×
Agjërimi i ka dispozitat e tij të cilave duhet t’iu përmbahet çdo agjërues por, që agjërimi i tij të mos ketë fatin e urisë dhe etjes vetëm agjëruesi duhet t’iu përmbahet disa porosive të cilat i japin kuptim të veçantë agjërimit të tij e për të cilat edhe flet ky artikull i hoxhës së nderuar Ekrem Avdiu.

    Porosia e muajit të mëshirës

    ﴿ وصية شهر الرحمة ﴾

    ] Shqip – Albanian – ألباني [

    Ekrem Avdiu

    Rishikoi : Redaksia e fjalaebukur.com

    2009 - 1430

    ﴿ وصية شهر الرحمة ﴾

    ] Shqip – Albanian – ألباني [

    أكرم عبدي

    مراجعة: هيئة تحرير موقع fjalaebukur.com

    2009 - 1430

    Porosia e muajit të mëshirës

    Myslimani mes agjërimit formal dhe atij qenësor

    S’do mend se agjërimi në aspektin juridik i ka rregullat e veta të cilave duhet të u përmbahen agjëruesit, por kjo përmbajtje duhet të jetë domethënëse për ata, përndryshe, humbja e këtij kuptimi të agjërimit, më shumë do të ishte uri dhe etje. Të agjërosh, në Islam është të heqësh dorë nga disa gjëra që rëndom janë të lejuara dhe jo vetëm kaq por ato janë të domosdoshme për të jetuar. Ushqimi dhe pijet janë elemente të rëndësisë vendimtare për të vazhduar jeta fizike e individit, ndërsa marrëdhëniet intime bashkëshortore janë të domosdoshme për të vazhduar të jetojë lloji njerëzor. Pra, prej këtyre gjërave të domosdoshme duhet të abstenojë agjëruesi për të fituar kënaqësinë e Allahut.

    Mu këtu qëndron porosia e agjërimit. Abstenimi (për një kohë të caktuar) nga e lejuara, që nganjëherë është e domosdoshme duhet të na mësojë që përgjithmonë të heqim dorë nga e keqja dhe e ndaluara. Kjo kohë e Ramazanit është shans që njeriu të ndryshojë në aspektin pozitiv, të fitojë vetëbesim në procesin e largimit nga veset dhe veprat e këqija, të kuptojë edhe praktikisht se nëse ka mundësi që të durojë pa ushqim dhe pije dhe gjëra të lejuara për një kohë të caktuar, ai ka mundësi të qëndrojë pa ato gjëra të cilat jo vetëm që nuk i ka të domosdoshme por janë edhe të dëmshme për të dhe atë në kohë të pacaktuar. Agjërimi i jep myslimanit një vullnet dhe vendosmëri të këtillë. Ai e bënë atë që në mënyrën më të lehtë dhe efikase t’i nënshtrohet Krijuesit të qiejve dhe tokës, Allahut Fuqiplotë.

    Agjërimi kultivon tek myslimani edhe një ndjenjë tjetër të rëndësisë vendimtare për të qenë mysliman, ndenjën e mbikëqyrjes së vazhdueshme nga Allahu. Kjo ngase agjërimi është vepër tejet diskrete. Nuk ka mundësi që njeriu të dëshmojë për tjetrin se është duke agjëruar ngase nevojitet një informim i hollësishëm, gjithëpërfshirës për tërë lëvizjet e njeriut gjatë ditës për të vërtetuar se nuk ka ngrënë, nuk ka pirë dhe nuk ka bërë asgjë që është në kundërshtim me rregullat e agjërimit. Madje, edhe sikur të ishte e mundur një gjë e tillë (përcjellje e vazhdueshme) prapë nuk do të ishim në gjendje të konfirmojmë se personi në fjalë është duke agjëruar apo jo, sepse për agjërim nevojitet nijeti, informatë kjo tek e cila nuk kemi qasje assesi.

    Këtë ka mundësi ta dijë vetëm Allahu. Këtu qëndron dhe forcohet raporti mes njeriut dhe Allahut shikuar nga këndi i shërbyesit (njeriu) dhe shpërblyesit dhe mbikëqyrësit (Allahu). Islami insiston, e kjo te agjërimi është shumë e dukshme, që tek myslimani të mbjellë dhe kultivojë ndjenjën e mbikëqyrjes së vazhdueshme nga Allahu i Madhërishëm. Të kuptuarit dhe të jetësuarit e kësaj ndjenje do të rregullonte në mënyrë të mrekullueshme jetën e njeriut, ngase ai që jeton me ndjenjën dhe vetëdijen e këtillë, e ka parasysh se gjithnjë është nën mbikëqyrjen e Allahut. Kësisoj, ai nuk bën keq as publikisht e as kur është në vetmi derisa mundohet vazhdimisht t’i afrohet Allahut me vepra të mira.

