×
Këshilla të sinqerta dhe udhëzime të drejtpërdrejta drejtuar të gjithë të rinjve të cilët nuk e mendojnë Ramazanin si muaj të ndryshimit dhe pendimit të sinqertë.

    Vetëm për të rinjtë në Ramazan

    ﴿ للشباب فقط في رمضان ﴾

    ] Shqip – Albanian – ألباني [

    Muhamed b. Abdullah Ed Duvejjish

    Përktheu: Bekir Halimi

    Redaktoi : Redaksia e albislam.com

    2009 - 1430

    ﴿ للشباب فقط في رمضان ﴾

    « باللغة الألبانية »

    محمد بن عبد الله الدويش

    ترجمة: بكر حليمي

    مراجعة: هيئة تحرير موقع albislam.com

    2009 - 1430

    Vetëm për të rinjtë në Ramazan

    O djalosh!

    Para disa ditëve e pritëm muajin e bekuar të Ramazan. Ky muaj ka domethënie të madhe te unë dhe te ti. Ti sikurse edhe mbarë myslimanët, pa dyshim se je gëzuar me ardhjen e këtij muajit të ndershëm.

    Më gëzon pa masë fakti se në këtë muaj të bekuar kam mundësinë që të drejtohem me gjërat më të shtrenjta që i posedoj dhe me gjërat më të ndershme që i kam, duke ecur rrugës së çiltërsisë dhe bisedës nën dritën e diellit.

    Çiltërsia mundet të jetë e hidhur, mirëpo frytet i ka të ëmbla. Të gjithë ne i kemi përjetuar këto momente të hidhura nga shkaku i mbulimit të metave dhe kemi përjetuar fatkeqësinë e varrosjes së gabimeve me pretekst të sjelljes së mirë. Kam shpresë se gjoksi juaj do të jetë i gjerë që të dëgjojë atë që të them.

    Devotshmëri, mirëpo ...

    Vëllai im, djalosh!

    Të gjithë e shohim një pamje të caktuar në muajin e Ramazanit. Vërejmë djelmoshat, të cilët janë larguar nga rruga e Zotit, të fundosur në kënetën e epsheve, i bën mëkatet e mëdha, nuk i kryen obligimet e domosdoshme, ky djalosh fillon e interesohet për gjërat shumë të imta që kanë të bëjnë me agjërimin. p.sh: nëse duke marrë abdes i rrjedhin nga hunda disa pika gjak, pa qëllim, a ndikon kjo në agjërimin e tij ose jo? Duke ecë në rrugë, më hyri në fyt pluhur, a e prish kjo agjërimin ose jo? Ai këto pyetje i bën me seriozitet dhe është i gatshëm që të merr përsipër përgjegjësinë e pyetjes, qoftë kompensimi ose shpagimi.

    Të pyesësh për gjëra të cilat janë të paqarta për ty në çështjet e adhurimit është princip të cilin ne nuk duhet ta refuzojmë dhe se rënia e ndokujt në mëkate nuk është arsyetim që ai mos të interesohet për adhurimet dhe mos të pyet për to.

    Mirëpo, a nuk pajtohesh me mua se shembulli i këtij djaloshi jeton në kundërthënie, të cilës nuk mundesh ti gjesh sqarim?!

    Pse tregohet i devotshëm këtu, pyet dhe sigurohet për gjërat e dyshimta, kurse me qëllim dhe me insistim e bën atë që e di me siguri se është e ndaluar, madje edhe mëkat prej mëkateve të mëdha?!

    Disiplinë e çuditshme

    Disa djelmosha kur t’i ndalosh prej mëkateve ose kur t’i urdhërosh për ndonjë adhurim, ata arsyetohen duke thënë se ne jemi plotësisht të bindur në këtë qe e thua, mirëpo epshi e ka sunduar dhe nuk ka mundësi ta disiplinon vetveten. Disa herë, në shikim të parë, ky arsyetim duket i logjikshëm, mirëpo kur të shohësh gjendjen e këtij djaloshi me agjërimin, sheh një logjikë tjetër.

