×
Ky artikull përmban vlerën dhe dispozitat e kurbanit. Autori ka bërë radhitjen e njohurive në këtë artikull sipas jë metodologjie të lehtë dhe e ka përmbyllur atë me sqarimin e rregullave të prerjes së kurbanit për të vdekurit.

    Vlera dhe rregulla të therjes së Kurbanit

    ﴿ الأضحية فضلها وشيء من أحكامها ﴾

    ] Shqip – Albanian – ألباني [

    Irfan Tota

    Rishikoi: Driton Lekaj

    2010 - 1431

    ﴿ الأضحية فضلها وشيء من أحكامها ﴾

    « باللغة الألبانية »

    عرفان توتا

    مراجعة: دريتون ليكاي

    2010 - 1431

    Vlera dhe rregulla të therjes së Kurbanit

    Kurban: është emri i kafshës e cila theret nga kafshët e

    buta, si deveja, lopa dhe të imtat (delet dhe dhitë), ditën e kurban Bajramit pas namazit të bajramit dhe vijon edhe tre ditë tjera që quhen ditët të Teshrikut.

    Deveja dhe lopa mund të bëhet kurban për shtatë persona kurse kafshët e tjera vlejnë vetëm për një person dhe familjen e tij.

    Ky veprim bëhet me nijet për kurban dhe me qëllim afrimin tek Allahu.

    Fjala Kurban vjen nga fjala ‘kurb’, që do të thotë afrim, sepse kurbani theret me qëllim afrimin tek Allahu. Kurse emërtim tjetër në gjuhën arabe është Ud'hije që vjen nga fjala ‘duha’, që do të thotë paradite, sepse ajo është koha e therjes së tij.

    Ligjërimi i therjes kurbanit ..

    Allahu ka thënë: “

    [ فصلّ لربك وانحر ]

    “Falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban!” (El Keuther: 2)

    Gjithashtu Allahu ka thënë:

    “Për çdo popull, Ne kemi caktuar një ritual, që ata të përmendin emrin e Allahut gjatë flijimit të kafshëve, që Ai ua ka dhuruar për ushqim. Zoti juaj është një Zot i vetëm, prandaj vetëm Atij përuluni. Dhe jepu lajme të mira atyre që janë të përulur.” (El Haxh: 34)

    “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij”. (Enam 162-163)

    Po kështu Profeti (alejhis salatu ue selam) ka therur me dorën e tij dy desh, laramanë me brirë. I theri me dorën e tij duke thënë: “Bismilah Allahu Ekber.”

    Pjesa dërrmuese e dijetarëve islamë e shikojnë se therja e kurbanit është një traditë profetike shumë e preferuar ‘Suneh muekede’, madje disa të tjerë, siç është Shejh Uthejmini dhe Medh-hebi Hanefi kanë shprehur mendimin se është detyrë për atë që ka mundësi.

    Forma e therjes ..

    Kur të theret kurbani, kthehet nga Qabja - kibla, thuhet: “Bismil-lah, Allahu Ekber” dhe thuhet: “O Zot ky kurban është për mua dhe familjen time”, siç është edhe tradita profetike. Kjo tregon se për të gjithë familjen mjafton të bëhet një kurban.

    Urtësia e therjes së kurbanit ..

    Disa nga këto urtësi janë:

    * Përmendja e Allahut dhe njësimi i tij. Sepse muslimani që ther një kurban apo edhe çdo kafshë tjetër e ka detyrë që të përmendë Allahun duke thënë bismil-lah.

    * Falënderimi i Allahut për këto begati që na ka dhuruar duke kujtuar se Allahu i krijoi këto kafshë për ne me qëllim që ne t’i shfrytëzojmë për nevojat tona. Për këtë Allahu ka thënë:

    “Kështu pra, Ne i kemi vënë ato në shërbimin tuaj, që ju të jeni mirënjohës.” (El Haxh: 36)

    * Bamirësia ndaj njerëzve, veçanërisht ndaj të varfëve dhe njerëzve në nevojë në këto ditë të begata. Për këtë Allahu ka thënë:

    “Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër!”(El Haxh: 28)

    * Ringjallja e traditës së profetit Ibrahim dhe birit të tij Ismailit, ku Allahu i dhuroi më zëvendësim të therjes së tij një dash të madh. Këtu nuk mund të anashkalojmë historinë e Profetit Ibrahim me djalin e tij Ismailin, siç e ka përmendur Allahu në Kuran:

    “99. Ai tha: “Unë po shkoj te Zoti im. Ai do të më udhëzojë.”

    100. “O Zoti im, dhuromë një fëmijë prej të mirëve!”

    101. Dhe Ne i dhamë lajmin e gëzuar për një djalë të mbarë!

    102. Kur fëmija u rrit aq sa ta ndihmonte në punë, Ibrahimi i tha: “O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të flijoj. Çfarë mendon ti?” – I biri i tha: “O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!”

    103. Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë.

    104. Ne e thirrëm: “O Ibrahim,

    105. Ti e përmbushe ëndrrën.” Vërtet, Ne kështu i shpërblejmë punëmirët!

    106. Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë!

    107. Dhe Ne e zëvendësuam atë (Ismailin) me një kurban të madh,

    108. Dhe i lamë atij (Ibrahimit) kujtim të mirë në brezat e mëvonshëm.

    109. “Paqja qoftë mbi Ibrahimin!”

    110. Ja, kështu, Ne i shpërblejmë punëmirët.

    111. Ai ka qenë vërtet një nga robërit Tanë besimtarë.

    112. Ne i dhamë atij lajmin e mirë për (lindjen e) Is’hakut, profet prej njerëzve të mirë.

    113. Dhe Ne e bekuam atë dhe Is’hakun, por midis pasardhësve të tyre, përveç punëmirëve, ka edhe të atillë që e kanë ngarkuar dukshëm veten me gjynahe.(Es Saf-fat)

    Koha e therjes së kurbanit ..

