×
Ky artikull e sqaron zhvillimin historik të festës së Vitit të Ri si dhe tregon rrënjët e saj fetare nëpër histori. Dhe mu për këtë hoxha i nderuar ia tërheq vërejtjen çdo myslimani nga festimi i kësaj feste.

    Viti i Ri, festë krishtero-pagane

    ﴿ عيد رأس السنة الميلادية – عيد نصراني وثني ﴾

    ] Shqip – Albanian – ألباني [

    Ulvi Fejzullahu

    Rishikoi : Redaksia e klubikulturor.com

    2009 - 1431

    ﴿ عيد رأس السنة الميلادية – عيد نصراني وثني ﴾

    « باللغة الألبانية »

    علوي فيض الله

    مراجعة: هيئة تحرير موقع النادي الثقافي - klubikulturor.com

    2009 - 1431

    Viti i Ri, festë krishtero-pagane

    Falënderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, për familjen dhe për shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.

    Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.

    - Festat, pjesë të besimit

    Të nderuar muslimanë!

    Festat tek popujt mund të kenë ngjyra të ndryshme; disa prej tyre kanë karakter dëfrimi dhe disa të tjera shërbejnë për të manifestuar imoralitetin, degjenerimin dhe shfrenimin. Festat flasin për popujt dhe bindjet e tyre fetare.

    'Kur Muhamedi, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, erdhi në Medinë, banorët e saj kishin dy ditë që i festonin dhe ai tha: “Ç'janë këto dy ditë?" Thanë: “Luanim në këto dy ditë në kohën e injorancës (para Islamit)." Atëherë Muhamedi, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, tha: “Allahu ua ka zëvendësuar me dy ditë më të mira se ato, dita e Kurban Bajramit dhe dita e Fitër Bajramit.''[1]

    Fjalët e Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, “Allahu ua ka zëvendësuar me dy ditë më të mira se ato", nënkuptojnë zëvendësimin e asaj që ka qenë para Islamit në kohën e injorancës me dy festa të tjera, që kanë një kuptim tjetër, ku bashkohet ana shpirtërore dhe ajo materiale. Islami me një rregullore precize ndjek rrugën mesatare dhe përjashton çdo element negativ.

    - Dashuria dhe urrejtja

    Dashuria, kënaqësia, miqësia ndaj mosbesimtarëve dhe festimi i festave të tyre është në kundërshtim me mësimet islame. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Mos i zini jehuditë dhe të krishterët për eulija (shokë, miq e mbrojtës). Ata janë shokë, miq e mbrojtës vetëm për njëri-tjetrin dhe nëse ndonjë prej jush i zë ata eulija, atëherë nuk ka dyshim se ai është njëri prej tyre. Sigurisht që Allahu nuk e udhëzon atë popull që është dhalimun (keqbërës, mohues)."[2]

    Përvetësimi i traditave të huaja festive qoftë edhe formalisht mbjell afërsi në zemrat e njerëzve. Pasimin e dëshirojnë të tjerët, por sa do të jenë të kënaqur këtë e vërteton Allahu i Lartësuar: “Kurrë, as jehuditë dhe as të krishterët nuk do të jenë të kënaqur me ty (o Muhamed), derisa ti të ndjekësh fenë e tyre. Thuaju: “Vërtet që udhëzimi i Allahut (Islami, besimi i tillë në Një Zot të Vetëm), ky është udhëzim i vetëm." Dhe nëse ti (o Muhamed) do të ndiqje dëshirat e tyre pas asaj që ti ke marrë nga dija e lartë (Kurani), atëherë nuk do të kishe ndaj Allahut as vali (ruajtës a mbrojtës), as ndihmues."[3]

    Pasimi i të krishterëve nga muslimanët, sidomos në festat e tyre, reflekton gëzimin dhe kënaqësinë; me këtë lartësohen bindjet fetare me prejardhje pagane. Muslimani është i obliguar t'i refuzojë dhe të mos i festojë festat e tyre. Muslimani i vërtetë, që e njeh fenë e vet, duhet t'i dijë rregullat e respektit dhe të dashurisë, se kujt duhet t'ia dhurojë ato.

    Respekti dhe nderi ndaj të krishterëve dhe çifutëve shprehet edhe në disa mënyra të tjera, si: përngjasimi në veshje dhe fjalë, lakmia pas moralit të tyre, etj.. Kur muslimani fillon të marrë pjesë në kremtet fetare të krishtera, ai vlerëson lart kulturën shpirtërore joislame. Imitimi i kulturës së huaj është ndjenjë e ulët e disa muslimanëve, andaj, pasimi i mosbesimtarëve nuk është i pranuar, pa marrë parasysh se a ka të bëjë me gjëra të vogla apo të mëdha.

    - Viti i Ri, festë e krishterë apo pagane?

    Disa muslimanë e festojnë Vitin e Ri duke imituar të krishterët dhe paganët. Kremtimi i Vitit të Ri në bindjen e krishterë ndërlidhet me lindjen e Isait (alejhi selam). Por, në vazhdim, le t'i hedhim një vështrim historik festimit të lindjes së tij.