    I pyetur nga Xhibrili se çka është ihsani (bamirësia), i Dërguari i Allahut ka thënë:

    “Të adhurosh Allahun sikur ta shohësh sepse edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty.” (Buhariu dhe Muslimi) Këtë bamirësi, si shkallë më e lartë e ngritjes dhe afrimit të myslimanit tek Allahu, më së miri e mësojmë nëpërmjet agjërimit. Përndryshe, çka e pengon njeriun që kur është i uritur apo i etur të hajë e të pijë nëse jo vetëdija e tij se Allahu e sheh dhe e përcjellë vazhdimisht. Duke u nisur nga kjo, çdonjëri duhet të motivohet që në veprimtarinë e tij të synojë kualitetin maksimal të veprave, që ato t’i bëjë sa më mirë që është e mundur. Myslimani, i motivuar nga ndjenja se është nën mbikëqyrjen permanente të Allahut duhet orvatur që çdo vepër të mirë në jetën e tij ta bëjë maksimalisht mirë, me veprat dhe angazhimin e tij duhet të synojë përsosmërinë.

    Këtë kuptim i kanë dhënë dijetarët dhe njohësit e hadithin fjalës së Allahut që shënohet në hadithin kudsijj:

    “Çdo vepër e njeriut i takon atij, përveç agjërimit, i cili më takon Mua dhe Unë shpërblej për të.” (Buhariu dhe Muslimi) Kjo është kështu ngase në agjërim myslimani nuk mund të bëjë syfaqësi. Kjo është një vepër e cila mund të bëhet vetëm me sinqeritet ose të mos bëhet fare, në të nuk ka aspak hapësirë për hipokrizi.

    Në të vërtetë, këtë mësim do të duhej ta kuptonin myslimanët dhe mbi këtë moto (të ihsanit-bamirësisë) do të duhej ta ndërtonin jetën e tyre. Këtë udhëzim profetik duhet kuptuar si shpirt të ibadetit, por jo në kuptimin e ngushtë të tij.

    Unë jam agjërues, unë jam agjërues

    Ekziston një lidhje shumë konkrete në mes të adhurimeve në Islam dhe raporteve ndër njerëzore. Thënë ndryshe, rezultatet e veprave që urdhërohen nga Allahu janë të shumanshme. Agjërimi, përveç asaj që u përmend, ka edhe ndikim të pamohueshëm në etikën dhe sjelljen e agjëruesit. Ai e bënë atë të durueshëm dhe tolerant, ashtu që edhe provokimet dhe ngacmimet e jashtme i përballon me zemërgjerësi dhe butësi. I Dërguari i Allahu thotë:

    “Kur dikush prej juve të jetë agjërueshëm mos të flasë fjalë e as të bëjë punë të këqija. Nëse dikush e ofendon apo e sulmon, le të thotë: Unë jam agjërues, unë jam agjërues.” (Buhariu)

    Shumica e problemeve dhe mosmarrëveshjeve në mes njerëzve vijnë si pasojë e mos tolerancës, me ç’rast të dy palëve në konflikt u duhet shumë pak që ai të marrë përmasa të palakmueshme dhe të dalë prej kontrollit. Në anën tjetër, vetëm pak tolerancë dhe durim, qoftë edhe i njëanshëm, është garanci për evitimin e konflikteve çfarëdo qofshin ato. Agjëruesi, bazuar në udhëzimin profetik, duhet të veprojë në këtë mënyrë. Ai duhet të bëhet shembulli i durimit dhe tolerancës, duhet të jetë i pari që lëshon pe. Madje, pasi që t’i ketë praktikuar, këto vlera, ai duhet t’i proklamojë edhe teorikisht duke i treguar atij që i qëndron përballë se kjo mirësi buron prej agjërimit dhe është për hir të Allahut. Me këtë veprim, fitimi do të jetë i shumanshëm, agjëruesi fiton shpërblim, shpirti i tij fisnikërohet dhe pajiset me durim e tolerancë, e në anën tjetër edhe personi tjetër do të ndikohet nga veprimi i këtillë, e nëse jo atëherë nga fjalët.

