×
Gënjeshtra është veti e keqe dhe ligësia e saj është e njohur. Dukuria e rrenës shfaqet edhe te fëmijët dhe shumë prindër edhe pse shqetësohen nga kjo dukuri gabojnë në trajtimin e saj. Për këtë, autori sqaron tetë llojet më të njohura të gënjeshtrës te fëmijët dhe pastaj ofron shërimin e kësaj dukurie përmes dhjetë pikave të ndryshme, me një sqarim të qartë dhe gjithëpërfshirës.

    Gënjeshtra te fëmijët

    - shkaqet dhe trajtimi i saj -

    ﴿ الكذب عند الأطفال ﴾

    ] Shqip – Albanian – ألباني [

    Muhamed b. Abdil-lah Ed Duvejjish

    Përktheu: Driton Lekaj

    2011 - 1432

    ﴿ الكذب عند الأطفال ﴾

    « باللغة الألبانية »

    محمد بن عبد الله الدويش

    ترجمة: دريتون ليكاي

    2011 - 1432

    Gënjeshtra te fëmijët- shkaqet dhe trajtimi i saj

    Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve dhe lavdërimi e shpëtimi qofshin për zotërinë tonë, Muhamedin - vulën e profetëve si dhe mbi familjen dhe tërë shokët e tij, e më pas:

    Ligësia e gënjeshtrës është e njohur dhe e ditur për të gjithë ata që posedojnë mendje të shëndoshë, edhe para se të vinte sheriati e ta përbuzte atë. Nuk ka argument më të fortë se gënjeshtra është e përbuzur se sa fakti që edhe njeriu më gënjeshtar nuk pranon që ajo ti atribuohet atij.

    Shumë prindër shqetësohen nga gënjeshtra e fëmijëve të tyre por, ata në të shumtën e rasteve e klasifikojnë gënjeshtrën te fëmija brenda një rrethi të vetëm dhe e trajtojnë atë njësoj në të gjitha rastet.

    Llojet e gënjeshtrës te fëmijët:

    Dukuria e gënjeshtrës te fëmijët nuk është e njëllojshme dhe ajo klasifikohet në disa mënyra, por klasifikimi më i njohur është ai që bazohet në qëllimin i cili e shtyn fëmijën ta përdorë gënjeshtrën.

    1. Gënjeshtra imagjinative: shpeshherë buron nga ata fëmijë që shquhen për kreativitet apo që posedojnë imagjinatë të gjerë. Fëmija ndoshta imagjinon diçka dhe e shndërron atë në realitet.

    Prej shembujve për këtë është: Nëse familja e një fëmije trevjeçar e sjellin një dash me brirë për festë të bajramit, e pastaj ai fillon të qajë dhe të thotë se e ka parë një qen me brirë.

    Ky lloj, realisht, nuk konsiderohet gënjeshtër. Roli i prindërve me këtë rast është që në përputhje me moshën e fëmijës ta udhëzojnë atë se si të bëj dallimin mes fantazisë dhe realitetit, si dhe është gabim të akuzohet se po gënjen apo të ndëshkohet.

    2. Gënjeshtra për shkak të ngatërrimit: Ndodh që te fëmija të përzihet imagjinata dhe realiteti dhe mund të mos ta bëj ndarjen mes tyre për shkak të aftësive të dobëta mendore. Ndodh që ai ta dëgjon një përrallë apo një fabulë dhe pastaj e rrëfen sikur të kishte ndodhur realisht apo bën ndryshime në personazhet dhe skenat e saj, qoftë duke i shtuar apo anashkaluar në përputhje me zhvillimin e tij mendor.

    Ndonjëherë e sheh ndonjë ëndërr dhe e transmeton atë sikur të kishte ndodhur në të vërtetë. Një fëmijë kishte parë në ëndërr se shërbëtorja e kishte rrahur dhe ia kishte thyer lodrën e tij dhe kur u zgjua këmbëngulte se ajo e kishte bërë këtë.