    - A e festojnë të krishterët realisht ditëlindjen e Isait alejhi selam?

    Në Enciklopedinë Britanike (16/364) shënohet: “Historianët thonë: Mesihu (Jezu Krishti) nuk ka lindur në këtë datë, që sot festohet në tokat krishtere. Etërit e kishës, të shekullit të dytë dhe të tretë, këtë e vërtetojnë duke thënë: “Ajo që quhet ditëlindja e Jezu Krishtit nuk është asgjë tjetër vetëm se një kopje e origjinalit të festimit të paganëve në Evropë para lindjes së Jezu Krishtit."

    I njëjti burim thotë: “Kalendari i festave të krishtera është kopje e ''Kalendarit diellor të Julijusit'', i cili kalendarin diellor e ka prurë në Romë në vitin 46 para lindjes së Jezusit. Viti kishte 365 ditë. Kështu paganët festonin 25 dhjetorin, festën e njohur si ''festa e lindjes së Diellit."

    Enciklopedia Britanike (4/283) thotë: “Ditëlindja e Jezu Krishtit për herë të parë është festuar më 6 janar në vitin 336 (pas lindjes së Isait) në Romë. Më pas kisha perëndimore-katolike në fund të shekullit të katërt feston ditëlindjen e Jezusit më 25 dhjetor, ndërsa kisha ortodokse më 6 janar.''

    Isai alejhi selam sipas historianëve nuk ka lindur në asnjërën prej këtyre datave dhe një e kremte e këtij lloji është trashëgimi e paganëve të Evropës, të cilët kanë festuar një kohë të gjatë para lindjes së Isait alejhi selam.

    - Çfarë simbolizon bredhi?

    Enciklopedia Britanike (3/284) thotë: “Të parët që e përdorën bredhin ishin faraonët dhe kinezët si ''simbol të jetës''. Më pas paganët evropianë filluan ta adhurojnë dhe ta shenjtërojnë. Edhe pasi pranuan Krishterimin, e përdornin bredhin në shtëpi dhe e zbukuronin atë. Dhe më vonë, në shek. 16, në Gjermaninë Perëndimore bredhi mori emrin ''bredhi i parajsës'', ku varnin qirinjtë. Kjo ide depërtoi në Angli në shek. 19."

    Ky është historiku i bredhit, i cili e ka burimin tek idhujtarët evropianë. Me kalimin e tyre në Krishterim, edhe bredhi u krishterizua. Sot bota e krishterë bredhin e konsideron simbolin më kryesor të fesë, që është huazuar nga idhujtarët evropianë dhe për një dru të tillë harxhojnë me miliona euro.

    - Baba Dimri (Santa Claus)

    Legjenda thotë: “Baba Dimri, një njeri i moshuar me mjekër të bardhë e të gjatë dhe me rroba të kuqe, jeton në Polin e Veriut me gruan dhe bashkëpunëtorët, ku udhëheqin një punëtori gjigante që prodhon lodra për fëmijë. Dhe natën e Vitit të Ri, Baba Dimri udhëton me saj (slitë), të cilin e tërheqin tetë drerë dhe kalon pranë çdo shtëpie duke u dhuruar dhurata fëmijëve. Pasi zgjohen nga gjumi, ata gëzohen për dhuratat."

    Këtë legjendë përrallash një pjesë e fëmijëve e beson. Vlen të përmendet edhe testi i një kanali televiziv amerikan, që ka intervistuar disa të moshuar- 90% e tyre besonin se ekziston Baba Dimri!

    Kështu edukohen fëmijët me legjenda dhe gënjeshtra, por më e çuditshme është kur edhe të rriturit i besojnë kësaj!

    - Përngjasimi me jobesimtarët

    Një fatkeqësi që ka kapluar shoqërinë muslimane është edhe përngjasimi i verbër me jobesimtarët duke i imituar ata në shumë gjëra, madje edhe në festat e tyre. Një pjesë e njerëzve mendojnë se një kulturë mund të merret dhe të imitohet, por shpirti i asaj nuk mund të ndikojë edhe aq.

    - Të nderuar besimtarë!

    Muslimanët kanë një program tjetër jetësor, ku nuk lejohet pasimi dhe përngjasimi me jobesimtarët. Allahu i Lartësuar thotë: “...Për secilin prej jush, Ne caktuam ligje dhe program..."[4]

    Allahu i Lartësuar i drejtohet Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, duke i thënë: “Pastaj Ne të vendosëm ty (O Muhamed) në udhë të qartë të urdhërimit Tonë të rrugës së fesë (në atë rrugë të cilën Ne ua urdhëruam të gjithë të Dërguarve para teje duke u përcaktuar ligjet dhe rrugën e vënies në jetë të besimit të pastër islam në Një Zot të Vetëm). Ndiq pra edhe ti atë dhe mos u shko pas dëshirave të atyre që nuk dinë. Vërtet që ata nuk të vlejnë ty aspak ndaj Allahut (nëse Ai do të ndëshkojë ty). Vërtet që dhalimunët (mohuesit, mosbesimtarët, keqbërësit) janë eulija (mbrojtës e ndihmues) të njëri-tjetrit, por Allahu është Vali (Mbrojtës e Ndihmues) i muttekinëve (i të përkushtuarve ndaj Tij në Besimin e pastër islam)."[5]

