur “Rexhebi i shurdhër” ngase nuk kërkohet ndihmë në të dhe as nuk dëgjohet zëri i armëve.
2. Të vepruarit e ndalesave (harameve) në të është më keq se sa në muajt tjerë.
Rexhebi është emërtuar me këtë emër për shkak se është madhëruar e që është edhe kuptimi i fjalës. (Letaif El Mearif: 225)
· Lutja me rastin e hyrjes së muajit Rexheb:
Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se Pejgamberi (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) thoshte me rastin e hyrjes së muajit Rexheb: “O Zot na jep bereqet në muajin Rexheb dhe Sha’ban dhe na mundëso ta arrijmë Ramazanin.” (Ahmedi, Bezzari, Taberani, Bejhekiu. Ky hadith është prej transmetimit të Zaide b. Ebi Rekkad prej Zijad Numejrit për të cilin thotë Buhariu: “Munker El Hadith” (Nuk lejohet transmetimi prej tij).” Shuab El Iman: 3/375.
Këtë hadith e kanë konsideruar të dobët dy dijetarët e hadithit Ibn Rexhebi dhe Ibn Haxheri- Allahu i mëshiroftë. (“Letaif El Mearif”: 234)
· Prerja e El Atires (lloj kurbani) në Muajin Rexheb apo Err - Rrexhebijje
Disa dijetarë e kanë pëlqyer prerjen e një kurbani në muajin Rexheb duke u argumentuar me hadithin e Mihnef b. Sulejmit (Allahu qoftë i kënaqur me të): “Ishim duke qëndruar në këmbë me Pejgamberin (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të), në Arafat, kur e dëgjova duke thënë: “O ju njerëz për çdo shtëpi në çdo vit është obligim prerja e një Kurbani dhe Atire. A e dini se ç’është El Atire: Ajo është të cilën e quani Err Rrexhebijje.” (Ahmedi, Ebu Davudi, Nesaiu dhe Tirmidhiu i cili thotë: Ky është Hadith Hasenun Garib dhe nuk e dimë këtë hadith vetëm se prej këtij transmetimi nga Ibn Avni. E të dobët e kanë konsideruar: Ibn Hazmi në librin e tij “Muhal-la: 7/356”, Hattabi në librin e tij “Mealim: 4/94”, dhe Abdul Hakk në librin e tij “Tehdhibus Sunen: 4/92” ndërsa Ibn Kethiri thotë se: Rruga e tij e transmetimit është e përfolur. “Tefsir Ibn Kethir”: 3/225)
Shumica e dijetarëve e kanë mendimin se është anuluar duke u mbështetur në transmetimin e Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Pejgamberi ka thënë (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të): “Nuk ka Fere’ e as Atire.” (Buhariu dhe Muslimi)
Ebu Davudi thotë se Fere’ është: I vogli i parë që i lindë devesë. Në injorancë e merrnin atë dhe e pritnin për idhujt e tyre e lëkurën e tij e hidhnin në drunj. Ndërsa Atire është kurbani që pritet dhjetë ditët e para të Rexhebit. (Sunen: 3/104). Disa dijetarë sikurse Ibn Sirini, Ebu Ubejd, Ishak b. Rahavejh dhe dijetarët e medh-hebit Shafi thonë se: ajo çka është anuluar është obligimi i saj por, mbetet vepër e pëlqyer. (El Mexhmu 8/ 335)
· Umreja në Rexheb:
Disa myslimanë e veçojnë muajin Rexheb me kryerjen e umres duke menduar se ajo ka vlerë dhe shpërblim të veçantë në të. Por, më e saktë është se Rexhebi është sikurse muajt e tjerë nuk veçohet dhe nuk synohet në mënyrë të veçantë për kryerjen e umres në të. Vlerë të posaçme ka kryerja e Umres në Ramazan apo në muajt e haxhit për atë qe e kryen haxhin e llojit “Temettu”. E nuk është vërtetuar se Pejgamberi (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka bërë umre në Rexheb dhe këtë e ka mohuar edhe Nëna e besimtarëve, Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) (Tranmseton Buhariu)
· Bidatet (Risitë) në muajin Rexheb:
Prej adhurimeve që i kanë shpikur njerëzit në muajin Rexheb janë :
E para: Namazi i Regaibit. Ai i ka dymbëdhjetë rekate dhe gjashtë selame. Ai kryhet pas akshamit të xhumasë së parë të muajit. Në çdo rekat pas Fatihas lexohet sureja El Kadr tre herë, sureja El Ihlas dymbëdhjetë herë dhe pas përfundimit të namazit dërgohen salavate për Pejgamberin (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) shtatëdhjetë herë dhe më pas lutet sa të donë. Pa dyshim kjo është një vepër e papranuar dhe hadithi që flet për të është i shpifur pa dyshim. Ibn Xhevzi e ka përmendur në librin e tij të haditheve të shpifura “El Mevduat”.