    Rëndësinë e këtij veprimi e konfirmon urdhri i përmendur dy herë në hadithin: “Le të thotë: Unë jam agjërues, unë jam agjërues.”

    Durimi në muajin e durimit

    Në disa hadithe, muaji Ramazan është quajtur muaji i durimit (shehrus-sabër).

    “Agjërimi i muajit të durimit dhe të tri ditëve nga çdo muaj e largon të keqen e zemrës.” (Ibnu Hibbani) Madje, edhe disa komentatorë të Kur’anit, i kanë dhënë të njëjtin kuptim ajetit të kaptinës Bekare:

    “Ne gjithsesi do tu sprovojmë me frikë, uri dhe mungesë të pasurisë, fëmijëve dhe fryteve. Andaj përgëzoji durimtarët.” (Bekare, 156) Taberiu dhe disa tjerë janë të mendimit se durimi i përmendur në ajet ka kuptimin e agjërimit.

    Është interesant të tërhiqet një paralele mes durimit dhe agjërimit dhe të kuptohet praktikisht lidhshmëria mes të dyve. Që të dy, në të vërtetë kanë shumë çka të përbashkët dhe kjo i bën gati një tërësi e pandashme. Për të agjëruar, pas motivit, faktori më vendimtar është durimi. Ai që nuk mund të qëndrojë pa ngrënë dhe pa pirë, të durojë pa iu afruar bashkëshortes së vet në ditën e Ramazanit, nuk mund të agjërojë. Në anën tjetër, agjërimi na përgatitë që të jemi më të përpiktë në adhurim dhe përulje ndaj Allahut. Ai na i mëson të dy format e sabrit: sabrin në kryerjen e obligimeve dhe zbatimin e urdhrave dhe atë në të përmbajturit nga ndalesat.

    Durimi dhe qëndrueshmëria në kryerjen e obligimeve si dhe shfaqja e përuljes maksimale ndaj Allahut rezulton me hyrjen në xhenet që duhet të jetë synimi i secilit mysliman. Allahu i Madhëruar thotë:

    “Kush e respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij do të jetë me ata që Allahu u ka dhënë begati: të dërguarit, të sinqertit, dëshmorët dhe njerëzit e mirë. Sa shoqëri e mirë janë ata.” (Nisa, 69)

    “Kush e respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Ai do ta fusë atë në xhenete nën të cilët rrjedhin lumenj. Aty do të qëndrojnë gjithmonë dhe kjo është fitorja e madhe.” (Nisa, 13)

    Nëpërmjet durimit, myslimani e fiton një beneficion shumë të veçantë, të cilin madje nuk mund ta ketë askush tjetër përveç tij. Fjala është për ballafaqimin e drejtë me sprovat e kësaj bote, qofshin ato të mira apo të këqija. I Dërguari i Allahut thotë:

    “Është për çudi puna e besimtarit, e tërë jetë e tij është hajër (mirë) për të. Nesë i ndodhë një e mirë ai falënderon dhe është mirë për të dhe nëse i ndodhë një e keqe ai duron dhe kjo prapë është mirë për të. Kjo nuk i ndodhë askujt përveç besimtarit.” (Muslimi)

    Sabri i myslimanit duhet të manifestohet në të gjitha veprimet e jetës së tij pa përjashtim, por ai në mënyrë më të dukshme vërehet në:

    - Gatishmërinë për sakrificë në rrugën e Allahut duke ditur se e vlefshmja nuk arrihet pa sakrifikuar të dashurën.

    - Angazhimin për të prezantuar sa më drejt Islamin dhe për të thirrur në të. Të gjithë e dijnë se burimi i fuqisë së të dërguarve, pas ndihmës së Allahut, ishte Sabri i tyre në rrugën e përhapjes së fesë dhe thirrjes në të.

