A dëgjojnë të vdekurit?
Kategoritë
Full Description
A dëgjojnë të vdekurit?
﴿ هل يسمع الموتى؟ ﴾
] Shqip – Albanian – ألباني [
Muhamed Nasirud-din El Albani
Përktheu: Driton Lekaj
2011 - 1432
﴿ هل يسمع الموتى؟ ﴾
« باللغة الألبانية »
محمد ناصر الدين الألباني
ترجمة: دريتون ليكاي
2011 - 1432
A dëgjojnë të vdekurit?
Pyetja: A dëgjojnë të vdekurit?
Përgjigja: Në betejën e Bedrit Allahu i lartësuar e shkatërroi parinë e fisit Kurejsh dhe ata u hodhën në pusin e Bedrit të quajtur El Kalib. Pasi që përfundoi beteja, i Dërguari i Allahut qëndroi buzë kalibit dhe i thirri jobesimtarët të vdekur, që ishin hedhur aty, me emrat e tyre, duke thënë: “Unë e kam gjetur të vërtetë atë që ma ka premtuar Zoti im, po juve a ju doli e vërtetë ajo që ua ka premtuar Zoti juaj?
Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) tha: O i Dërguar i Allahut! Ti je duke thirrur trupa në të cilat nuk ka shpirtra? Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) me këtë tregonte për atë që e kishte mësuar nga Pejgamberi (alejhis salatu ues selam) dhe mjafton për këtë fjala e Allahut të lartësuar: “Ti nuk mund t'i bësh të dëgjojnë të vdekurit, e as nuk mund ta bësh të shurdhëtin ta dëgjojë thirrjen" (En Neml: 80) dhe fjala e Tij qoftë i lartësuar: “E ti nuk mund ta bësh të dëgjojë ai që është në varr." (Fatir: 22) dhe për këtë i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) i tha Umerit: “Atë që po ua them as ti nuk e dëgjon më mirë se sa që ata e dëgjojnë."
Kjo është mrekulli e Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) pasi që Allahu u ka mundësuar atyre ta dëgjojnë zërin e tij. Këtë mendim e vërteton fakti që Imam Ahmedi e ka transmetuar këtë tregim me zinxhir të saktë në librin e tij “El Musned" ku shënon se Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë gjithashtu: “E të vdekurit nuk dëgjojnë", ndërsa Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) iu përgjigj sikurse u përmend në hadithin e mëparshëm.
Kjo do të thotë se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ia ka miratuar atij këtë shprehje si të saktë por, e ka përkufizuar me një kusht shtesë, e ai është: Të vdekurit nuk dëgjojnë, përveç këtyre që janë këtu.
Për këtë, në rrugën e transmetimit të këtij tregimi prej Katades nga Enes b. Malik, në Sahihun e Buhariut, Katade thotë: “Allahu i ka ngjallur dhe i ka bërë ta dëgjojnë zërin e tij (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) si përçmim, ndëshkim dhe përbuzje për ta."
Ndërsa hadithi të cilin e shënon Buhariu në “Sahihun" e tij, ku i Dërguari (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: “Me të vërtetë, kur i vdekuri të vendoset në varr dhe të largohen njerëzit prej tij, ai i dëgjon trokitjet e nalleve të tyre ndërsa ata kthehen." Ky rast përbën një përjashtim prej rregullës së përgjithshme, e që është: “Të vdekurit nuk dëgjojnë", ngase ai thotë: “Atëherë" kur ata t'ia kthejnë shpinën. Pra, ai vetëm me këtë rast i dëgjon trokitjet e nalleve të tyre, d.m.th. kur të kthehen mbrapa dhe largohen.
Kjo është një ndër çështjet e fshehta (gajbit) - në Berzeh - dhe nuk është mirë të zgjerohemi shumë rreth tyre si dhe është obligim të ndalemi në atë që e thotë teksti.