Neveviu thotë: “Dijetarët janë argumentuar për mos pëlqimin e këtij namazi të shpikur i cili quhet si namazi i Regaibit – Allahu e vraftë atë që e ka shpifur dhe shpikur- ngase, ai është shpifje e shëmtuar, është prej risive (bidateve) të cilat janë humbje dhe injorancë dhe në të ka vepra të papranueshme të qarta. Shumë dijetarë kanë shkruar libra të çmuar për sqarimin e shëmtimit të tij si dhe kanë klasifikuar si të humbur ata që e falin dhe e kanë shpikur. E argumentet se është vepër e shëmtuar dhe e kotë dhe se humbjes së atij që e falë atë janë më shumë se sa të përkufizohen.” “Sherhu Muslim”: 8/20, “El Edeb fi Rexheb: 43” dhe “Nejlul Evtar: 4/337”.
Hattabiu – Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Hadithi i namazit të Regaibit përmban në vete jo pak gënjeshtër dhe shpifje.” (Libri “El Baith” i Ebu Shames: 143.)
Ibn Rexhebi –Allahu e mëshiroftë - ka thënë: “ Për sa i përket namazit nuk është vërtetuar për muajin Rexheb namaz i veçantë për të. Hadithet e transmetuara për vlerën e namazit të Regaibit në xhumanë e parë të muajit Rexheb janë gënjeshtër dhe kotësi si dhe ky namaz është bidat te shumica e dijetarëve ... Hera e parë që është shfaqur është pas shekullit të katërt sipas hixhretit për këtë të parët nuk e kanë njohur dhe as nuk kanë folur për të.” (Në librin e tij Letaif El Mearif: 228)
E dyta: Namazi i gjysmës së muajit Rexheb: Edhe kjo mbështetet në hadithe të shpifura. (El Mevduat: Ibn Xhevzi: 2/162)
E treta: Namazi në natën e Israsë dhe Miraxhit: Ai është namazi i cili falet në natën e njëzet e shtatë të Rexhebit dhe quhet: Namazi i natës së Miraxhit. Ky namaz është një ndër namazet e shpikura të cilat nuk kanë bazë të vërtetë në Kuran apo Synet. (“Hatimet Sifris Seade”: 150 dhe “Tenkit”: 97). Pretendimi se Miraxhi ka ndodhur në Rexheb nuk është i vërtetuar me ndonjë argument.
Ebu Shame ka thënë: “Disa tregimtarë kanë përmendur se Israja dhe Miraxhi ka ndodhur në Rexheb, e kjo te dijetarët e hadithit është gënjeshtër e kulluar.” (El Baith: 232)
Ebi Ishak Ibrahim El Harbijj ka thënë: “Është ecur natën (Isra) me Pejgamberin (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) në natën e njëzet e shtatë të muajit Rebi’ El Evvel.” (El Baith: 232)
E ai që e fal duke u argumentuar me atë që është transmetuar se Pejgamberi (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Në Rexheb është një natë që atij që bën në të vepra të mira i shënohen të mirat e njëqind viteve dhe kjo kur të mbesin nga Rexhebi vetëm tre natë. (natën e njëzet e shtatë).” (Bejhekiu në “Shuab: 3/374” dhe e ka konsideruar të dobët ashtu sikurse edhe Ibn Haxheri në “Tebjiin El Axheb: 25” dhe ka thënë: Alij el Karij: Shumë i dobët “El Edeb fi Rexheb: 48).