    3. Gënjeshtra me qëllim të pretendimit apo shtirjes: Fëmija e bën këtë i shtyrë nga ndjenja e mangësisë para të tjerëve (kompleksi i inferioritetit) apo privimit. Në këtë rast, ai kur flet për gjërat e shumta që i posedon i zmadhon ato. Ai ju flet fëmijëve se ai posedon lodra të shumta dhe të çmuara apo ju flet për babanë dhe pasurinë e tij apo për shtëpinë e tyre dhe kur i përshkruan ato e ekzagjeron bisedën.

    Prej formave të gënjeshtrës me qëllim të pretendimit apo shtirjes që ndodh shumë te fëmijët është shtirja se është i sëmurë kur të shkon në shkollë.

    Ajo që e shtyn fëmijën ta përdorë gënjeshtrën me qëllim të pretendimit apo shtirjes janë dy çështje:

    E para: Mburrja apo dëshira për të qenë një hap me moshatarët e tij të cilët i flasin për prindërit, shtëpitë apo lodrat e tyre.

    E dyta: Tërheqja e simpatisë së prindërve kah vetja. Ky lloj ndodh shpesh te fëmijët të cilët ndjejnë se po bëhet dallim mes tyre dhe vëllezërve apo motrave të tyre.

    Prindërit duhet t’i kuptojnë shkaqet që e kanë shtyrë ta bëjë këtë dhe t’i shërojnë ato. Ata nuk duhet të përqendrohen në vetë gënjeshtrën por, duhet të përqendrohen në përmbushjen e nevojave të cilat i ka humbur fëmija dhe si pasojë e kanë shtyrë ta ushtrojë këtë lloj të gënjeshtrës

    4. Gënjeshtra me qëllim interesi: Fëmija e bën këtë kur ta ndjen se prindërit janë pengesë e mosrealizimit të synimeve të tij. Për këtë, ndoshta kërkon të holla për diçka ndërsa ato i nevojiten për diçka tjetër.

    Shembull për këtë gjithashtu është: kur fëmija dëshiron ta blejë një lodër dhe e sheh se prindi i tij nuk do të pajtohet me këtë, atëherë me qëllim që t’i merr të hollat nga prindërit dhe ta blejë këtë lodër pretendon se në shkollë u kanë kërkuar një shumë të të hollave.

    5. Gënjeshtra me qëllim të hakmarrjes: Shpeshherë lind kur ka diferencim dhe padrejtësi mes fëmijëve qoftë në shtëpi apo në shkollë. Ndoshta fëmija dëmton apo prish diçka e më pas e akuzon vëllanë apo kolegun e tij dhe zakonisht akuza ju drejtohet atyre që marrin vlerësim apo kujdes më të shtuar se të tjerët.

    6. Gënjeshtra me qëllim të parandalimit të dënimit: Fëmija e përdor këtë si rezultat i frikës nga ndëshkimi, qoftë ndëshkimi nga prindërit apo mësuesi dhe kjo lloj gënjeshtre paraqitet në shkollat e djemve më tepër se në ato të vajzave. Gjithashtu, zakonisht kjo ndodh në mjediset të cilat veçohen me ashpërsi në edukim dhe përdorim të shpeshtë të ndëshkimit.

    7. Gënjeshtra si pasojë e imitimit: Ndodh që djali apo vajza ta sheh ndonjërin nga prindërit duke përdorur gënjeshtrën ndaj të tjerëve dhe i imiton ata. Kjo e arrin kulmin kur fëmija gënjen pa ndonjë qëllim vetëm se për të imituar prindërit e tij.

    8. Gënjeshtra që shndërrohet në sëmundje apo gënjeshtra kronike: Ajo është gënjeshtra e cila rrënjoset te fëmija sa që bëhet veti e pandashme e tij. Këta fëmijë zakonisht karakterizohen me aftësi për të gënjyer sa që është vështirë të zbulohet se kur flasin të vërtetën dhe kur gënjejnë.