    - Shqetësimet që njerëzit mund t’ia shkaktojnë agjëruesit në formë të ofendimeve, sharjeve apo edhe tendencave për ta sulmuar. I Dërguari i Allahut thotë:

    “... e nëse dikush e ofendon apo sulmon le të thotë: Unë jam agjërues, unë jam agjërues...” (Muslimi),

    - Cytjet dhe animet epshore kah gjërat e ndaluara, ngase me agjërim epshi dhe dëshirat e ulëta të njeriut vihen nën kontroll ashtu që ato nuk duhet asgjësuar në tërësi ngase nuk është prej objektivave të Islamit, por duhet orientuar pozitivisht dhe kështu jeta e njeriut do të bëhet e suksesshme. I Dërguari i Allahut thotë: “O ju rini, kush ka mundësi le të martohet ngase kjo i ndihmon ta ruaj shikimin dhe të mbrohet nga e shëmtuara. E kush nuk ka mundësi le të agjërojë ngase ai është dobësim i epsheve.” Buhariu dhe Muslimi)

    Kujt i mbyllen dyert e zjarrit dhe i prangosen djajtë?!!

    “Kur të vijë Ramazani hapen dyert e mëshirës, mbyllen dyert e skëterrës dhe lidhen me zinxhirë djajtë.” (Buhariu dhe Muslimi) Ka edhe versione tjera të këtij hadithi që përmendin dyert e xhenetit në vend të dyerve të mëshirës, prangosjen e djajve në vend të lidhjes, etj.. Me rëndësi është të kuptohet domethënia e këtyre fjalëve. Duke mos u thelluar në atë se lidhja me pranga e shejtanëve a është reale apo vetëm një alegori, vlen të mendohet rreth asaj se si ka mundësi të ndodhë një gjë e tillë.

    Në të vërtetë, vërehet një rënie e dukshme e praktikimit të së keqes nga ana e myslimanëve gjatë muajit të Ramazanit dhe kjo dëshmon rënien e ndikimit të fuqive të errëta e nxitëse kah e keqja, e në krye të këtyre fuqive padyshim shejtanët si kuptim real e jo si simbolik. Allahu i Gjithëmëshirshëm e zvogëlon ndikimin e tyre tek robërit e Vet dhe kjo rezulton me ngritje të nivelit të devotshmërisë tek myslimanët, përballë rënies së intensitetit të mëkatimit.

    Mirëpo, gjatë kësaj kohe hasim në një realitet i cili na bën të pyetemi: Nëse shejtanët lidhen gjatë këtij muaji, si ka mundësi që të shohim njerëz, madje edhe prej myslimanëve, duke bërë mëkate të llojllojshme?! Përgjigja do të ishte se djajtë prangosen dhe paralizohen nga aktiviteti i tyre karshi agjëruesve që agjërimin e kanë kuptuar dhe e praktikojnë si adhurim qenësor e jo vetëm formal. Njerëzit e këtillë janë shumë më rehat nga cytjet dhe ndikimet e shejtanëve sesa të tjerët.

    Në anën tjetër ka edhe njerëz të atillë që janë aq të shfrenuar dhe larg rrugës së Allahut, sa që, thënë logjikisht, shejtanët edhe nuk preokupohen shumë me ta ngase ata vetë e marrin rolin e shejtanit në praktikimin dhe stimulimin e të keqes. Tek të këtillët nuk ka dallim se a është Ramazan apo kohë tjetër, ngase ata dirigjohen vetëm nga epshet dhe ëndjet e tyre. Ndërgjegjja, arsyeja, e aq më pak mësimet hyjnore që burojnë nga shpallja, nuk janë pjesë e tërësisë komanduese në sjelljet dhe veprimet e tyre.

    Në mes të këtyre dy llojeve të njerëzve ekziston një kategori tek e cila hasim në anim kah e mbara dhe prirje për të mbrapshtën.

    Ata që rëndom janë të këtillë, në Ramazan bëhen më të mirë se sa janë zakonisht. Kjo është ngase ndikimi i shejtanëve tek këta zvogëlohet por nuk neutralizohet në tërësi. Për këtë arsye i shohim duke u falur dhe shkuar në xhami, ani pse jo me rregull dhe njëkohësisht nuk heqin dorë nga disa mëkate të qarta. Tek të këtillët, Ramazani, nëse shfrytëzohet si duhet mund të shënojë kthesë të dukshme në përmirësimin e mënyrës së jetesës.

    Porosia e tërë kësaj do të duhej të ishte se Allahu po e tregon mëshirën e Vet ndaj njerëzve vazhdimisht, e në këtë rast duke i hapur dyert e xhenetit, mbyllur dyert e xhehenemit dhe duke i neutralizuar shejtanët. Ky rast duhet të shfrytëzohet prej të gjithëve për të krijuar një avantazh në fisnikërim të shpirtit, pastrim të veprave dhe moralit si dhe afrim tek Allahu. Shejtanët janë zotuar se nuk do të na lënë rehat, andaj Ramazani duhet shfrytëzuar për tu mbrojtur sa më mirë prej tyre. Edhe për kohët e tjera.