Po them: Shenjat se është i shpifur janë shumë të dukshme si dhe dijetarët janë pajtuar se nata më e vlefshme e vitit është nata e Kadrit e ky transmetim e kundërshton këtë.
E prej risive në këtë natë është: Tubimi dhe ndezja sa më e madhe e zjarrit dhe shtimi i ushqimit.
Shejh Alij El Karij ka thënë: “Nuk ka dyshim se kjo është një risi e keqe dhe vepër e shëmtuar sepse përmban në vete ç’përdorim të pasurisë dhe përngjasim me adhuruesit e zjarrit në shfaqjen e përkushtimit të tyre.” (El Edeb fi Rexheb: 46)
· Agjërimi në Rexheb:
Rexhebi është sikurse muajt e tjerë. Nuk është përmendur për referimin e agjërimit në të ndonjë hadith i vërtetë por, është mirë të agjërohet në të dita e hënë dhe e enjte, ditët e bardha si dhe agjërimi i atij që e ka traditë agjërimin sikurse edhe në muajt e tjerë. Ndërsa veçimi i tij me agjërim nuk lejohet.
Ndërsa ajo që përmendet nga disa vaizë dhe rrëfimtarë për referimin e agjërimit të muajit Rexheb sikurse hadithi: “Në rexheb është një lum i thuhet Rexheb uji i tij është më i bardhë se akulli dhe më i ëmbël se mjalta e ai që e agjëron një ditë të Rexhebit do të pijë nga ai.” Ky hadith është i shpifur. Ibn Xehvzi ka përmendur në “El Vahijat: 912” dhe Dhehebiu thotë: “Batil”në “El Mizan: 6/524”
Si dhe hadithi: “Rexhebi është muaj i madh. Allahu i shumëfishon në të, të mirat. Ai që agjëron një ditë të Rexhebit është sikurse të agjëron një vit e ai që agjëron shtatë ditë do t’i mbyllen atij shtatë dyert e Xhehnemit. E ai që agjëron tetë ditë do t’i hapen tetë dyert e xhenetit. E ai që agjëron dhjetë ditë nuk kërkon diç nga Allahu e që të mos t’i jap atij. E ai që agjëron pesëmbëdhjetë ditë atëherë thërret thirrësi prej qiellit: Të janë falur mëkatet e mëparshme prandaj rifillo punën tënde. Dhe ai që shton edhe Allahu ia shton shpërblimin.” (Bejhekiu në “Shuab”, me numër: 3801, Taberaniu në “El Kebir”, me numër: 5538 e Ibn Haxheri e ka konsideruar prej haiditheve të kota.(Mevahib el Xhelil: 2/408). Hejthemiu ka thënë: Në këtë transmetim është Abdul Gafuri – d.m.th. Ibn Seid- e ai është Metruk (akuzohet për gënjeshtër gjatë transmetimit të haditheve). “Mexhme Zevaid: 3/188”.
Dy dijetarët e hadithit Ibn Xhevziu dhe Ibn Haxheri kanë përmendur një mori hadithesh të kota dhe të shpifura të cilat flasin për vlerat e muajit Rexheb.(Mevahib El Xhelil: 2/ 408)
Po e përfundoj me atë që kanë përmendur dy dijetarët e hadithit, Ibn Kajjimi dhe Ibn Haxheri – Allahu i mëshiroftë – që është si rezyme e asaj që përmendëm:
Ibn Kajjimi thotë: “Çdo hadith që është përmendur në të agjërimi i Rexhebit apo faljes së namazit në disa nga netët e tij është gënjeshtër dhe shpifje.” (Menar El Munif: 96)
Ibn Haxheri thotë: “Nuk është transmetuar për vlerën e Rexhebit e as vlerën e agjërimit të tij apo agjërimit të një dite të tij e as për vlerën e ngjalljes së tij me namaz të natës ndonjë hadith i vërtetë që meriton të argumentohet me të.” (Tebjiin el Axheb: 11).
E lus Allahun e lartësuar me të mirat dhe bujarinë e Tij të na jep sukses në pasimin e synetit dhe largimin nga bidati, e Ai është Bujar dhe Fisnik.
Allahu e din më së miri dhe paqja e shpëtimi qofshin për pejgamberin tonë, Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.