    Kurbani theret pas faljes së namazit të Bajramit dhe ka afat edhe tri ditë më pas.

    Kushtet që duhet të plotësojë kafsha që do të theret për

    kurban ..

    1. Së pari duhet të arrijë moshën e kërkuar; delja duhet të plotësojë 6 muaj e lart, dhia një vit e lart, lopa dy vjet e sipër dhe deveja 5 vjet e lart. Në këtë mes janë të njëjte si kafsha mashkull apo femër pa dallim mes tyre.

    2. Duhet të jetë pa mangësi trupore, siç është kafsha e sëmurë, kafsha qorre, ajo që çalon shumë, dhe ajo që është e pavetëdijshme për shkak të dobësisë së saj. Muslimani duhet të zgjedhë kafshën më të mire, sepse Allahu nuk pranon vetëm se të mirën. Ashtu siç përzgjedh dhuratën më të mirë për njeriun apo mikun e dashur, atëherë bëj adhurimin më të mirë për Zotin tënd.

    Nëse një musliman dëshiron të there kurban, ai që nga fillimi i muajt Dhul Hixhe, pra 9 ditë para se të there kurbanin, nuk i lejohet që të presë thonjët, flokët dhe qimet e trupit derisa të there kurbanin, sipas thënies së Profetit (alejhi salatu ue selam): “Kur të fillojë 10 ditëshi i muajit Dhul Hixhe dhe dëshiron ndonjëri prej jush të therë kurban nuk duhet të presë qimet dhe thonjët e tij.” (Ahmedi) dhe Muslimi) Ky rregull është vetëm për personin që do ta therë kurbanin me dorën e tij, ndërsa anëtarët e tjerë të familjes e kanë të lejuar prerjen e tyre.

    Urtësia për këtë ndalesë është se përderisa muslimani ka marrë pjesë në disa veprime që kryen haxhiu, siç është therja e krubanit, atëherë i ngjason edhe në ndalimin e prerjes së thonjve dhe qimeve të trupit ashtu siç bën haxhiu gjatë haxhit kur është me ihram.

    Nëse ai që dëshiron të there kurban pret flokët apo thonjtë, nga harresa, padituria apo pa qëllim atëherë nuk ka rënë në mëkat, madje lejohet në rast nevoje.

    Pëlqehet që kurbani të pjesëtohet në tre pjesë; një pjesë e jep sadaka tek të varfrit, një pjesë e dhuron tek të afërmit, miqtë apo të afërmit dhe një pjesë e mban për veten dhe familjen e tij. Dhurata mund të bëhet edhe ndaj jomuslimanit, sidomos kur mendon se afrohet nga islami.

    A lejohet të theret kurbani për të vdekurit?

    Kur themi për të vdekurit, kemi për qëllim që ta therim një kurban në emër të Allahut dhe vetëm për Të, por këtë shpërblim ta bëjmë nijet për të vdekurin dhe nuk është qëllimi që të theret për të. Ndërsa therja e kurbanit për hir të vdekurit dhe në emër të tij, konsiderohet shirk dhe mëkat i madh.

    Meqenëse therja e kurbanit është një formë adhurimi dhe ajo duhet t’i dedikohet vetëm Allahut.

    Dijetari i njohur Salih ibn Muhamed El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) në lidhje me këtë çështje ka thënë:

    1. Të therë kurban për të vdekur me nijet dytësor, kurse nijeti kryesor të jetë për të gjallët, për veten dhe familjen e tij. Kjo është edhe forma e therjes së kurbanit nga Profeti (alejhis salatu ue selam).

    2. Të therë kurban sipas amanetit dhe porosive që ka lënë i vdekuri. Kjo bazohet në fjalën e Allahut: “Kush e ndryshon testamentin pasi e ka dëgjuar, ta dijë se gjynahu është i rëndë për ata që e ndryshojnë! Sigurisht që Allahu i dëgjon dhe i di të gjitha.” (El Bekare: 181) Pra duhet të therë sipas amanetit që ka lënë.

    3. Të therë kurban veçanërisht për t'ia dhuruar shpërblimin e tij të vdekurve. Edhe kjo formë është e lejuar ashtu siç lejohet dhënia e sadekasë për ta. Mirëpo nuk duhet të mendojmë që veçimi i të vdekurve duke therur kurban për ta është nga tradita profetike, sepse kjo formë nuk është praktikuar nga ai për asnjë nga njerëzit e tij të afërt dhe të dashur.

    Disa njerëz nga masa e gjerë mendojnë se kurbani theret vetëm me nijet për të vdekurit dhe kjo nuk është e bazuar asgjëkundi.

    Adhurimet në islam nuk janë thjesht lëvizje mekanike pa ndonjë synim madhor. Adhurimet në vetvete përmbajnë atë që përmirëson individin dhe shoqërinë; përmirësimi dhe rregullimi i zemrës duke arritur të realizojë botëkuptimet e adhurimit të Allahut dhe t'i bindet Atij pa kushte. Pas kësaj arrihet rezultati që është devotshmëria. Për këtë Allahu ka thënë:

    “Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin devotshmëria juaj.” (El Haxh: 37)

    Shejh Sadiu (Allahu e mëshiroftë ) në lidhje me këtë ajet ka thënë: “Adhurimet nëse nuk shoqërohen me sinqeritet dhe devotshmëri, iu ngjajnë lëvoreve pa fruta dhe trupit pa shpirt.”