    Dhjetë netët dhe Nata e Kadrit

    Njeriu ka prirje të çmojë gjënë e vlefshme dhe nëse e di se atë e ka për një kohë të kufizuar, ai mundohet që gjatë asaj kohe maksimalisht ta shfrytëzojë dhe të përfitojë prej saj. Muaji i Ramazanit është një dhunti përkohësisht e limituar. Duke qenë se myslimanët janë pjesërisht të vetëdijshëm rreth kësaj, Allahu i Madhëruar e ka bërë dhjetëditëshin e fundit të tij më të vlefshëm se ata paraprakë. Madje këtë pjesë e ka begatuar edhe me Natën e madhe të Kadrit.

    I Dërguari i Allahut ka thënë: “Ju erdhi juve muaji i Ramazanit. Muaj i bekuar, agjërimin e të cilit Allahu ua obligoi, hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit dhe prangosen shejtanët. Në të është një natë e cila është më e vlefshme se njëmijë muaj. Kush privohet prej mirësisë së kësaj nate është privuar nga mirësia në tërësi.” (Ahmedi)

    Në këtë pjesë, të tretën e të fundit, myslimani duhet angazhuar edhe më tepër ngase e di se këtij sezoni të fitimit të madh po i afrohet fundi, andaj duhet grumbulluar sa më shumë rezerva prej veprave të mira të cilat janë të domosdoshme në rrugëtimin e gjatë drejt ahiretit. Ajo që transmetohet nga i Dërguari i Allahut dëshmon se intensiteti i adhurimeve dhe veprave fisnike në këtë kohë duhet të rritet, qoftë edhe në llogari të rehatisë relative dhe disa kënaqësive të lejuara. Aisheja tregon se:

    “Kur fillonte dhjetëditëshi i fundit, i Dërguari i Allahut e shtrëngonte rripin, e ngjallte natën me adhurime dhe e zgjonte familjen.” (Buhariu dhe Muslimi)

    Kjo ngjallje e natës nënkupton përkushtim edhe më i madh ndaj adhurimit dhe veprave të mira që do të shërbente sikur të i thuhet lamtumira këtij muaji të bekuar. Praktikisht, kjo i ngjanë rastit kur njeriu përshëndetet me dikë që e do shumë për t’i thënë lamtumirën dhe me atë rast ai e përqafon dhe e shtrëngon fort. Kështu duhet myslimani në ditët e fundit të përgatitet t’i thotë lamtumirën Ramazanit. Lotët do të konfirmonin edhe më fortë dashurinë dhe ndjenjën e dhembjes me rastin e ndarjes.

    Në këtë kohë fshihet Nata e Kadrit, margaritari i vitit dhe jetës së myslimanit. Urtësia pse kjo natë nuk është definuar me saktësi qëndron në faktin se angazhimi më i mirë është ai që është i vazhdueshëm, e të mos bëhet vetëm për një natë.

    Thjesht, Nata e Kadrit nuk dihet saktësisht se kur është me qëllim që myslimanët ta kërkojnë atë gjatë gjithë Ramazanit, e në veçanti gjatë dhjetë netëve të fundit të tij. Vlera e kësaj nate kuptohet nga ajeti:

    “Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj.” (Kadër, 3) Do të ishte humbje e madhe për njeriun që të lëshojë rastin pa përfituar nga Nata e Kadrit, nga mirësitë e saj. Për këtë arsye ai që veten privon nga e mira e saj nuk do të mundet të arrijë kurrë mirësinë e vërtetë.

    Në këtë muaj dhe në këtë natë ka filluar zbritja e Kur’anit që është “Udhëzim për njerëzit dhe sqarues e dallues i të mirës nga e keqja”. (Bekare, 185) Kjo konfirmohet në tri ajete nga tri sure të ndryshme të Kur’anit: Bekare, 185; Duhan, 3 dhe Kadër, 1-5.

    Përkujtimi dhe manifestimi i zbritjes së Kur’anit duhet të përmbajë në vete një porosi shumë praktike dhe konkrete, ngase ai nuk duhet të jetë vetëm një prej kremteve të zakonshme me të cilat njerëzit i shënojnë përvjetorët e ngjarjeve të mëdha.

