Gjykimi i Islamit ndaj sektit Kadijani dhe pasuesve të tij
Ky material është i përkthyer në
Kategoritë
Full Description
Falënderimi i takon Allahut dhe lavdërimi e shpëtimi qofshin për të Dërguarin e Allahut, familjen dhe shokët e tij si dhe mbi të gjithë ata që udhëzohen me udhëzimin e tij. E më pas:
Këshilli i Akademisë Islame të Fikhut e ka shtjelluar në takimin e tij temën që ka të bëjë me sektin e Kadijanive, i cili është shfaqur në Indi në shekullin e kaluar (19 – tin) dhe i cili grup emërtohet gjithashtu si Ahmedi. Këshilli ka shqyrtuar fenë e tyre në të cilën ka thirrur themeluesi i kësaj feje, Mirza Gulam Ahmed El Kadijani në vitin 1876 i cili pretendonte se:
- Është Pejgamber të cilit i vjen shpallja,
- Ai është Mesihu (shpëtimtari) i premtuar,
- Pejgamberllëku nuk ka përfunduar me zotërinë tonë Muhamedin, të dërguarin e Islamit. (sikur që dëshmon për këtë besimi i muslimanëve i mbështetur nga argumentet e qarta prej Kuranit të madhërishëm dhe Sunetit).
- Ai pretendon se atij i ka zbritur shpallje dhe se i janë shpallur më shumë se dhjetë mijë ajete,
- Ai që e mohon atë është mosbesimtar,
- Muslimanët e kanë obligim ta kryejnë haxhin në Kadijan, ngase ai është vend i shenjtë sikurse Meka dhe Medina.
- Kadijani është vendi i emërtuar në Kuran me El Mesxhidul Aksa.
Të gjitha këto janë të cekura në librin e tij të publikuar me titull “Berahin Ahmedije" (Fakte Ahmediane) dhe në shkresën e tij të publikuar me titull: “Et Teblig" (Kumtimi)
Gjithashtu, Këshilli ka shqyrtuar fjalët dhe deklaratat e Mirza Beshirud-din b. Gulam Ahmed El Kadijani dhe pasardhësit të tij, e prej tyre deklarata e tij në librin e tij të titulluar: “Ajne Sadakt" (fq: 35): “Çdo musliman i cili nuk ia ka dhënë besën Shpëtimtarit të premtuar (d.m.th. babait të tij, Mirza Gulam Ahmedit), qoftë nëse ka dëgjuar për emrin e tij apo nuk ka dëgjuar, ai është mosbesimtar dhe ka dalë nga feja Islame.". Po ashtu, fjala e tij në gazetën e tyre kadijane të quajtur: “El Fadl" ku ai transmeton nga babai i tij, vetë Gulam Ahmedi, se ka thënë: “Ne dallojmë nga muslimanët në çdo gjë: Në besimin tonë në Allahun, në të Dërguarin, Kuranin, Namazin, Agjërimin, Haxhin dhe në Zekatin. Në të gjitha këto, mes nesh dhe tyre dallimi është esencial." (Gazeta El Fadl më: 30 Korrik 1931)
Gjithashtu në të njëjtën gazetë (vëllimi i tretë) është përmendur fjala e tij e cituar si më poshtë: “Mirza është pejgamberi Muhamed (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të)" Ai ka pretenduar se kjo është në pajtim me ajetin kuranor i cili tregon fjalët e Isës (alejhis selam): “Dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed!" (Es Saff: 6) (Shiko librin: “Indharul Hilafe", fq: 21)
Këshilli ka shqyrtuar edhe atë që e kanë shkruar dhe publikuar dijetarët dhe mendimtarët muslimanë të besueshëm për sektin e Kadijanive – Ahmedive për të treguar se ata kanë dalë nga Islami në tërësi.
Duke u mbështetur në këtë, parlamenti rajonal i krahinës së kufirit verior në shtetin e Pakistanit në vitin 1974 mori vendim ku deputetët e tij votuan njëzëri se sekti kadijani konsiderohet si një pakicë jomuslimane. E më pas deputetët e parlamentit shtetëror (i cili përfshin të gjitha krahinat), u pajtuan unanimisht që të konsiderohet sekti kadijani si një pakicë joislame.
I shtohet besimit të tyre edhe ajo që është vërtetuar me citate të qarta nga librat e vetë Mirza Gulam Ahmedit si dhe nga shkresat e tij dërguar qeverisë angleze në Indi, ku përmes shpalljes se ndalohet xhihadi mundohej të përfitonte simpatinë dhe mbështetjen e saj. Ai e mohon idenë e xhihadit me qëllim që t'i bëjë muslimanët lojalë ndaj qeverisë angleze e cila e kishte kolonializuar Indinë, ngase ideja e xhihadit të cilën e kishin përqafuar disa injorantë muslimanë i pengonte nga lojaliteti ndaj anglezëve. Për këtë thotë në shtojcën e librit të tij: “Shehadetul Kuran", botimi i gjashtë dhe faqja 17, siç vijon: “Unë besoj se sa më shumë që shtohen pasuesit e mi dhe të shtohet numri i tyre do të pakësohen ata që besojnë në xhihadin, ngase besimi se unë jam Shpëtimtari (Mesihu) apo Mehdiu e dikton mohimin e Xhihadit." (Shiko gjithashtu shkresën e Prof. Nedeviut të publikuar nga Liga Botërore Islame, fq: 25)
E pasi që Këshilli i Akademisë së Fikhut shqyrtoi këto dokumente dhe dokumente të tjera të shumta të cilat qartazi tregojnë doktrinën e besimit të sektit të Kadijanive, pikënisjen, principet dhe synimet e saj të rrezikshme në rrënimin e besimit Islam autentik dhe largimin e muslimanëve nga ajo me qëllim të konvertimit dhe devijimit. Për këtë, Këshilli unanimisht ka vendosur që:
- Doktrina e besimit të sektit Kadijani dhe të quajtur gjithashtu si Ahmedi, është doktrinë tërësisht jo islame.
- Ata që e përqafojnë këtë sekt janë mosbesimtarë dhe kanë dalë nga feja Islame.
- Shfaqja (pretendimi) e pjesëtarëve të këtij sekti si muslimanë bëhet me qëllim të devijimit dhe mashtrimit.
Këshilli i Akademisë së Fikhut njofton se muslimanët e kanë obligim qoftë si qeveri apo dijetarë, shkrimtarë apo mendimtarë, thirrës dhe të tjerë që t'i kundërvihen këtij sekti të devijuar dhe pjesëtarëve të tij në të gjithë botën.