Qëllimet edukative të Haxhit
Kategoritë
Burime
Full Description
Qëllimet edukative të haxhit
﴿ مقاصد الحج التربوية ﴾
] Shqip – Albanian – ألباني [
Muhamed b. AbdulAziz Esh Shemali
Përktheu: Irfan Tota
Rishikoi : Driton Lekaj
2010 - 1431
﴿ مقاصد الحج التربوية ﴾
« باللغة الألبانية »
محمد بن عبدالعزيز الشمالي
ترجمة: عرفان توتا
مراجعة: دريتون ليكاي
2010 - 1431
Qëllimet edukative të haxhit
Falënderimet janë vetëm për Allahun e lartësuar, një i vetëm dhe i pashoq, paqja dhe mëshira e tij qofshin për Profetin Muhamed dhe të gjithë pasuesit që ecin në gjurmët e tij të ndritura deri në ditën e Gjykimit.
Të flasësh për haxhin, një prej shtyllave më të rëndësishme të fesë islame, do të thotë të flasësh për një nga adhurimet e pandara të fesë islame, madje një nga botëkuptimet e tij të mëdha të cilën e kupton çdo haxhi dhe pelegrin që viziton Qaben e nderuar.
Nuk ka ndonjë haxhi që kryen këtë adhurim, vetëm se do ta ndiejë se ka fituar shumë dobi dhe fryte duke kaluar nga një adhurim dhe rit në një tjetër, gjatë kohës së kryerjes së haxhit. Këto dobi nuk janë të kufizuara vetëm për ata që përjetojnë ato ditë dhe momente të bukura, por ato përfshijnë të gjithë ata që i përkasin kësaj feje.
Në rreshtat e mëposhtëm, do të udhëtojmë së bashku me kuptimet e larta të Haxhit, sekretet dhe dispozitat e tij.
Qëllimi i parë i haxhit: Haxhi është një adhurim i drejtpërdrejtë nga Allahu
Haxhi është një adhurim i cili nuk pranon përpjekje njerëzore përballë teksteve hyjnore. Ligjësimi i adhurimit i takon vetëm Allahut, i cili është vetëm Ai Ligjëvënësi. Allahu i madhëruar ka thënë: “A kanë ata idhuj, të cilët u kanë caktuar një fe që nuk e ka lejuar Allahu?! Sikur të mos kishte qenë Fjala e vendimit të mëparshëm, ata do të ishin gjykuar menjëherë. Për keqbërësit është përgatitur një dënim i dhembshëm.” (Esh Shura: 21)
Këtë e gjë ne e gjejmë mjaft qartë gjatë kryerjes së veprimeve të ndryshme të Haxhit si: tavafi (rrotullimi rreth Qabes) 7 herë apo edhe Saji (ecja mes Kodrave Safa dhe Merue) po 7 herë, gjuajtja e 7 gurëve, qëndrimi në zonën e Arefesë në datën 9 Dhul Hixhe, e të tjera si këto, tregojnë se askush s’ka të drejtë të ndryshojë apo të deformojë atë që ka vënë Zoti si ligj dhe adhurim të caktuar në formën e kryerjes dhe veprimet e tij. Kjo gjë mbjell në veten e çdo muslimani një adhurim të pastër dhe të sinqertë vetëm për Allahun, duke iu nënshtruar plotësisht Atij, duke e ditur se feja është ajo që ka caktuar Allahu dhe jo risitë dhe bidatet që i shpikin vetë njerëzit. Profeti (alejhis salatu ues selam) e ka shprehur qartazi këtë duke thënë: “Ai njeri që bën një veprim që nuk është në përputhje me traditën tonë, ajo punë nuk pranohet.” (Muslimi)
Qëllimi i dytë: Edukata e muslimanit në balancimin e jetës së ti të përditshme.