    Cila nga këto lloje është më e përhapura?

    Shumica e studimeve të bëra rreth gënjeshtrës te fëmijët tregojnë se shkaku më i përhapur prej këtyre shkaqeve është gënjeshtra me qëllim të parandalimit të dënimit dhe llogaritet me 70 %, ndërsa me 10 % llogaritet gënjeshtra për shkak të ngatërrimit dhe 20 % e gënjeshtrave vijnë si pasojë e mashtrimit, dinakërisë dhe urrejtjes.

    Shërimi

    Gënjeshtra është veti e përfituar ajo nuk lind me njeriun por, ai e mëson dhe e përfiton atë. Nisur nga ky fakt duhet që patjetër prindërit të kujdesen që t’i edukojnë fëmijët e tyre në sinqeritet dhe të trajtojnë seriozisht rastet e gënjeshtrës të cilat shfaqen te fëmijët e tyre, ashtu që gënjeshtra të mos rritet së bashku me ta dhe të bëhet pjesë e sjelljes së tyre e që pastaj iu vjen vështirë të heqin dorë dhe ta lënë atë.

    Prej metodave të rëndësishme në trajtimin (shërimin) e dukurisë së gënjeshtrës te fëmijët janë:

    1. Kuptimi i shkaqeve të cilat i shtyjnë fëmijët të gënjejnë dhe klasifikimi i gënjeshtrës të cilën e përdor. Mënyra e trajtimit të gënjeshtrës imagjinative dhe asaj që rrjedh si pasojë e ngatërrimit dallon nga trajtimi i gënjeshtrës për shkak të hakmarrjes, interesit apo gënjeshtrës që është shndërruar në sëmundje kronike.

    2. Të kihet në konsideratë mosha e fëmijës dhe kjo është më se e rëndësishme në gënjeshtrën imagjinative apo atë që vjen si pasojë e ngatërrimit, ngase fëmija në moshën e hershme nuk mund të dalloj mes të vërtetës dhe imagjinatës (fantazisë).

    3. Përmbushja e nevojave të fëmijës qofshin ato trupore, shpirtërore apo shoqërore. Shumë prej rasteve të gënjeshtrës te fëmijët ndodhin si rezultat i mungesës së këtyre nevojave dhe mosplotësimit të tyre.

    4. Fleksibiliteti dhe toleranca me fëmijët dhe ndërtimi i raporteve miqësore me ta, ngase kjo u krijon qetësi shpirtërore. Në të kundërtën, metodat e ashpra lindin te ta shqetësimin dhe frikën për këtë mundohen që përmes gënjeshtrës të shpëtojnë nga dënimi, hakmarrja apo mundohen të përfitojnë simpatinë e prindërve e cila ju mungon.

    5. Kurrsesi nuk duhet të dënohet fëmija nëse e tregon të vërtetën. Duhet të kujdesemi për t’ia falur dënimin apo për t’ia lehtësuar atë, ashtu që të mësohet ta thotë të vërtetën. Nëse fëmija dënohet kur e flet të vërtetën kjo do ta shtyn atë, në të ardhmen, që ta përdor gënjeshtrën për të shpëtuar nga dënimi.

    6. Mos miratimi i gënjeshtrës te fëmija apo të qeshurit kur ai gënjen! Ndodh që në ndonjë rast fëmija të gënjej dhe kjo të nxit admirimin e prindërve apo edhe të qeshurat e tyre dhe ky miratim i tyre vetëm se e forcon te fëmija qëndrimin e tij ndaj gënjeshtrës dhe kësisoj ai do të mundohet të përfitoj edhe admirimin e të tjerëve.