    Në momentin kur thërret ezani i namazit të sabahut, ai përnjëherë ndalet nga ushqimi edhe në qoftë se në dorë ka kafshatën e parë, pasi që është ngritur vonë. Ose mbetet në sofrën e iftarit dhe nuk ka guxim që ta zgjas dorën para se ta dëgjon ezanin, e gjatë ditës pa marrë para sysh se sa e ka lodhur agjërimi, se sa është etur, ai as që mendon ta prish agjërimin dhe të tejkalon kufijtë. A nuk mendon se kjo sjellje është shumë e pëlqyer dhe pa dyshim se tregon se ai ka forcë për të kontrolluar vetveten dhe për të ngadhënjyer ndaj epshit të tyre? Agjërimi, djelmosha, na jep mësim se ne kemi mundësi, me lejen e Allahut, që ta disiplinojmë vetveten dhe të ngadhënjejmë mbi epshin tonë.

    A i ke parë ata?

    Vëlla, pse nuk urdhëron një herë, e të vizitosh xhamitë, ku imamët e kanë zërin e bukur dhe me ndikim, e të shohësh grumbullin e djelmoshave të rinj?! Ata janë të vendosur për të qëndruar para Allahut [subhanehu ve teala] në atë namaz edhe po që se zgjat deri në syfyr, kurse në anën tjetër kemi djelmosha të cilët tërësisht e kanë lënë namazin me xhemat. Këta djem të xhamisë, vazhdimisht i sheh në adhurime të llojllojshme dhe të ndryshme, në kohë kur të tjerët i kalojnë netët e Ramazanit në gjëra krejtësisht pa vlerë.

    Pse nuk ia parashtron vetvetes këtë pyetje, ti që e humb kohën duke shëtitur nëpër qytet, nga kafeneja në tjetrën: A nuk mundem të jem edhe unë njëri prej tyre? Si arritën këtë sukses ata? Edhe ata jetojnë në këtë shoqëri ku jetoni edhe ju, edhe ata kanë epshe sikur ju, edhe ata ballafaqohen me pengesa sikurse ju!

    A nuk mund të durojmë atë që duruan ata?

    Vëlla i nderuar!

    Të shumtë janë ata djelmosha që ishin të lajthitur, në rrugë të neglizhencës, të dhënë pas mëkateve dhe epsheve, e pastaj All-llahu i udhëzoi, e u ndryshua gjendja e tyre dhe u fut në karvanin e burrave të mirë, të nënshtruar dhe që i frikohen Allahut, [subhanehu ve teala].

    Ndoshta ndonjëri prej tyre është shoku yt. Si ka mundësi që të arrijnë sukses ata në kalimin e këtyre pengesave e të tjerët dështojnë?! Pse ata mundën të pendohen, kurse të tjerët nuk munden?!

    Te shumë djelmosha pengesë nga pendimi dhe zbatimi i urdhrave të Zotit nuk është mosbindja, por ndjenjat se nuk kanë mundësi për ndryshim. A nuk është ky yrnek shembull i mirë për të dhe argument se mos mundja është vetëm iluzion, të cilin vet e ka krijuar.

    Para se të vyshket lulja

    Vëllai im i nderuar, e ke pa atë që i është kërrusur shpina, e shkopi është bë element i pandarë i jetës së tij, vitet e gjata i kanë lënë mbresat e veta në fytyrën e tij, vallë kështu ka lindur? Ose një ditë ka qenë i fuqishëm dhe aktiv? A nuk e di se edhe ne do të arrijmë në këtë gjendje, nëse nuk na vjen exheli. Atëherë na shkon ndriçimi dhe na dobësohet gjallërimi. Vëlla, çka mund të ndodh nëse e shfrytëzojmë kohën e rinisë në adhurime para se të na kalon kjo kohë dhe ta kërkojmë, mirëpo atëherë kot do të jetë.

    Edhe për rininë, ku e kemi kaluar

    Vëlla i dashur, sigurisht se e mban mend mirë fjalën e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]:

    { لن تزول قدما عبد يوم القيامة حتى يسأل عن أربع عن عمره فيما أفناه ، وعن شبابه فيما أبلاه ، وعن ماله من أين اكتسبه وفيما أنفقه }.