Feja islame është fe e drejtë dhe e mesme edhe me të drejtat e muslimanit me veten e tij. Islami nuk jep një urdhër që përmban dëm apo është i tepruar, por të gjithë urdhrat dhe ndalesat e tij kanë për qëllim përmirësimin dhe dobinë e atij që i përket kësaj feje. Allahu i madhëruar ka thënë: “Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta. Që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër!” (Haxh: 27-28)
Haxhi bashkon mes të mirave të individit në këtë botë, si shit-blerja, etj, dhe mes qëllimet të vetë këtij adhurimi, haxhit, siç është përmendja e Allahut, falja e namazit, lutjet dhe duatë, etj.
Kjo tregon se feja islame nuk ka ndaluar ndonjë gjë, e që nga ana tjetër të mos lejojë për ne shumë gjëra të tjera, dhe kjo është esenca e përkujdesjes ndaj nevojave që i ka çdo njeri.
Ai që vëzhgon me vëmendje jetën e përditshme të muslimanit gjenë se ai jeton mes disa gjërave të lejuara të cilat janë të domosdoshme për të, dhe mes disa detyrimeve, të cilat duhet që t’i përmbushë me doemos në formën më të mirë. Nga ana tjetër atij i janë ndaluar disa gjëra, të cilat janë një provë për durimin e tij. Megjithatë ai në këtë mënyrë vë një ekuilibër në ushqimin, veshmbathjen e tij, në adhurimin e Zotit, respektin ndaj të tjerëve, vizitat tek të afërmit etj, dhe qëndron larg atyre që janë të ndaluara për të.
Qëllimi i tretë: Parimi i barazisë
Parimi i barazisë së njerëzve mes njëri-tjetrit duket shumë qartë gjatë kryerjes së haxhit, ku të gjithë muslimanët anë e mbanë botës, me racë, ngjyrë dhe gjuhë të ndryshme, tubohen në të njëjtin vend, veshin të njëjtat rroba, bëjnë të njëjtat veprime, në të njëjtën kohë. E gjitha kjo tregon unitetin e tyre në ndjenja, në simbole, unitet në qëllim, në veprime dhe në fjalë.
Këtë parim kaq të lartë e ka shprehur i Dërguari i Allahut (alejhis salatu ues selam) duke thënë: “S’ka dyshim se ju të gjithë vini nga një baba, prandaj nuk ka dallim mes arabit dhe joarabit, e as mes të bardhit dhe të ziut, përveç atij që është i devotshëm dhe ka frikë Allahun.”[1]
Në këtë mënyrë të gjithë edukohen, edhe pasanikët dhe njerëzit me pozitë, sa do që të shtohet pasuria e tyre, apo të ngrihen në poste të larta, tregon se pasuria dhe posti nuk janë njësia matëse për të qenë më i miri dhe më i nderuari. Devotshmëria dhe frika ndaj Allahut, sinqeriteti në adhurim është peshorja që tregon se kush është më i miri.
Shumë nga shokët e Profetit (alejhis salatu ues selam) nuk ishin arab, siç është, Bilali nga Abisinia, Suhejbi romak, apo Selmani persian. Megjithatë ata nuk ecën përpara Ebu Xhehlit, që ishte nga fisi më mirë i arabëve, vetëm se me besimin në Allahun një të vetëm, dhe jo me pasuri dhe pozitë. Për këtë ata fituan edhe shoqërinë e Profetit Muhamed (alejhis salatu ues selam) njeriut më të lartë dhe më të përzgjedhur.
Në këtë mënyrë, haxhi është një ftesë për thjeshtësi dhe modesti, përulje të vetes para Allahut, me qëllim që ta dijë se vërtet kjo botë është e përkohshme dhe e shkurtër.
Qëllimi i katërt: Lidhja vetëm me Allahun dhe largimi nga çdo adhurim i dikujt tjetër.
Haxhi çon një botëkuptim shumë të rëndësishëm në zemrën e çdo haxhiu dhe pelegrini. Që nga fillimi i kësaj shtylle të islamit, kur vesh rrobën e bardhë të haxhit (ihramin), e përforcon në veten e tij lidhjen vetëm me Allahun dhe se një ditë do të kthehet tek Ai. Afrohet tek Ai me vepra të mira dhe me bindje të plotë.