    7. Frikësimi i fëmijës nga gënjeshtra dhe njoftimi i tij me ligësinë dhe të këqijat e saj. Për këtë mund të përdoret fakti që është përmendur në Kuran se Allahu i ka mallkuar gënjeshtarët si dhe ajo që është vërtetuar në traditën profetike - Synet se gënjeshtra është veçori e dyfytyrëshave si dhe që ajo nxit në mëkat .. etj.

    8. Fëmijës duhet t’i tërhiqet vërejtja kur gënjen dhe duhet të jemi të vendosur nëse momenti e kërkon një gjë të tillë – duke e marrë në konsideratë shkakun e cili e ka shtyrë të gënjej dhe llojin e saj – dhe ndoshta edhe duhet ta dënojmë, ngase nëse gënjeshtra zhvillohet te ai tepër, atëherë është vështirë të shpëtohet nga ajo në të ardhmen dhe i bëhet veti e pandashme.

    9. Shembulli (modeli) i mirë; Prindërit duhet t’i shmangen gënjeshtrës para fëmijës apo nuk duhet ta urdhërojnë atë të gënjej, sikur që ndodh nga disa prindër të cilët e urdhërojnë fëmijën të gënjej për t’u arsyetuar para atij që troket në derë apo thërret në telefon.

    Ajo që duhet të potencohet është se duhet të largohemi nga gënjeshtra ndaj vetë fëmijës! Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka ndaluar nga kjo vepër. Abdullah b. Amir (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmetohet se ka thënë: “Një ditë më ka thirrur nëna ime dhe Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ishte musafir te ne. Nëna më tha: Eja te unë të të jap diçka. Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) i tha asaj: Çka do t’i japësh? Ajo i tha: Desha t’ia jap një hurme. Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) i tha: “Po të mos i kishe dhënë atij diçka do të të regjistrohej ty një gënjeshtër.” (E shënon Ahmedi dhe Ebu Davudi)

    10. Përmbushja e premtimit të dhënë ndaj fëmijës, ngase fëmija nuk di të dalloj mes asaj kur t’i i tregon për diçka apo kur e ke njëmend dhe ndoshta nuk mund ta vlerësoj arsyetimin e prindërve në mospërmbushjen e asaj që i kanë premtuar dhe e llogarit këtë si një gënjeshtër prej tyre.

    Ebul Ahves transmeton nga Abdullah b. Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë: “Keni kujdes nga rrëfimet, rrëfimet që përmbajnë gënjeshtra, sepse gënjeshtra nuk bën të përdoret as në seriozitet as në shaka dhe mos ju premtoni fëmijëve tuaj diçka që nuk do t’ua përmbushni pastaj.”[1]

    Nga Allahu vjen suksesi dhe lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi Pejgamberin, familjen dhe shokët e tij.

    - Referencat :

    1. “Bazat e shëndetit mental” [أسس الصحة النفسية ] i AbdulAziz El Kausi

    2. “Gënjeshtra në sjelljet e fëmijëve”[الكذب في سلوك الأطفال] i Muhamed Ali Kutb dhe të tjerë, publikim i shtëpisë botuese ‘El Ubejkan’.

    3. “Pse gënjejnë fëmijët?” [لما ذا يكذب الأطفال؟] i Melak Xherxhes, publikuar nga shtëpia botuese ‘El Liva’.

    [1] “Revaja”: Ibn Ethiri thotë se ky është shumësi i fjalës “Revijje” që d.m.th. ajo që e njeriu e fsheh në veten e tij prej fjalëve apo veprave d.m.th. mendon ta bëjë apo e sajon. Disa kanë thënë: Kjo fjalë është shumësi i fjalës: ‘Ravijetun’ d.m.th njeriu që rrëfen shumë dhe shkronja ‘haun’ është për të treguar superlativin. Apo është shumësi i ‘Ravijetun’ d.m.th. ata që rrëfejnë gënjeshtra apo gënjeshtra është shumë prezente në rrëfimet e tyre.