    Ndërsa Muhamedi, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kush i përngjan një populli, ai është prej tyre."[6]

    “Nuk është prej nesh ai që u përngjan të tjerëve përveç nesh. Mos u përngjani çifutëve dhe të krishterëve."[7]

    Muhamedi, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, na ka tërhequr vërejtjen duke thënë: “Do të pasoni adetet e atyre që kanë qenë para jush pëllëmbë pas pëllëmbe e kut pas kuti, saqë po të hynin ata në vrimën e hardhucës, edhe ju do t'i pasoni ata." I thamë: “Kush janë ata, çifutët dhe të krishterët?" Tha: “Kush tjetër përpos tyre?"[8]

    Parimet e Islamit na bëjnë të ditur se imitimi dhe përngjasimi me jobesimtarët trashëgon bindjen e respektit, të afërsisë dhe të pikëpamjeve të tjera në besim. Gjithë këto argumente ndalojnë imitimin dhe përngjasimin me jobesimtarët në qëllimet dhe veprat e tyre.

    - I nderuar besimtar, ki kujdes!

    -Mos i ligjëso festat e paligjshme. Allahu është i hidhëruar nga veprime të tilla.

    -Çdo popull ka festat e veta fetare, mos u pajto me festat krishtero-pagane.

    -Festimi i festave të tyre është mëkat i madh.

    -Nuk lejohet pjesëmarrja në mbrëmjet festive si dhe këmbimi i kartolinave, i mesazheve dhe i pakove të Baba Dimrit.

    - Sjellja e mirë

    Miqësia dhe mirësjellja duhet të dallohen dhe çdonjëra të ruajë pozitën e vet. Sjellja e bukur, maturia, besnikëria, shitblerja, drejtësia janë parime që duhet të manifestohen te të gjithë njerëzit pa dallim ngjyre dhe feje. Këto janë standardet që kërkohen prej muslimanit. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk ju ndalon që ju të bashkëpunoni në drejtësi e mirësi me ata të cilët nuk ju luftuan për çështje të fesë dhe nuk ju dëbuan nga shtëpitë tuaja. Vërtet që Allahu i do ata që bashkëpunojnë me barazi."[9]

    Mosbesimi apo besimi tjetër nuk janë pengesë për t'iu shmangur parimeve të përgjithshme të lartpërmendura.

    - Përfundim

    Të nderuar muslimanë!

    Shpëtimi dhe krenaria e muslimanëve është në pasimin dhe jetësimin e parimeve islame, kurse imitimi dhe përngjasimi me të tjerët sjell nënçmimin, ngushtimin dhe robërimin. Sot popujt vuajnë dhe kanë kriza nga më të ndryshme, si: ideologjike, morale, shpirtërore, politike dhe sociale. Vetëm Islami ofron zgjidhjen adekuate për në rrugën e drejtë reale.

    “Dhe vërtet, kjo është Rruga Ime e Drejtë, kështu që ndiqeni atë dhe mos ndiqni rrugë të tjera pasi ato do t'ju ndajnë e t'ju largojnë nga udha e Tij. Këtë jua ka urdhëruar Ai që të mund të bëheni muttekinë (të përkushtuar në besimin e pastër islam)."[10]

    Islami, fe e plotësuar dhe e kompletuar, nuk ka nevojë për plotësime shtesë.

    “Këtë ditë Unë e përsosa fenë tuaj për ju, plotësova mirësinë Time mbi ju dhe zgjodha për ju Islamin fe."[11]

    Islami ka ngërthyer në vetvete nevojat njerëzore që nga lindja deri në vdekje. Ka sistemuar jetën shoqërore, ekonomike, politike dhe kulturore duke rregulluar edhe festat fetare.

    "Thuaj: “Sigurisht falja ime, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e aleminit (njerëzve, xhinëve dhe gjithçkaje që ekziston). Ai nuk ka asnjë shok e të barabartë me Të dhe për këtë unë jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Vullnetit të Tij si musliman."[12]

    - Të nderuar muslimanë!

    “Unë vetëm dëshiroj përmirësimin për aq sa janë mundësitë e mia më të mira. Dhe udhëzimi im nuk mund të vijë përveçse nga Allahu, tek Ai unë mbështetem dhe Atij i kthehem me pendim."[13]

    __________________________

    [1] Transmeton Ebu Davudi.

    [2] Maide, 51.

    [3] Bekare, 120.

    [4] Maide, 48.

    [5] Xhathije, 18-19.

    [6] Transmeton Ebu Davudi.

    [7] Transmeton Tirmidhiu.

    [8] Transmeton Buhariu.

    [9] Mumtehine, 8.

    [10] Enam, 153.

    [11] Maide, 3.

    [12] Enam, 162-163.

    [13] Hud, 88.