Nëse shikojmë tek veprimet e tjera të haxhit, siç është Tavafi, Sa’ji, qëndrimi në Arefat, gjuajtja e gurëve, etj, gjejmë se të gjitha këto e përforcojnë të njëjtin botëkuptim, siç ka thënë Allahu i lartë: “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve” (El Enam: 162)
Me qëllim që të njësohej besimi i pastër (teuhidi) motoja e haxhit është: Leb-bejkAll-llahum-me lebejk, që do të thotë: Iu përgjigja thirrjes Tënde o Zoti im.
Xhabir ibn Abdullah (Zoti qoftë i kënaqur me të) kur ka përshkruar formën e kryrjes së Haxhi nga Profeti (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Pastaj e filloi haxhin duke thënë me zë të lartë fjalën e teuhidit: “Leb-bejkAll-llahum-me leb-bejk, leb-bejke la sherike leke leb-bejk, in-nel hamde, uen nimete, leke uel mulk, la sherike lek.” kuptimi i së cilës është: “Iu përgjigja thirrjes Tënde o Zoti im, (thirrjes për të kryer haxhin), Ti nuk ke ortak, falënderimi të takon vetëm ty, begatia vjen vetëm prej teje, Ty të takon i gjithë sundimi, Ti nuk ke shok.”
Kjo thënie madhështore është edukim për veten në njësimin e Allahut si një i vetëm, duke ia dedikuar çdo adhurim vetëm Atij, dhe qëndrimi sa më larg nga çdo i adhuruar tjetër pa të drejtë. Për këtë Ibn Kajimi ka thënë: “O Zoti im! Zemrën dhe mendjen time e kam pastruar vetëm për ty dhe e kam vënë mendjen dhe sinqeritetin tim në shërbimin Tënd.”
Qëllimi i pestë: Rrënjosja e parimit: Vërtet, besimtarët janë vëllezër
Kur të gjithë haxhinjtë nga e gjithë bota kanë për qëllim që të shkojnë tek i njëjti vend, në një kohë të vetme, në një formë të veçantë, duke kryer të njëtat adhurime dhe rite, në zemrat e besimtarëve, vërtetohet vëllazëria fetare, e cila i ka bashkuar ata, duke i folur secilit me fjalën “vëlla”, duke përkujtuar kështu, vëllazërimin e shokëve të Profetit (paqja qoftë mbi të), me njëri-tjetrin, që ishte edhe nga nismat fillestare që e realizoi i Dërguari i Allahut (alejhis salatu ues selam) kur erdhi në Medine, duke vëllazëruar emigrantët e Mekës me vendasit e Medines, duke realizuar kështu vëllazërinë e parë në fenë islame.
Le të meditojmë pak më shumë në fjalën e Allahut: “Vërtet, besimtarët janë vëllezër” (El Huxhurat 10). Lidhja që e ka pëlqyer Allahu i lartë për besimtarët, është më e fortë se vëllazëria e gjakut. Sa e bukur është ajo vëllazëri, sepse qëndron në themelet e fesë dhe shtytësi i kësaj lidhje është dashuria për hir të Allahut.
Këtu na vjen në mendje fjala e Profetit Muhamed (alejhi slatu ue selam) i cili ka thënë: “Mos urreni njëri-tjetrin, e as mos e kini zili, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrin dhe jini robër të Allahut dhe vëllezër mes jush.” (Buhariu dhe Muslimi)
Muslimani është i butë me vëllain e tij musliman, e ndihmon në çështjet e tij dhe mërzitet kur mërzitet ai. Kjo është një nga sekretet më të çudtishme të haxhit.
Qëllimi i gjashtë: Njohja mes besimtarëve
Gjatë kryerjes së haxhit vihet re mjaft dallueshëm ky kuptim i lartë, siç tregon Kurani për këtë kur thotë: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.” (El Huxhurat: 13)
Edhe pse gjuhët e vendet ndryshojnë, njohja mes muslimanëve është nga shkaqet më të mëdha që fut ngrohtësinë dhe afrimin mes tyre.