    “Nuk do të lëvizin këmbët e robit në Ditën e Kiametit derisa nuk pyetet për katër gjëra: për jetën e tij ku e ka kaluar, për rininë ku e ke harxhuar, për pasurinë ku e ka fituar dhe ku e ka shpenzuar”.

    Nëse mendojmë seriozisht rreth realitetit tonë, a do të mundemi të gjejmë përgjigje bindëse, shpëtuese para Atij që nuk mund t’i fshehët asgjë. Jeta jonë në kohën e rinisë a është e atij rangu që mundet të na ofroj sukses kalimtar në këtë provim?! A nuk e shihni se para nesh kemi një mundësi të madhe për të shfrytëzuar rininë dhe për tu përgatitur për këtë provim?

    Njëri prej shtatë personave

    Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] na ka lajmëruar se në Ditën e Kiametit: “Dielli do të afrohet mbi njerëz sa një mile, e lodhja dhe djersa do të arrijnë kulmin”. Dhe se në këtë ditë ka njerëz që do të jetojnë nën hije të Allahut, e prej tyre është edhe:

    { شاب نشأ في طاعة الله عز وجل }

    “I riu që është rritur në adhurim ndaj Allahut [subhanehu ve teala].

    Çka të pengon që të bëhesh ti njëri prej tyre?!

    Çka qëndron mes teje dhe mes kësaj gjendjeje?!

    Rishikoj llogaritë dhe përmirëso rrugën, e bëre këtë muaj shans për të arritur në këtë gradë.

    Gjëja më e madhe që mundesh ta ofrosh në këtë muaj

    Vëlla, sigurisht se ke pa se si njerëzve u është ndryshuar gjendja në këtë muaj. Xhamitë janë mbushur me njerëz, shumë njerëz janë të preokupuar me leximin e Kuranit, vendet e shenjta janë përplot me njerëz që bëjnë tavaf dhe itikaf, shumë pasuri jepet sadaka dhe për bamirësi. Njëri lexon Kuran, tjetri fal namaz, i treti jep sadaka, i katërti bën lutje…

    Ku është vendi yt në mesin e tyre?

    A nuk ke kërkuar vend në këtë hartë.

    A nuk është puna më e mirë që e bën dhe realizimi më i mirë që e ofron pendimi i sinqertë dhe lajmërimi se do të ecish në karvanin e burrave të devotshëm?!

    Para se të befasojë shkatërruesi i kënaqësive e t’ia japësh lamtumirën kësaj bote, bëri vetvetes qëllim në këtë muaj të bekuar të Ramazanit, sepse ti ke mundësi ta bësh këtë, me lejen e Allahut.

    Pendimi dhe afati i imagjinuar

    Shumë djelmosha janë të bindur me gabimet e veta dhe shpreson ndryshimin, mirëpo prêt kohën e përshtatshme, e ajo është vdekja e ndonjë të afërmit ose ndodhia e ndonjë fatkeqësie, ose ta tronditë ndonjë moment, i cili e thërret në pendim. Mirëpo çka do të bëhet gjendja kur i vdekuri do të jetë vet ky njeriu, nga i cili do të marrim mësim të tjerët?!

    Paska qenë me të vërtetë ajo ndodhia të cilën e ka pritur, por me te i erdhi edhe fundi!

    Vëllai im, dije se në këtë botë e ke vetëm një mundësi, andaj kjo çështje nuk ofron mundësi për të rrezikuar!

    Pse nuk vendosim që tani të pendohemi dhe të ecim rrugës së përqendrimit?

    Vendimmarrja mundet të jetë i rëndë dhe i vështirë për shpirtin, ka pasoja dhe flijim, mirëpo fundin e ka të lavdëruar dhe frytet i ka të bollshme, me lejen e Allahut.

    Për këtë të vendosim në këtë muaj që të pendohemi dhe të nisemi rrugës së adhurimit dhe ngjitjes në shkallët e ngritjes tonë dhe arritjes së lartësirave të xhenetit.

    All-llahu na bëftë nga të tillët. Amin.