    Ajo porosi, në fjalë të shkurtra do të ishte një qasje më respektuese ndaj Kur’anit nga ana e myslimanëve. Ai duhet të përjetohet ashtu si e kanë përjetuar gjeneratat e para të myslimanëve, se është porosi nga Allahu për ta, për të cilën kanë medituar natën dhe e kanë praktikuar ditën. Kjo natë duhet të jetë momenti i vendimtar i kthimit kah e vërteta me vendosmëri të plotë dhe vullnet të pathyeshëm. Këtu duhet vendosur që Kur’anit t’i jepet hapësira e merituar në jetën tonë, që ai të na udhëheqë në rrugën tonë drejtë Allahut, që është rruga e vetme e suksesit dhe përparimit.

    Mos e humb shpresën nga mëshira e Krijuesit

    Përsosmëria është një virtyt që duhet të synohet prej secilit ani pse për njeriun është e paarritshme. Kjo është kështu ngase njeriu në natyrën e tij i ka disa dobësi që atë e bëjnë të mos mashtrohet e të mundohet të dalë nga rangu i krijesave. Lëshimet dhe gabimet janë evidente në jetën dhe veprimtarinë e njeriut. Allahu e ka krijuar të këtillë. Në anën tjetër do të ishte e padrejtë, gjë që Allahut assesi nuk i takon të jetë, sikur, ajo që është në natyrën e njeriut të ishte e papërmirësueshme. Mëshira e pakufishme e Allahut manifestohet edhe në faktin se kur njeriu gabon, e pastaj kthehet dhe i kërkon falje dhe ndjesë Atij, Ai e falë. Madje vet kthimi dhe pendimi ndikon që mëkati të shlyhet ndërsa pendimi çmohet si vepër shumë e mirë.

    Allahu na ka treguar shumë për mëkatet dhe na e ka tërhequr vërejtjen prej tyre. Bazuar në këtë, njeriu gjatë jetës së tij duhet të jetë shumë i kujdesshëm. Mirëpo nuk mund të hasim diku që Allahu i Madhëruar të ketë kërkuar prej njerëzve që të jenë të pagabuar, ngase një gjë e tillë për njeriun është e pamundur, e prej neve nuk kërkohet e pamundura. Prej neve kërkohet që vendosmërisht të heqim dorë prej mëkateve në tërësi, e nëse ndodhë që të gabojmë pa dashje, duke qenë neglizhentë, apo në gjendje të dobësisë, rrugëdalja prapë është tek Allahu.

    Gabimin më të madh që mund ta bëjë njeriu është orvatja e tij për tu arratisur nga Allahu, me qëllim të gjetjes së strehimit dhe shpëtimit diku tjetër. Duke bërë mëkat pas mëkati, njeriu përnjëherë e sheh veten buzë humnerës. Në anën tjetër edhe shejtani mundohet ta përdorë një adut shumë të fortë të vetin, e ai është humbja e shpresës nga mëshira e Allahut, ashtu që njeriun ta hedhë në greminë. Strehim dhe shpëtim nga Allahu duhet të kërkojmë vetëm tek Allahu sepse vetëm aty edhe mund ta gjejmë. Të strehohemi tek mëshira e Allahut dhe falja e Tij, nga zemërimi dhe ndëshkimi i Tij.

    Nëse e lexojmë Kuranin do të hasim në citatet të cilat në mënyrë pozitive e ngacmojnë shpresën e njeriut. Ato citate insistojnë që njeriu në momentin e vetëdijesimit për rrezikun e mëkateve dhe lajthitjeve të ndryshme të vendosë t’i braktisë ato menjëherë dhe t’i drejtohet Allahut që ta pranojë në mëshirën e Vet. Në mëshirën e Tij ka vend për të gjithë, për ata që kanë shumë mëkate, madje edhe për ata, mëkatet e të cilit janë sa shkuma e detit. Nuk ka mundësi që të mos na ngacmojë ajeti më shpresëdhënës në tërë Kuranin:

    “Thuaj: O robërit e Mi që e tepruat ndaj vetvetes, mos humbni shpresën nga mëshira e Allahut. Allahu i falë të gjitha mëkatet. Ai është Falësi, Mëshiruesi.” (Zumer, 53)

    Ja edhe një rast në të cilin Allahu e hap derën e mëshirës së Vet, e ofron mundësinë e faljes dhe ndjesës, i fton të gjithë që të hyjnë në xhenet. Mos ngurro.