Kjo e vërtetë të bën që të kesh ndjenja sa të sinqerta aq edhe mahnitëse kur dëgjon fjalën e Profetit (alejhis salatu ues selam) kur thotë: “Shpirtrat janë si ushtarët e bashkuar, ata që njihen, afrohen me njëri-tjetrin dhe ata që nuk njihen qëndrojnë larg.” (Muslimi me nr: 2638)
A ka gjë më të bukur kur shpirtrat njihen, afrohen dhe bashkohen nga dashuria që kanë për fenë islame?!
Për besimtarin është më mirë të jetë prej atyre që njerëzit janë të afërt me të dhe e shoqërojnë. Sehl b. Sad Es Saidijj transmeton se Pejgamberi (alejhis salatu ues selam) ka thënë: “Besimtari është i shoqërueshëm dhe nuk ka dobi nga ai që nuk shoqëron dikë apo nuk shoqërohet nga të tjerët.”[2]
Qëllimi i shtatë: Rrënjosja e moralit të lartë dhe edukatës së lavdëruar.
Haxhi është shkolla e moralit dhe mejdani i edukimit të vetes për moralet e larta, gjithashtu largimin nga morali i ulët, ashtu siç ka qenë morali i njeriut më të lartë, Muhamedit (alejhis salatu ues selam), i cili ka qenë ylli ndriçues për çdo njeri që jetonte në errësirën e moraleve të ulëta. Profeti (alejhis salatu ues selam) ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që ka moralin më të bukur.” (Buhariu dhe Muslimi) Apo fjalën tjetër profetike: “Nuk ka gjë që peshon më shumë ditën e Kiametit se sa morali i mirë.”[3]
Nga cilësitë më të rëndësishme me të cilat duhet të karakterizohet çdo vizitor i Qabes janë: Durimi, urtësia, mëshira për të tjerët, dhënia përparësi besimtarëve dhe jo vetes, bashkëpunimi, etj. Allahu i madhëruar ka thënë në lidhje me moralin në Haxh: “Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet. Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di…” (El Bekare: 197)
Qëllimi i tetë: Vijueshmëria në adhurim
Nga frytet më të dallueshëm që vjel haxhiu gjatë kryerjes së Haxhit është vazhdimësia në adhurimin e Allahut edhe pas përfundimit të tij, e cila është një shenjë e pranimit të Haxhit. Kur është pyetur Profeti (alejhis salatu ues selam) se cila punë është më e dashur tek Allahu? Ai u përgjigj: “Ajo është që është e vazhdueshme edhe pse është e vogël.”[4]
Haxhiu gjatë këtyre ditëve kalon nga një adhurim në tjetrin; sapo mbaron një adhurim, kalon tek një tjetër. Me këto veprime, vetja e besimtarit edukohet që të jetë adhuruese dhe të përjetojë ëmbëlsinë e ndërrimit të adhurimeve të ndryshme duke realizuar edhe qëllimin kryesor për të cilën është krijuar i gjithë njerëzimi dhe bashkë me ta edhe xhinët; adhurimin e Allahut si Një të vetëm. Allahu i madhëruar ka thënë: “Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre risk, as nuk dëshiroj që të Më ushqejnë. Vërtet, Allahu është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi.” (Edh Dharijat: 56-58)
Këto sezone adhurimi, Agjërimi, Haxhi, etj, nuk janë veçse për të rinovuar dhe ripërtërirë për çdo besimtar besimin e tij, me qëllim që të ketë gjithmonë lidhja të forta me Zotin e tij dhe të mos e rrëmbejnë errësira e humbjes dhe e devijimit nga rruga e drejtë.
Sa shumë nevojë ka sot musliman që motoja e tij e përhershme të jetë: “Pak vepra të mira, të pandërprera janë më mirë se shumë punë të përkohshme.”
Qëllimi i nëntë: Mësimi i vetes me disiplinë
Kryerja e Haxhit në muajin hënor të Dhul Hixhes, agjërimi në muajin e Ramazanit, kohët e namazit në një kohë të caktuar, apo edhe adhurime të tjera, janë një rrjet adhurimesh që e edukojnë muslimanin që të jetë i disiplinuar dhe korrekt në jetën e tij. Kjo gjë shtohet në ditët e veçanta dhe të nderuara, siç janë ditët e kryerjes së Haxhit, ku secili rit është në kohën dhe vendin e caktuar. Ky përcaktim ka qenë në këtë formë në kohën e Profetit (alejhis salatu ues selam) dhe kështu do të vazhdojë deri në fund pa ndryshuar asgjë, as në kohë dhe as në vend.
Kjo është një ftesë për çdo musliman që të dallohet nga të tjerët për disiplinën dhe korrektesën që duhet të ketë në afatet dhe takimet që ka në jetën e përditshme në marrëdhënie me të tjerët.
Qëllimi i dhjetë: Haxhi të mëson të jesh i rregullt dhe sistematik
Ajo që ka nevojë sot mbarë bota, është që të kenë sa më shumë rregull, gjë e cila ka një rol të dukshëm në zgjidhjen e shumë krizave. Ajo që shikojmë sot, si egoizmi dhe rrëmuja në disa nga shoqëritë tona, është prova më e mirë që tregon se sa larg metodikës hyjnore qëndrojmë ne, e cila nëse do të zbatohej siç duhet, do të siguronte lumturinë e humbur të njerëzimit. Këtë gjë shikon dhe e përjeton haxhiu dhe edukohet gjatë kryerjes së Haxhit.
Kur haxhinjtë janë të shumtë në numër në një vend të veçantë, këtu del haptas ky qëllim në të gjithë spektrat e tij dhe tregon se si duhet të edukohen pasuesit e fesë islame me rregull gjatë jetës së tyre.
Qëllimi i njëmbëdhjetë: Përballimi i kushteve të vështira
Ai që shkon në pelegrinazhin e haxhit, i ndalon vetes së tij shumë nga veprimet e jetës së luksit, të cilat i praktikonte, në shtëpinë dhe vendin e tij, qofshin ato edhe të lejuara, siç është përdorimi i parfumit, heqja e flokëve, etj, të cilat janë të ndaluar për haxhiun. Dhe kjo për ta kalitur muslimanin, duke e nxitur atë për të duruar në rrethana të veçanta që mund të ndodhin më pas.
Po kështu, prania e madhe e njerëzve, vështirësitë dhe mundimet duke kaluar nga një vend në një tjetër, e gjitha kjo e stërvit besimtarin për të përballuar vështirësitë që has në jetën e tij.
Kështu besimtari në haxh kujton ata që jetojnë gjatë gjithë jetës së tyre, në kushte që për ne duken të papërballueshme, kanë nevojë për ushqim, ujë, veshmbathje. Në këtë mënyrë ne duhet të realizojmë një të vërtetë për të cilën na ka ftuar Profeti (paqja qoftë mbi të) kur thotë: “Nuk beson ndonjëri nga ju, deri sa të dojë për vëllanë e tij atë që do për vete.” (Buhariu dhe Muslimi)
Haxhiu e pranon dhe është i kënaqur për rrobat e tij, të cilat nuk janë vetëm se dy copa të mbështjella rreth trupit, një ambient të thjeshtë ku jeton i cili i mjafton sa për të fjetur mjaftueshëm, dhe disa kafshata ushqimi, të cilat jo rrallë herë edhe nuk i përshtaten me ushqimin që përdor në vendin e tij.
Qëllimi i dymbëdhjetë: Heqja e të gjitha motove, përveç një motoje
Jo rrallë herë dëgjojmë, lexojmë apo shikojmë parullat dhe motot e pavlera nga një kohë në tjetrën, që ftojnë tek një racë, popull apo ide të veçantë, e cila fut tek muslimanët me besim të dobët urrejtjen dhe konfliktet duke shtuar edhe më tepër përçarjen dhe largimin e muslimanëve nga njëri-tjetri dhe duke i ndarë në grupe dhe rryma të ndryshme. Në këtë formë armiqtë e fesë islame fuqizohen më shumë dhe e kanë më të lehtë sfidimin e tyre.
Prandaj të gjithë haxhinjë kanë vetëm një moto: Leb-bejkAll-llahum-me leb-bejk.
Ky është një edukim për çdo musliman që të bashkohemi vetëm rreth një motoje, dhe të lëmë pas krahëve të gjitha thirrjet dhe parullat e tjera, të cilat vetëm se shtuan konfliktet dhe përçarjen mes nesh, dhe të realizojmë qëllimin e Allahut në njësimin e tij me dëshminë: “La ilahe il-lAll-llah” - S’ka zot që meriton të adhurohet përveç Allahut. Kështu begatia e fesë islame do të arrijë në çdo skaj të botës.
Qëllimi i trembëdhjetë: Të mësosh veten për të përmendur Allahun
Nga mëshira e pafund e Allahut është se ka caktuar që gjatë gjithë haxhit të përmendet Allahu. Gjatë veshjes së ihramit, përmendet Allahu, në Arefat përmendet Allahu, po kështu në Muzdelife, gjatë qëndrimit në Mina përmendet Allahu, kur gjuhen gurët përmendet Allahu, gjatë tavafit rreth Qabes përmendet Allahu, në ecjen mes kodrave Safa dhe Merue përmedet Allahu. Pra, përmendja e Allahut është lënda e parë për të kryer haxhin siç ka thënë Allahu: “Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër! Disa njerëz thonë: “Zoti ynë, jepna të mira në këtë botë!” Por, për këta, s’ka asnjë të mirë në botën tjetër. Por ka dhe të tjerë që thonë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. Këtyre do t’u jepet shpërblim për atë që kanë bërë. Allahu është i shpejtë në llogari.” (El Bekare: 200 - 202)
E gjitha kjo bëhet me qëllim që zemra të gjejë qetësinë dhe rehatinë e saj, për të cilën dëshmon fjala e Allahut: “Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (Err Rad: 28)
A ka mirësi më të madhe ku gjuha e besimtarit mësohet vetëm duke përmendur Zotin e tij në çdo kohë dhe vend. Allahu i madhëruar thotë: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët. Për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto - lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.” (Ali Imran: 190 - 191)
Të gjithë haxhinjtë e ardhur nga e gjithë bota, nuk e kanë marrë këtë udhëtim kaq të largët e të vështirë vetëm se nga dashuria që kanë për Allahun duke ndjerë ëmbëlsinë e lodhjes që të shpie ne bindjen e Allahut.
Qëllimi i katërmbëdhjetë:: Edukimi i ndërgjegjes
Sa shumë nevojë kanë shoqëritë islame që të dallohen nga të tjerat në adhurimet, zakonet dhe në moralin e tyre. Ky është Haxhi i cili rrënjos tek çdo musliman këto synime fisnike dhe edukatë të lartë, me qëllim që haxhiu të jetë shembulli dhe udhëzuesi më i mirë për atë që e shikon, e takon dhe jeton bashkë me të nga muslimanët dhe njerëzit e tjerë.
Muslimani patjetër duhet që ta edukojë veten e tij dhe të jetë i vetëdijshëm se Allahu e shikon në çdo moment dhe të ketë një ndërgjegje e cila e mënjanon dhe e pengon nga fjalët e pista dhe veprimet e shëmtuara të cilat janë të ndaluara në fenë islame. Në veçanti ruajtjen e shikimit apo marrjen e pasurisë së tjetrit me pa të drejtë, që janë mjaft të lehta për t’u kryer gjatë kryerjes së haxhit.
Qëllimi i pesëmbëdhjetë: Kujtimi i një të vërtete të harruar
Veshja e bardhë e ihramit, i kujton muslimanit diçka që e kemi hequr nga mendja, madje edhe nëse e kujtojmë, nuk na pëlqen që ta përmendim dhe ikim prej saj. Patjetër duhet sjellim në mendjet tona se një ditë do të ndahemi nga kjo botë dhe të kalojmë në një botë tjetër. Allahu për këtë ka thënë: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit; kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.” (Ali Imran: 185)
Kur haxhiu vishet me rrobën e bardhë, në një mënyrë i përngjet qefinit, rrobës së të vdekurit. Gjithashtu edhe numri i madh i haxhinjëve pelegrinë, të cilët i drejtohen Krijuesit për falje dhe mëshirë, të kujton Ditën kur do të tubohen të gjithë njerëzit, ku secili shikon hallet e tij dhe s’do t’ia dijë për të tjerët. Allahu e ka përshkruar këtë gjendje duke thënë: “Ditën, që do të shihni atë, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Njerëzit do t’i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.” (El Haxh: 2)
Për këtë muslimani duhet të jetë i kujdesshëm dhe të qëndrojë sa më afër Zotit të tij dhe të largohet nga kundërshtimi i Tij, duke qenë i përgatitur për këtë të vërtetë në çdo kohë që t’i vijë duke u pajisur me vepra të mira, me të cilat do jetë i lumtur Ditën kur do të takojë Zotin e tij. Prandaj, Profeti (alejhis salatu ues selam) ka porositur duke thënë: “Shtoni sa më shumë përkujtimin e vdekjes.”[5]
Qëllimi i gjashtëmbëdhjetë: Edukimi në miqësinë ndaj besimtarëve dhe distancimin nga pabesimtarët dhe idhujtarët.
Gjatë haxhit vihet në pah një veçori e rëndësishme me të cilën edukohen muslimanët e që përbën metodologjinë që duhet ta ndjekin në jetën e tyre dhe në marrëdhëniet e tyre me të tjerët, e ky është parimi i miqësisë me besimtarët dhe distancimit nga idhujtarët dhe pabesimtarët. Sikur që thotë Allahu i madhëruar: “O ju që besuat, vërtet idhujtarët janë të ndyrë, andaj pas këtij viti të mos i afrohen më xhamisë së shenjtë. Nëse i frikësoheni skamjes, Allahu me dëshirën e vet do t'ju pasurojë me mirësitë e Tij. Allahu është i gjithëdijshëm, është i urtë.” (Et Tevbe: 28)
Në këtë kongres islam nuk prezantojnë vetëm se muslimanët dhe haxhiu ngado që kthen kokën e tij sheh vëllain e tij musliman e kësisoj i shtohet krenaria dhe miqësia ndaj muslimanëve dhe distancohet nga idhujtarët dhe pabesimtarët sado të afërt të jenë dhe me këtë rikujton fjalën e Allahut: “Nuk gjen popull që e beson All-llahun dhe ditën e gjykimit, e ta dojë atë që e kundërshton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, edhe sikur të jenë ata (kundërshtarët) prindërit e tyre, ose fëmijët e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre.” (El Muxhadele: 22)
§ REZYME
Sa të larta janë qëllimet e haxhit, dhe sa fisnike janë synimet e tij, që duhet të jenë të mishëruara tek çdo vizitor i Qabes, me të cilat përfiton me to çdo haxhi kur të kthehet nga ky adhurim madhështor.
I lutemi Allahut që veprat tona të jenë të sinqerta vetëm për Allahun, dhe t’ua pranojë haxhinjve adhurimet dhe haxhin e tyre. Amin.
[1] Transmeton Imam Ahmedi dhe thotë Shejh Shuajb Arnauti se zinxhiri i hadithit është i saktë.
[2] Transmeton Imam Ahmedi në Musnedin e tij dhe hadithin e konsideron të saktë Shejh Albani në Silsiletul Ehadith Es Sahiha me nr: 426.
[3] Transmeton Tirmidhiu dhe Ibn Hibbani dhe hadithin e konsideron të saktë Shejh Albani në Sahihut Tergib vet Terhib, me nr: 2641.
[4] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
[5] Transmeton Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxheh dhe hadithin e konsideron të saktë Shejh Albani në Sahihun Nesaij me nr: 1824.